Presidenti Joe Biden pritet të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në largim, Jens Stoltenberg.
Takimi vjen ndërsa gara për të gjetur pasardhësin e tij është nxehur.
Zoti Stoltenberg, ka udhëhequr aleancën ushtarake që nga viti 2014, periudhë gjatë së cilës mandati i tij është zgjatur tre herë. Por në fillim të këtij viti, ai bëri të ditur se në fund të shtatorit do të largohet.
Përpjekjet për zëvendësimin e tij janë intensifikuar ndërsa udhëheqësit e aleancës ushtarake prej 31 anëtarësh, mblidhen muajin e ardhshëm për takimin vjetor të nivelit të lartë, që mbahet në Vilnius të Lituanisë.
Javën e kaluar, Kryeministri britanik Rishi Sunak i përmendi Presidentit Biden, Ministrin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar Ben Wallace, si kandidat të mundshëm. Presidenti amerikan u takua gjithashtu edhe me Kryeministren daneze Mette Frederiksen, një tjetër pretendente e mundshme.
Gjatë një konferencë shtypi me në krah zotin Sunak, zoti Biden e quajti zotin Wallace një person “shumë të kualifikuar”, por vuri në dukje se diskutimet për të gjetur një kandidat “konsensual’, për të zëvendësuar zotin Stoltenberg, po vazhdon. Opinioni i Presidentit Biden ka peshë të madhe pasi Shtetet e Bashkuara shpenzojnë për mbrojtjen, më shumë se çdo vend tjetër anëtar i aleancës.
Zonja Frederiksen u përpoq të anashkalonte çështjen e kandidimit të saj të mundshëm për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s pas takimit me Presidentin Biden javën e kaluar. Ajo nuk pranoi të thoshte nëse kishte diskutuar mbi këtë çështje me të, por u tha gazetarëve se nuk donte t’i jepte zë spekulimeve lidhur me NATO-n. Aleanca nuk ka pasur kurrë një sekretare të përgjithshme grua.
Danimarka ka mbetur pas me objektivin e shpallur të NATO-s, për të shpenzuar 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për ushtrinë, deri në vitin 2030. Por në fund të muajit të kaluar qeveria e këtij vendi, njoftoi se synonte, që gjatë dekadës së ardhshme, të investonte rreth 20.6 miliardë dollarë për mbrojtjen, për shkak të kërcënimeve serioze ndaj sigurisë.
Zoti Biden dhe zoti Stoltenberg pritet gjithashtu të diskutojnë rreth agresionit rus në Ukrainë si dhe mbi përpjekjet për të bindur Turqinë, një vend anëtar i NATO-s, të heqë dorë nga bllokimi që i ka bërë anëtarësimit të Suedisë në aleancë.
voa