Jep dorëheqjen kryeministri kanadez Justin Trudeau

Justin TrudeauKryeministri i Kanadasë Justin Trudeau njoftoi dorëheqjen të hënën në mesin e shtimit të pakënaqësive mbi udhëheqjen e tij dhe pas largimit të papritur të Ministres së Financave, që sinjalizoi përplasje në rritje brenda qeverisë së tij.

 

Justin Trudeau tha se ishte bërë e qartë se ai “nuk mund të jetë më udhëheqës për në zgjedhjet e ardhshme për shkak të debateve të brendshme”. Ai ka në plan të qëndrojë në postin e kryeministrit derisa të zgjidhet një udhëheqës i ri në krye të Partisë Liberale.

“Nuk tërhiqem lehtë para një beteje, veçanërisht kur është fjala për një beteja të rëndësishme për partinë dhe vendin tonë. Por unë e bëj këtë sepse interesat e kanadezëve dhe mbrojtja e demokracisë janë shumë të shtrenjta për mua”, tha ai.

Një zyrtar që ishte në dijeni të çështjes tha se Parlamenti, që duhet të rifillonte punimet në 27 janar, do të pezullohet deri në 24 mars. Kjo do të krijojë hapësirën e nevojshme për garën për kryesimin e Partisë Liberale. Zyrtari foli në kushte anonomiteti sepse nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht mbi çështjen.

Tre partitë kryesore opozitare kishin deklaruar se kishin në plan të kërkonin një mocion votëbesimi për qeverinë kur të mblidhej parlamenti. Por nëse parlamenti nuk mblidhet deri në 24 mars, koha më e afërt kur mund ta paraqesin mocionin mund të jetë gjatë majit.

“Partia Liberale e Kanadasë është një institucion i rëndësishëm i historisë dhe demokracisë sonë. Një kryeministër i ri dhe udhëheqës i Partisë Liberale do të bartë vlerat dhe idealet e kësa force, në zgjedhjet e ardhshme”, tha zoti Trudeau. “Do të shoh me kënaqësi se si do të zhvillohet procesi në muajt në vazhdim”, shtoi ai.

Zoti Trudeau erdhi në pushtet në vitin 2015 pas 10 vjetësh qeverisjeje të Partisë Konservatore dhe fillimisht u vlerësua lart për rikthimin e vendit tek e shkuara e tij liberale. Por zoti Trudeau, 53 vjeç, i biri i një prej kryeministrave më të njohur të Kanadasë, humbi mbështetjen e votuesve vitet e fundit për shkak të një sërë çështjesh, nga rritja e kostove të ushqimit dhe të shtëpive deri tek shtimi i emigracionit.

Kjo tronditje politike vjen në një moment të vështirë për Kanadanë në kuadrin ndërkombëtar. Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka paralajmëruar se do të vendosë tarifa në nivelin 25 për qind për të gjitha mallrat kanadeze nëse qeveria nuk ndalon atë që zoti Trump e cilëson “një fluks migrantësh dhe droge drejt SHBA-ve”, edhe pse prej këtij shteti hyjnë në territorin amerikan shumë më pak emigrantë dhe drogë sesa nga Meksika, një shtet që zoti Trump e ka kërcënuar gjithashtu me tarifa.

Kanadaja është eksportues kryesor i naftës dhe gazit natyror në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu SHBA-të mbështetjen tek fqinji verior edhe për çelikun, aluminin dhe automobilat. Zoti Trudeau ka qëndruar publikisht në heshtje javët e fundit, pavarësisht shtimit të trysnisë që ai të dorëhiqej. “Heshtja e tij e gjatë pas kësaj drame politike flet shumë për dobësimin e pozicionit të tij”, thotë Daniel Béland, profesor i shkencave politike në Universitetin McGill në Montreal.

Ish-ministrja e Financave e Kanadasë, Chrystia Freeland, njoftoi dorëheqjen e saj nga kabineti i zotit Trudeau më 16 dhjetor, duke kritikuar disa nga përparësitë ekonomike të kryeministrit përballë kërcënimeve të zotit Trump. Dorëheqja, e cila pasoi dorëheqjen e ministrit të Strehimit, e gjeti vendin të papërgatitur dhe ngriti pikëpyetje se edhe sa gjatë mund të qëndronte në postin e kryeministrit zoti Trudeau ndërsa vazhdonte të humbiste mbështetjen popullore.

Ish-ministrja e Financave Freeland dhe kryeministri Trudeau kishin patur mosmarrëveshje lidhur me dy masa të njoftuara së fundmi- një pezullim të përkohshëm të taksës për mallrat që variojnë nga veshjet e fëmijëve deri te birra dhe plani për t’i dhënë çdo qytetari një çek për 250 dollarë kanadezë (174 dollarë). Zonja Freeland, e cila ishte gjithashtu zëvendëskryeministre, tha se Kanadaja nuk mund të përballonte “manovra të kushtueshme politike” përballë kërcënimit të tarifave.

Zoti Trudeau kishte në plan të kandidonte për një mandat të katërt në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, edhe përballë pakënaqësisë në rritje mes anëtarëve të Partisë Liberale. Partia së fundmi pësoi humbje në zgjedhjet e posaçme në dy qarqe në Toronto dhe Montreal, qarqe që kishte drejtuar prej vitesh. Asnjë kryeministër kanadez në më shumë se një shekull nuk ka fituar katër mandate radhazi.

Dhe bazuar në anketimet e fundit, shanset e zotit Trudeau për sukses dukeshin të pakta. Në një sondazh të fundit të kompanisë Nanos, Liberalët kishin një mbështetje prej 21 për qind kundrejt 47 për qind të konservatorëve.

Për gati një dekadë në pushtet, zoti Trudeau përqafoi një sërë kauzash të mbështetura nga baza e tij liberale. Ai foli në përkrahje të imigracionit në një kohë që vendet e tjera po përpiqeshin të forconin kufijtë e tyre. Ai mbrojti diversitetin dhe barazinë gjinore, duke emëruar në qeveri një numër të barabartë burrash dhe grash. Ai ka legalizuar kanabisin.

Në Kanada, u shënua numri më i paktë i vdekjeve si pasojë e Covid-19 se sa në çdo vend tjetër dhe qeveria e tij dha mbështetje masive financiare. Por mes atyre që kundërshtonin vaksinat, mospërkrahja u rrit. Flamujt me emrin dhe shprehjet e zotit Trudeau u bënë një pamje e zakonshme në pjesët rurale.

Një ndërthurje e skandaleve dhe politikave jopopullore dëmtuan shanset e tij me kalimin e kohës.

Pierre Trudeau, i ati i Justin Trudeau erdhi në pushtet në vitin 1968 dhe udhëhoqi Kanadanë për gati 16 vjet, duke u bërë një emër i famshëm në historinë e vendit, veçanërisht duke hapur dyert e Kanadasë për emigrantët.

Pierre Trudeau u krahasua shpesh me John F. Kennedy dhe mbetet një nga të paktët politikanë kanadezë që njihen në Amerikë.

Justin Trudeau u bë kryeministri i dytë më i ri në historinë e Kanadasë.

Ai është një ish mësues, një instruktor për sportet dimërore dhe ka tre fëmijë me ish-bashkëshorten e tij, një ish modele dhe prezantuese televizive.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>