Në Britani vdiq astrofizikani me famë botërore Stephen Hawking. Në janar të këtij viti ai festoi ditëlindjen e 76-të, duke sfiduar të gjitha parashikimet e mjekëve. Shkencëtari britanik, autori i librit “Një histori e shkurtër e kohës”, besohet të jetë një nga njerëzit më të moshuar që mbijetojnë me sëmundjen e neuroneve motorike.
Stephen Hawking ishte njeriu që nderohej nga presidentë dhe monarkë, adhurohej nga të rinj e të moshuar dhe njerëzit dyndeshin për ta takuar.
Shkencëtarët e rinj i shihnin me ngazëllim dhe si sfidë teoritë e tij, po ashtu edhe akademikët më të vjetër.
Profesor Stephen Hawking, ishte një nga shkencëtarët më të njohur të botës.
Ai deshifroi disa nga të fshehtat më të çuditshme të universit, por mbetet i pashpjeguar misteri që ai la pas: Si arriti të mbijetonte kaq gjatë me një sëmundje të tillë të rëndë?
Simptomat e sëmundjes së neuroneve motorike i filluan kur studionte këtu në Kolegjin Gonville dhe Caius në Universitetin e Kembrixhit.
Pedagogët e përshkruanin si një mendje të shkëlqyer, por jo si student të zellshëm.
Problemet me ecjen dhe me të folurit nisën të shfaqen aq shpesh saqë ai nuk mund t’i fshihte më.
Përfundimisht mjekët i dhanë atij vetëm dy vjet jetë.
Në Kings College të Londrës, Profesor Ammar al-Chalabi ka studiuar ADN-në e Profesor Hawking. Ai thotë se vetëm pak pacientë kanë fatin të mbijetojnë:
Profesor Ammar al-Chalabi
Kings College, Londër
“Profesor Stephen Hawking ishte tepër i pazakontë, për një njeri me sëmundjen e neuroneve motorike. Nuk di ndonjë tjetër që ka jetuar kaq gjatë me këtë sëmundje”.
Hawking fitoi për herë të parë famë botërore me librin e tij të vitit 1988 “Një histori e shkurtër e kohës”, e cila u shit në dhjetë milionë kopje.
Libri thjeshtonte shpjegimin e universit dhe mënyrën si u krijua.
Që atëherë ai ka nxjerrë teori, të cilat kanë përmbysur plotësisht atë që ne dimë mbi konceptin e vrimave të zeza.
Falë tij, fraza “Big Bang” është bërë një term i zakonshëm.
Diagnoza do t’a ndryshonte krejtësisht qëndrimin e tij ndaj punës dhe jetës. Puna e tij u bë në fakt jeta e tij.
Kitty Ferguson
Biografe e prof Stephen Hawking
“Ai fshihej në dhomën e tij këtu në Kembrixh, dëgjonte operat e Wagnerit dhe përpiqej ta përfytyronte veten si hero tragjik. Kishte ëndrra të çuditshme, donte të vdiste për të mirën e njerëzimit dhe nuk e dinte se si do të shkonte jeta e tij,” thotë biografja e tij, Kitty Ferguson.
Paul Shellard është drejtor i Qendrës për Kozmologji Teorike në Kembrixh.
Sipas tij, gjenia e prof. Hawking është se ai gjithmonë ka qenë në gjendje të shohë përtej asaj që shohin të tjerët:
Paul Shellard
Qendra për Kozmologji Teorike në Kembrixh
“Ai la mënjanë matematikën komplekse dhe ekuacionet e gjata të cilat nuk mund t’i llogariste vetë. Ishte intuita e thellë që e bërë atë një fizikan të suksesshëm”.
Kisha e vogël e Kolegjit Caius është pak metra nga dhoma e vjetër e profesor Hawking.
Zonja Ferguson thotë se ai kurrë nuk u deklarua si ateist apo besimtar dhe kjo nuk duhet të duket çudi. (voa)