“Jo pushtet, por përgjegjësi”

GenscherPër një Gjermani evropiane e një Evropë të bashkuar si laborator të një rendi të drejtë deklarohet Hans-Dietrich Genscher në komentin e tij. Ish-Ministri i Jashtëm është një nga arkitektët e ribashkimit të Gjermanisë.

Gjermania ka mbërritur atje, ka zënë atë vend ku duhet të qe gjithmonë: pikërisht në mes të Evropës. Francezi Paul Claudel tha në verë 1945: ju gjermanët nuk duhet të doni ta sundoni Evropën. Por ju – populli në mes, populli me më shumë fqinj- duhet t’ua bëni të kuptueshme popujve rreth jush se vetëm së bashku keni një të ardhme. Kjo është Gjermania evropiane. Në thelb, Republika Federale Gjermane, pra pjesa perëndimore e ka njohur këtë përgjegjësi evropiane menjëherë pas katastrofës së Luftës së Dytë Botërore dhe të sundimit nacionalsocialist dhe ka vepruar mbi këtë bazë. Me vendimin e saj të hershëm për ta integruar në Perëndim Republikën Federale, Gjermania e atëhershme Perëndimore e përcaktoi për të gjithë gjermanët vendin e saj: në komunitetin e demokracive perëndimore. Pas kësaj, vendi i ndarë, i mundur mori përsipër të hapë rrugën për pajtimin dhe kuptimin midis Perëndimit dhe Lindjes.

Ndarja të kapërcehet, jo të shtyhet

Politika gjermane e Marrëveshjeve me Lindjen hapi shanset e një fillimi të ri midis Perëndimit dhe Lindjes. Kjo mund dhe duhet të ishte vetëm një përpjekje e të gjitha shteteve në Perëndim dhe në Lindje. Organi i përshtatshëm për këtë u bë KSBE, e cila me Aktin Final të Helsinkit në vitin 1975 prezantoi një masterplan politik, që përfshinte hapësirën nga Vancouveri në Wladiwostok. Vetëm po ta mendojmë: demokracitë e Amerikës së Veriut dhe në Lindje të gjithë Bashkimin Sovjetik, duke përfshirë edhe pjesën aziatike të tij. Rezultati qe kapërcimi i ndarjes jo vetëm të Gjermanisë, por të Evropës!

Me të vërtetë? Do të pyesë dikush, po të shohë peizazhin politik sot. Pyetja është e justifikuar. Duket sikur disa nuk kanë dashur fare kapërcimin e ndarjes, por vetëm një spostim të vijës ndarëse nga Mesi i Evropës në drejtim të Lindjes. Por kjo do të ishte një keqkuptim historik! Dhe veç kësaj edhe një shkelje e filozofisë bazë të Kartës së Parisit të 21 nëntorit 1990: në të, shtetet pjesëmarrëse të KSBE-së u shprehën pro një projekti të ri bashkëpunimi në hapësirën e KSBE-së.

Impulse për unitetin e Evropës

Ashtu si Gjermania e ndarë pas Luftës së Dytë Botërore e pajisi me impulse të reja procesin e bashkimit evropian, po kështu Gjermania e bashkuar sot është thirrur që t’i japë impulse të reja këtij bashkimi evropian. Kryesisht në dy drejtime. Së pari, procesi i bashkimit duhet të avancohet me qartësi dhe vendosmëri. Nuk është fjala për të pasur më shumë apo më pak Evropë. Por fjala është: të vazhdohet ndërtimi i Evropës apo të kthehemi pas në llogoret e vjetra. Kjo do të thotë së dyti, që të mos merremi sërish me ndarjen e Evropës, në një kohë kur bashkimi solli kaq të mira.

Roli i Gjermanisë në të gjitha këto? Jo ai i nxitësit, por ai i motorit, i ofruesit të ideve, roli i atij që mban në mendje herë pas here porosinë e Claudelit në 1945-ën. Është fjala që në rendin e ri që po krijohet në botë, Evropa të bëhet një laborator prove, i cili të perceptohet kudo si i drejtë. Për ta thënë me një fjalë: Gjermania e re në një Evropë të re nuk do të thotë më tepër pushtet, por më shumë përgjegjësi. Përgjegjësi për një botë të të drejtave të barabarta dhe të vlerave të njëjta, por jo të supremacisë; në një botë, në të cilën gjithmonë secili është i ndërgjegjshëm: një popull nuk mund të jetojë në plan afatgjatë mirë, kur të tjerët janë keq për një kohë të gjatë. Ky është rezultati i një ndërvarësie globale, e cila i lidh popujt e botës në më shumë se një bashkësi popujsh: në një bashkësi fati dhe mbijetese.

Hans-Dietrich Genscher ishte midis 1974 dhe 1992 Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskancelar i Republikës Federale të Gjermanisë. Së fundi ai botoi në shtator librin e tij “Këndvështrimi im i gjërave”. (dw)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>