Joe Biden fiton garën presidenciale

Joe BidenIsh-zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, një figurë e shquar në qarqet politike të Uashingtonit për gati një gjysmë shekulli, është parashikuar si fituesi i zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe pritet të inaugurohet më 20 janar, duke u bërë udhëheqësi më i vjetër ndonjëherë i vendit.

Zoti Biden, një demokrat që shërbeu 36 vjet në Senatin amerikan dhe tetë vjet si numri dy në komandë në administratën e ish-Presidentit Barack Obama, u parashikua nga organizatat e lajmeve të ketë mposhtur Presidentin republikan Donald Trump në një fushatë të hidhur dhe pas disa ditë numërimi të votave. Rezultatet duhet të çertifikohen zyrtarisht dhe janë subjekt i sfidave gjyqësore, por pritet të qëndrojnë.

Duke reaguar ndaj lajmit për fitoren, zoti Biden njoftoi në Twitter se ai ndjehej i nderuar “që më keni zgjedhur mua për të udhëhequr vendin tonë të madh”. Demokrati Joe Biden fitoi presidencën duke siguruar të paktën 270 nga 538 votat e Kolegjit Zgjedhor.

Zëri i Amerikës vlerësoi të dhënat e numërimit të votave në shtetet e mbetura dhe u mbështet në ekspertizën e agjencive Reuters dhe Associated Press në parashikimin e rezultateve të secilit shtet. Në asnjë shtet nuk u shpall rezultati për asnjërin prej kandidatëve derisa dy burime të pavarura dhanë parashikimet e tyre.

Fitorja e zotit Biden e bën zotin Donald Trump, presidentin e tretë amerikan në katër dekadat e fundit që humbet rizgjedhjen pas një mandati të vetëm katër-vjeçar si udhëheqës i vendit.

Fitorja e zotit Biden erdhi disa ditë pas ditës zyrtare të zgjedhjeve të martën ndërsa zyrtarët e zgjedhjeve në gjashtë shtete përfunduan numërimin e miliona votave të hedhura me postë, të dërguara nga votuesit që donin të qëndronin larg qendrave të votimit nga frika e infektimit me koronavirus.

Zoti Bide, i cili do të jetë 78 vjeç ditën e inagurimit, fitoi presidencën në provën e tij të tretë pasi nuk arriti të fitonte emërimin e Partisë Demokrate në 1988 dhe 2008.

Tani ai do të marrë drejtimin e qeverisë amerikane i shoqëruar nga kandidatja e tij për nënpresidente, Senatorja e Kalifornisë Kamala Harris, gruaja e parë në historinë 244-vjeçare të vendit të zgjedhur ndonjëherë në këtë post. Ajo është vajza e një babai xhamajkian dhe e një nëne indiane dhe ishte gruaja e parë me ngjyrë në një pozitë të tillë.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden fiton 20 votat elektorale të shtetit të Pensilvanisë duke siguruar 273 vota elektorale nga 270 që duheshin. Presidenti i zgjedhur kryeson me mbi 4 milionë vota popullore.

Ai po ashtu kryeson edhe në disa shtete te tjera ku ernde nuk është shpallur fituesi: Xhorxhia (16 vota elektorale), Nevada (6 vota elektorale), Arizona (11 vota elektorale).

Ekipi elektoral i Presidentit Trump është duke vënë në pikëpyetje rezultatet, duke u shprehur nëpërmjet një deklarate të premten se, “zgjedhjet nuk kanë mbaruar”. Ata thanë se presidenti përfundimisht do të fitojë si rezultat i rinumërimeve të pritshme në shtetet ku gara është e ngushtë, si dhe prej sfidave ligjore të bazuara në akuza të paprovuara për vjedhje votash dhe parregullsi.

Në sistemin amerikan të demokracisë indirekte, fituesi i votës popullore në secilin shtet – me përjashtim të shteteve Mein dhe Nebraska – merr të gjitha votat elektorale të shtetit në fjalë, të cilat përcaktohen në bazë të nivelit të popullsisë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>