Shtëpia e Bardhë vlerësoi dje përvojën politike të zotit Joe Biden, i cili po shqyrton mundësinë për të konkurruar si kandidat i demokratëve në zgjedhjet presidenciale. Nënpresidenti Biden tha pak kohë më parë se do të vendoste brenda muajit shtator nëse do të hynte në garë për zgjedhjet e 2016s. Dje nënpresidenti ishte në Shtëpinë e Bardhë ku u takua dhe hëngri drekë me Presidentin Obama, pas kthimit të familjes Obama nga pushimet. Shtëpia e Bardhë e ka lënë të hapur mundësinë se Presidenti mund të mbështesë zotit Biden nëse konkurron në zgjedhje:
“Presidenti e ka bërë të qartë se vendimi që mori rreth shtatë vjet më parë për ta zgjedhur Joe Biden si kandidat për nënpresident në garën e tij presidenciale, ishte vendimi më i mençur që ka marrë ndonjëherë në politikë. Mendoj se ky fakt reflekton opinionin që ka presidenti për aftësinë e nënpresidentit Biden për postin më të lartë”.
Një tjetër kandidat presidencial, Bernie Sanders mendon se Joe Biden do të ishte një kandidat i fortë. Por zoti Biden ka konkurruar dy herë më parë për postin e presidentit dhe ka humbur:
“Mendoj se provat janë shumë të qarta, unë po avancoj dhe anketat tregojnë se mbështetja për Hillarin po bie pak. Por ka ende shumë kohë deri në zgjedhje. Joe Biden do të ishte kandidat shumë i fortë”.
Presidenti Barak Obama nuk ka shprehur mbështetje për ndonjë politikan të caktuar si pasues të tij, por në rrethana të ndryshme ka lavdëruar si zotin Biden, ashtu edhe zonjën Klinton. (voa)