Ministri i Jashtëm britanik Boris Johnson i tha homologëve të tij të BE-së gjatë një takimi të hënën, se mohimi nga ana e Rusisë i përfshirjes në hemimin në Britani të ish spiunit rus, është një “strategji klasike ruse për t’u përpjekur të fshehë gjilpërën e së vërtetës në kashtën e gënjeshtrave”.
Johnson tha se mohimi i vazhdueshëm nga Rusia i pjesëmarrjes së saj në helmimin me agjent nervor të ish spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij 33-vjeçare, Yulia, po “bëhet përherë e më absurd“.
Johnson shtoi se “ekspertët teknikë” nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, të hënën ndodhen në Britani, për të marrë mostra të helmit.
Ndërsa mosmarrëveshja mes Britanisë dhe Rusisë vazhdon të shtohet lidhur me helmimin e Skripalëve, Kremlini njoftoi dëbimin e 23 diplomatëve britanikë dhe Minsitria e Jashtme ruse doli me një tjetër teori lidhur me origjinën e helmit të përdorur.
Minsitria e Jashtme ruse përmendi ketër vende europiane, si burimin më të mundshëm për agjentin nervor Novichok, për të cilin zyrtarët britanikë thonë se është përdorur. Në krye të listë është vetë Britania; shtetet e tjera janë Sllovakia, Republika Çeke dhe Suedia.
Në një intervistë me televizionin shtetëror rus në prag të zgjedhjeve të së dielës, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, sugjeroi se të treja këto shtete, krahas me Britaninë, “kanë kryer studime intensive” për agjentin Novichok, por ajo nuk dha fakte që mbështesin deklaratën e saj.
Ministrja e Jashtme suedeze, Margot Wallstrom, tha të hënën se sugjerimi nga Rusia që Suedia ka rezerva të agjentit Novichok “është qesharake dhe plotësisht pa baza”. Ajo tha:
“Unë mendoj se ata po përpiqen të bëjnë një lloj shmangieje nga çështja e vërtetë.”
Ministri i Jashtëm gjerman Heilo Mass, tha se: “Të gjitha informacionet që kemi lenë të kuptohet se nuk ka një shpjegim alternativ të besueshëm nga ana e rusëve për ta ndarë përgjegjësinë.”
Ministri i jashtëm çek Martin Stropnicky e hodhi poshtë vlerësimin e zëdhënëses Zakharova, duke thënë se “Ne i hedhim poshtë këto deklarata pa bazë lidhur me origjinën e agjentit Novichok.”
Me tensionimin e mëtejshëm shkëmbimeve mes Britanisë dhe Rusisë lidhur me agjentin nervor që shkaktoi helmimin e Skripalit dhe vajzës së tij, të cilët u gjetën pa ndjenja më 4 mars, kryeministres britanike Theresa May po i kërkohet nga ligjvënësit dhe analistët britanikë, që të mos hezitojë në ngrirjen e pasurive të plutokratëve rusë në Britani, me lidhje me udhëheqësin rus Vladimir Putin.
Mes pronave që duhen vënë në objektiv, thonë ligjvënësit, të shtyrë nga dëshira për një përgjigje të menjëhershme ndaj dëbimit të diplomatëve britanikë, janë pronat e kompanive të regjistruara në emër të zëvendëskryeministrit të parë rus Igor Shuvalov dhe shtëpia në Londër, me vlerën e 150 milionë dollarëve e oligarkut Roman Abramovich, i cili është edhe pronari i klubit Chelsea të futbollit.
Njoftimi nga Kremlini të shtunën për dëbimin e diplomatëve britanikë, pritej si një masë reciprociteti ndaj dëbimit nga Britania të diplomatëve rusë. Javën e kaluar, kryeministrja britanike bëri të njohura një numër masash, si përgjigje të asaj që Britania e cilësoi “një përpjekje me miratimin e Kremlinit për vrasjen e Skripalëve”, një agjent i dyfishtë, për të cilin Putin ishte zotuar publikisht se do ta vriste.
Zyrtarët britanikë thonë se Skripali dhe e bija mbeten në gjendje kritike. Një polic që ishte mes personave të parë që u përpoqën t’i ndihmonte ata, vazhdon të jetë në spital, por ai është në gjendje të qëndrueshme.
Toksikologët britanikë thonë se në përpjekjen për vrasje është përdorur agjenti nervor Novichok. (voa)