Rexhep Tajip Erdogan është njeriu më i pushtetshëm në Republikën e Turqisë. Në fakt ai dëshiron ta kthejë vendin në demokraci presidenciale. Por kjo nuk po funksionon. Ngadalë ai po i nervozon edhe aleatët.
Nuk është e papritur që bisedimet midis AKP konservatore islame dhe Partia Republikane Popullore CHP për koalicion dështuan këtë javë. Diferencat politike ishin shumë të mëdha vullneti i vërtetë për koalicion ndoshta shumë i vogël. Prandaj bisedimet për një koalicion të mundshëm, që u zhvilluan nga dy kryetarët e partive Ahmet Davutoglu (AKP) dhe Kemal Kilicdaroglu (CHP), nuk ka qenë më shumë se një spektakël politik. Analiza e Kilicdaroglus ishte e qartë: Në fakt atij nuk i ishte ofruar asnjë mundësi për koalicion.
Për Kristian Brakel, drejtor i Fondacionit Heinrich Böll në Stamboll, pasojat janë të dukshme: “Në fakt zgjedhjet e reja janë thuajse të pashmangshme”, shpjegon eksperti në bisedë për DW. Do të ketë edhe bisedime me partinë nacionaliste MHP. Por shanset që prej tyre të dalë një koalicion i qëedrueshëm, janë zero. “Erdoganin kjo duhet ta gëzojë. Ai dëshiron ta kthejë vendin në një demokraci presidenciale, me atë në krye. Por për këtë duhet ndryshuar kushtetuta e vendit. Dhe për këtë AKP-së së tij i nevojitet shumica e dy të tretave në Asamblesë e madhe Kombëtare. Zgjedhje të reja dhe shumica dy të tretat? Kristian Brakel mendon se Erdogani i bën llogaritë gabim. Ai nuk beson se rezultati i zgjedhjeve do të jetë ndryshe nga ai i zgjedhjeve parlamentare të qershorit: “AKP do të fitojë sërish me shumicë të madhe, por nuk do të marrë shumicën absolute.” Në vendin e dytë do të jetë CHP, e ndjekur nga nacionalistët dhe Partia Popullore prokurde HDP.
Bomba për suksesin në zgjedhje
Forcat ajrore turke bombardojnë prej javësh milicët kurdë në veri të Irakut dhe në Siri. PKK kundërgodet me sulme terroriste. Një konflikt dhjetëravjeçar, që ka marrë më shumë se 40.000 viktima, është papritur në krye të axhendës politike. Dhe kjo pavarësisht nga fakti se të dyja palët kishin rënë dakord për armëpushim në vitin 2013.
Në njërën anë mbështetësit e presidentit dhe nacionalistët. Për to fajin për përshkallëzimin e dhunës e mban Partia e ndaluar Punëtore e Kurdistanit. Çdo mjet i forcave të sigurisë u duket i drejtë. Në anën tjetër kurdët. Akuza e tyre kryesore kundër Erdoganit është se ai po sakrifikon të gjithë procesin e paqes për fitoren e tij zgjedhore në nëntor.
Të dyja palët kanë plotësisht të drejtë në vlerësimin e situatës, thotë Kristian Brakel: “Është e qartë se PKK i ka dhënë fund procesit të paqes.” Për Brakel sulmet e tyre është e qartë se duhen konsideruar si sulme terroriste. Qeveria turke me veprimin e saj të tanishëm, synon më tej: “Vala e arrestimeve të qeverisë turke dhe bombardimi i pozicioneve të PKK-së është nxitje e një konflikti, qëllimi i të cilit janë sidomos objektivat e politikës së brendshme.”
Tërheqja e raketave “Patriot”
Erdogani kërkon shumë në lojën për pushtet. Dhe kështu ngadalë ai bëhet i parehatshëm edhe për aleatët e tij. Tani qeveria gjermane ka vendosur të tërheqë raketat mbrojtëse “Patriot” nga kufiri turko-sirian së bashku me 250 ushtarët e stacionuar atje. Ato ishin dërguar në ndihmë të partnerëve të NATO-s për mbrojtjen kundër sulmeve nga Siria.
Justifikimi zyrtar nga Berlini është se rreziku nuk ekziston më. Megjithatë shumë më e mundur është që qeveria gjermane nuk do që të futet në një konflikt mes qeverisë turke dhe kurdëve. Milicët kurdë konsiderohen si aleatë të ngushtë të vendeve perëndimore në luftën kundër shtetit islamik.
Kohë të vështira për marrëdhëniet gjermano-turke
Erdogani duket sikur nuk i percepton pakënaqësitë ndaj tij. Ose nuk preokupohet për to: “Turqia nuk është një republikë bananesh”, u shpreh ai në fundjavë në adresë të Berlinit. Arsyeja për nxehjen e tij: ish-prokurori turk Zekeria Öz, i përndjekur në Turqi si pasues i lëvizjes Gylen, mundi të arrijë përmes Gjeorgjisë dhe Armenisë në Gjermani. Erdogani nuk është aspak i lumtur për këtë.
Kristian Brakel parashikon kohë të vështira për marrëdhëniet gjermano-turke. “Deklaratat e reja të Erdoganit janë një nivel i ri i shkallëzimit retorik.” Marrëdhëniet janë prej vitesh të ngarkuara. “Ato megjithatë funksionojnë, por deklaratat e fundit të presidentit lenë të kuptohet se sa shumë potencial konflikti ekziston.” Edhe pa sistem presidencial. (dw)