Kancelari gjerman kërkon gatishmëri për ndyshime

Kancelari gjermanNë fjalimin e Vitit të Ri, kancelari gjerman nënvizoi forcën e Gjermanisë dhe nevojën e solidaritetit evorpian.

 

Në fjalën e tij tradicionale me rastin e vitit të ri, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kërkoi nga qytetarët gatishmëri për ndryshim. Bota po ndryshon, edhe ne duhet të ndryshojmë, tha kancelari.  Ai kujtoi krizat e kohëve të fundit: “Pa përfunduar tërësisht Corona, Rusia nisi një luftë të pamëshirshme në Evropë. Menjëherë pas kësaj, presidenti rus e mbylli rubinetin e gazit. Dhe në vjeshtë ndodhi edhe sulmi brutal terrorist i Hamasit kundër Izraelit. Kaq shumë vuajtje, aq shumë gjakderdhje. Bota jonë është bërë më e trazuar dhe më e ashpër.”

Pavarësisht këtyre sfidave, kancelari gjerman kujtoi se treguesit ekonomikë në fund të vitit nuk rezultojnë ashtu siç ishte parashikuar: Inflacioni ka rënë, pagat dhe pensionet janë rritur dhe depozitat e gazit janë plot. “Gjërat dolën ndryshe sepse ne i rezistuam rënies ekonomike. Sepse kursyem energji dhe morëm masa paraprake në kohën e duhur. Të gjithë ne – së bashku”, tha kancelari.

Viti 2024: Investime rekord dhe lehtësime tatimore

Ai kujtoi se numri i të punësuarve në Gjermani është në një nivel të lartë si kurrë më parë, dhe se vitin e ardhshëm qeveria do të kryejë “investime në shuma rekord”, edhe për të kompensuar mungesën e investimeve të bëra në vitet e fundit:  “Vendi ynë ka konsumuar për një kohë të gjatë deri në amortizim. Kjo është arsyeja pse ne po investojmë tani: në rrugë dhe hekurudha më të mira, në një furnizim me energji të pastër dhe në mbrojtje më të mirë të klimës. Në vende pune të mira – në sektorë të ekonomisë në të cilët Gjermania ka qenë gjithmonë lidere botërore. Por edhe në sektorë ku kemi pasur boshllëqe në të kaluarën, si për shembull, në prodhimin e çipave kompjuterikë ose baterive.”

Scholz kujtoi se nuk do të jetë e mundur të realizohen të gjitha investimet e dëshiruara, për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në mes të nëntorit që i hoqi qeverisë gjermane 60 miliardë euro nga buxheti. Por ai  kujtoi se megjithatë, barra tatimore do të jetë më e ulët: “Nga nesër të punësuarit në Gjermani do të paguajnë 15 miliardë euro më pak tatime”, tha ai. Së bashku me rritjen e parave për fëmijët, një familje katëranëtarëshe, do të ketë 1600 euro më shumë vitin e ardhshëm.

Scholz bën thirrje për një BE të bashkuar

Kancelari gjerman theksoi  edhe nevojën e forcimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së vitin e ardhshëm. Ai theksoi nevojën për një BE të bashkuar dhe të fortë duke pasur parasysh konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, si dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA. “Bashkimi Evropian na bën të fortë. Kur vepron, BE-ja flet në emër të mbi 400 milionë qytetarëve”, argumentoi ai.

Scholz i inkurajoi gjermanët të thonë fjalën e tyre nëpërmjet votës, një gjë që nuk ka qenë e vetëkuptueshme për një pjesë të Gjermanisë deri para disa dekadave: „Jo shumë kohë më parë gra dhe burra të guximshëm luftonin ende për zgjedhje të lira këtu në Gjermani. 35 vjet më parë filloi revolucioni paqësor në RDGJ. Të kesh të drejtën e fjalës dhe të drejtën e pjesëmarrjes në vendimmarrje – kjo është një e mirë e paçmuar.”

Thirrje për solidaritet dhe kohezion social

Kancelari gjerman theksoi edhe rëndësinë e solidaritetit dhe përpjekjeve të përbashkëta për të kapërcyer sfidat e së ardhmes. “Ashtu si në shumë pjesë të Gjermanisë që aktualisht po vuajnë nga përmbytjet e tmerrshme dhe pasojat e tyre. Mendoj për të gjithë të prekurit, të cilët sigurisht do t’i ndihmojmë dhe që nuk do t’i lëmë vetëm në këto momente të vështira”. Ai u falënderua për te të gjitha gratë dhe burrat që po luftojnë me të gjitha forcat e tyre me përmbytjet.

Scholz theksoi rëndësinë e secilit individ për suksesin dhe prosperitetin e vendit. “Ne jemi të fortë edhe sepse e dimë që çdo individ është i nevojshëm, që nga studiuesi i nivelit më të lartë, deri te infermierja e gjeriatrisë, polici dhe postieri”.

Ai  ftoi për një vështrim optimist për të ardhmen: “Nëse e kuptojmë këtë, nëse e trajtojmë njëri-tjetrin me këtë respekt, atëherë nuk ka pse të kemi frikë nga e ardhmja! Atëherë viti 2024 mund të jetë një vit i mirë për vendin tonë.”

dw

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>