Karaxhiç – fajtor për gjenocid dhe krime lufte

KaraxhixhIsh udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, u shpall fajtor nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës, lidhur me rolin e tij udhëheqës në fushatën e terrorit ndaj popullsisë civile, përfshirë masakrën e Srebrenicës, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Ai u dënua me 40 vjet heqje lirie.

Gjykata e shpalli fajtor për gjenocid për masakrën e Srebrenicës, që synonte vrasjen e “të gjithë burrave të aftë për luftë” dhe shfarosjen e komunitetit mysliman boshnjak në atë zonë në korrik të vitit 1995, pasi forcat serbe e morën nën kontroll qytetin që ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Radovan Karaxhiç u dënua për përndjekje, shfarosje, deportim, zhvendosje të dhunshme dhe vrasje – por u lirua na akuza për gjenocid lidhur me një fushatë për të përzënë myslimanët boshnjakë dhe kroatët nga fshatrat e pushtuara nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1992- 1995.

Radovan Karaxhiçi, është zyrtari më i lartë që përballet me Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, lidhur me luftën e para 21 vjetëve, në të cilën mbi 100 mijë veta humbën jetën.

Karaxhiç u arrestua në korrik të vitit 2008 në Beograd, pas 11 vjet arratisjeje.

Ish psikiatri 70 vjeçar, ende në gjendje të mirë shëndetësore, që dikur drejtonte të vetëshpallurën Republikë e Serbëve të Bosnjës, mbante titullin e komandantit suprem të forcave të saj të armatosura.

I vetmi zyrtar më i lartë që është përballur me Gjykatën e Hagës për krime lufte, ishte ish presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç,  cili vdiq në Hagë dhjetë vjet më parë para se të përmbyllej gjykimi kundër tij për krime lufte e gjenocid ne Bosnjë, Kroaci dhe në Kosovë.

Ratko Mladiç, gjenerali që komandonte forcat e serbëve të Bosnjës, është i fundit i të arrestuarve për masakrën e Sebrenicës dhe aktualisht është në proces gjyqësor në Gjykatën e Hagës.

Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, që ishin pjesë e akuzave kundër Karaxhiçit, ishin zhvillimet që kthyen botën kundër serbëve dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s që çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohios në Shtetet e Bashkuara, në nëntor të vitit 1995. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>