Monedha turke ka pësuar rënie drastike gjatë këtij muaji, pas tensioneve të acaruara mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me mbajtjen nën arrest të pastorit amerikan.
Kërcënimet e Uashingtonit se do të vendosë tarifa të reja e kanë goditur rëndë lirën turke. Sot u regjistrua një rënie e mëtejshme kundrejt dollarit.
Në lagjen Kadikoy të Stambollit, tregtarët janë tronditur nga një rënie tjetër e lirës turke. Të parët që e ndjenë rënien janë ata që shesin mallra të importuara.
Taylan Akcora, i cili ka disa dyqane sportive në Stamboll, thotë se po përgatitet për më të keqen:
“90% e mallrave që shesim janë të importuara. Janë marka të njohura që i sjellim nga Azija. Ne i blejmë mallrat nga firma importuese që shërbejnë si distributorë. Nuk diskutohet që ata do të na i ngrenë çmimet”.
Turqia është përballur edhe më parë me luhatjet e valutës dhe në të gjitha rastet rezultati ka qenë rritja e inflacionit dhe papunësisë.
Aslan Yuce, pronar i një dyqani çaji thotë se në rrugët e qytetit e ndjen qartë frikën për të ardhmen:
“Askush nuk ndjehet i sigurtë. Askush nuk ushqen shpresë për të ardhmen. Shoh njerëzit që kalojnë para dyqanit, të gjithë të ngrysur, të gjithë të menduar, sikur kanë humbur të gjitha shpresat për jetën. Kjo periudhë ka krijuar një psikozë të fortë”.
Por goditjen më të fortë mund ta ndjejnë turqit me probleme shëndetësore, pasi Turqia importon në masë ilaçet.
Farmacistët po përballen me problemin e kufizimeve të vëna në shitjen e ilaçeve të importuara:
“Rritja e dollarit dhe në përgjithësi e valutave të tjera në raport me lirën do të ndikojë rëndë sektorin e farmacisë pasi varet shumë tek importet. Prodhuesit turq të ilaçeve nuk do të jenë në gjendje të blejnë përbërësit me çmimet aktuale”. “Një tjetër problem nga politikat ekonomike të qeverisë është se kompania kombëtare e sigurimeve nuk paguan më për koston e ilaçeve më të mira të importuara, përfshirë ilaçet kundër depresionit,” thotë farmacistja Guliz Kaptan.
Pasiguria që ekziston për lirën turke dhe për ekonominë në përgjithësi ka krijuar në Turqi një klimë frike dhe ankthi për të ardhmen. (voa)