Sipas vlerësimeve, në të gjithë botën 44 milionë njerëz të moshës 65 vjeç e sipër, janë me Alzajmer, forma më e zakonshme e demencës. Alzajmeri është një çrregullim degjenerativ i trurit, që shkakton humbje të kujtesës dhe dëmton të menduarit, gjykimin dhe aftësinë për zgjidhjen e problemeve. Deri tani, shkencëtarët kanë zbuluar një ilaç që mund të ndalojë përparimin e sëmundjes. Por, një program studimor në Shtetet e Bashkuara, po përiqet të parandalojë Alzajmerin, duke vënë në shënjestër ndryshimet më të hershme në tru, ndërsa kujtesa dhe të menduarit kanë mbetur ende të paprekura.
Babai i 67-vjeçares Ivy Segal vdiq nga Alzajmeri kur ishte 87 vjeç. Duke e ditur se kjo sëmundje trashëgohet, ajo doli vullnetare për të marrë pjesë në një studim.
“Babai vdiq nga Alzajmeri në vitin 2011. Prandaj këtë studim e kam shumë për zemër,”- thotë Ivy.
Këtë ndjenjë ka edhe vajza e saj, Jessica Langbaum, studiuese në Institutin e Alzajmerit në Feniks. Ajo drejton dy studime që synojnë të gjejnë mënyrën e parandalimit të sëmundjes.
“Ne regjistrojmë njerëz të shëndetshëm, që nuk kanë ende probleme me kujtesën dhe të menduarit, që lidhen me Alzajmerin.”- thotë Jessica.
Një proteinë në formë pllakëze, e quajtur “amyloid” ((AM-eh-loid)), grumbullohet në trurin e njerëzve me Alzajmer. Studjuesit po punojnë për të bllokuar krijimin e pllakëzës tek njerëzit e shëndetshëm, që rrezikohen të preken nga demenca.
“Ky është një demonstrim i një grupi njerëzish, për të cilët e dimë se do të zhvillojnë sëmundjen e Alzajmerit dhe me afrimin e moshës kur ata pritet të zhvillojën simptomat, shohim se pjesa më e madhe e amiloidit tashmë është grumbulluar.”- thotë doktor William Burke, i Institutit të Alzajmerit.
“Sa më shpejt që të ndërhyjmë dhe të parandalojmë akumulimin e amiloidit në tru, aq më shumë shanse për sukses kemi,” - thotë doktoresha Elizier Masliah, Shefe e Neurologjisë në Institutin Kombëtar për Plakjen.
Klinikat në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të tjera, po punojnë me Institutin Banner të Alzajmerit, duke regjistruar në studim persona të moshës 60 dhe 75 vjeç. Ata u nënshtrohen skanimit të herëpashershëm të trurit, provave për kujtesën dhe të menduarit, çdo 6 muaj, si dhe ilaçeve eksperimentale, për disa vjet. Vullnetarët në studim, po ashtu kontrollohen për gjenin APOE4, që shton mundësinë për zhvillimin e Alzajmerit.
“Mosha është faktori më i madh i rrezikut për të zhvilluar Alzajmerin. Pas moshës, vjen gjeni APOE,”- thotë studjuesja Langbaum.
Pjesëmarrësve në studim u kërkohet të përfshihen në një regjistër konfidencial, të quajtur GeneMatch, për njerëz të moshës 55 deri 75 vjeç, të cilët dalin vullnetarë për të marrë pjesë në studimet për Alzajmerin, por që nuk janë diagnostikuar me degjenerim mendor. Ivy Segal nuk hezitoi të merrte pjesë:
“Dua të bëj ç’është e mundur për të ndihmuar”, - thotë ajo.
Deri tani, në studim janë regjistruar mbi 70 mijë njerëz, por shkencëtarët thonë se për të ndihmuar në kërkimet për Alzajmerin, nevojiten qindra mijëra vullnetarë të tjerë.
(voa)