Shqetësimet për luftë tregëtare pas njoftimit të Presidentit Donald Trump për tarifa ndaj Kanadasë, Kinës dhe Meksikës, u ndjenë në bursat kryesore të botës, ku vlera e aksioneve ra ndjeshëm të hënën. Aksionet u stabilizuan pasi zoti Trump njoftoi se do të shtynte për një muaj vendosjen e tarifave prej 25 për qind për mallrat meksikane dhe ato kanadeze, pasi bisedoi me udhëheqësit e dy vendeve. Ndërkohë Kina deklaroi të martën se po vendoste tarifa ndaj Shteteve të Bashkuara, si kundërpërgjigje ndaj atyre të shpallura nga Uashingtoni.
Kina tha se do të vendosë një tarifë prej 15% për produktet amerikane të qymyrit dhe gazit natyror të lëngshëm, si dhe një tarifë 10% për naftën bruto, makineritë bujqësore dhe makinat me motor të fuqishëm të importuara nga SHBA. Kina njoftoi gjithashtu për një hetim anti-trust ndaj kompanisë Google dhe për masa të tjera tregtare.
Veprimet e Kinës vijnë pasi Presidenti Trump njoftoi gjatë fundjavës se do të vendoste tarifa prej 25 për qind ndaj Meksikës dhe Kanadasë dhe 10 për qind ndaj Kinës.
“Ne duhet të ndalojmë vërshimin e njerëzve, si edhe fentanilin dhe kjo përfshin Kinën. Fentanili ka vrarë këtë vit të paktën 200,000 njerëz. Ai po vërshon nga Kina përmes Meksikës dhe Kanadasë. Dhe ata duhet ta ndalojnë një gjë të tillë. Nëse nuk e ndalojnë, tarifat do të rëndohen shumë.”
Ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Fu Cong, tha të hënën se Pekini do t’i drejtohej Organizatës Botërore të Tregtisë.
“Ne besojmë se kjo është në kundërshtim me rregullat e OBT-së. Dhe për këtë arsye Kina po dorëzon një ankesë në OBT. Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se mund të detyrohemi të marrim kundërmasa. Dhe më lejoni të theksoj gjithashtu se nuk ka asnjë fitues nga një luftë tregtare”.
Në ditët në vazhdim Presidenti Trump pritet të flasë me Presidentin kinez Xi Jinping dhe ekspertët thonë se Pekini shpreson për një zbutje të qëndrimit amerikan, siç ndodhi ndaj Meksikës dhe Kanadasë.
Pasojat e njoftimit për tarifat u ndjenë në të tre vendet por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe kryeqytete të tjera, ku ra vlera e aksioneve në bursë.
Më pas në Uashington, zoti Trump tha se kishte rënë dakord për të shtyrë për një muaj zbatimin e tarifave me Meksikën, në këmbim të masave nga ky vend për të frenuar fluksin e migrimit dhe të drogave të paligjshme përtej kufirit jugor. Më pas ai njoftoi për një pauzë të ngjashme me Kanadanë. Tregjet u rimëkëmbën disi pas njoftimit.
Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum reagoi me optimizëm të matur.
“Jam e sigurt se këtë muaj do të kemi rezultate, rezultate pozitive për popujt tanë dhe ky ishte rezultati i marrëveshjes. Ishte një bisedë e mirë, me respekt”, tha ajo.
Studiuesit e ekonomisë thonë se konsumatorët do të fillojnë të ndiejnë pasojat së shpejti dhe përmendin paralele historike.
“Kjo na kthen në vitet 1930, kur lufta tregtare ishte një nga faktorët që thelloi Depresionin e Madh, pasi ekonomitë në të gjithë botën vendosën barriera për të mbajtur jashtë importet. Në këndvështrimin afatgjatë, tarifat e larta do të tkurrnin sasinë e përgjithshme të tregtisë globale, gjë që do të dobësonte konkurrencën si edhe përhapjen në të gjithë botën e inovacioneve teknologjike. Dhe me kalimin e kohës, kjo mund ulë ritmin e rritjes ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe asaj globale”, thotë Steve Kamin i Institutit “American Enterprise”.
Zoti Trump e pranoi se këto masa mund të rrisin çmimet, por tha se kostoja e tarifave më të larta do t’ia vlente pasi ato do të forconin interesat amerikane.
voa