Rick Kelly është krijues autentik kitarash, që përdor dru të ricikluar nga ndërtesa të vjetra. Kelly e mori zanatin e përpunimit të drurit nga gjyshi i tij dhe ka studiuar për skulpturë, por gjatë viteve ka zhvilluar teknikat e tij për prodhimin e kitareve. Puna e tij është aq e suksesshme, saqë ai i shet kitarat sa i përfundon.
Rick Kelly filloi të krijonte instrumente prej druri që në moshën e adoleshencës. Por, ishte vetëm para 10 vjetësh, kur regjizori Jim Jarmusch i ofroi një sasi druri të vjetër nga tavani i papafingos së tij, që ai filloi të merret seriozisht me përpunimin e drurit nga hotelet e vjetra, baret dhe kishat për ta kthyer në kitarë.
“Qëlloi që ai ishte klient në dyqan. E njihja pak. Një ditë më ofroi lëndë drusore nga shtëpia e tij dhe unë e pranova. Ai dërgoi punëtorët me një kamion të ngarkuar me dru. Ishte ngarkesa e parë që kam marrë, nga papafingoja e Jimit”.
Shumica e lëndës drusore ishte mbi 100-vjeçare. Është dru i shekullit të XIX-të, pishë e bardhë nga veriu i shtetit të Nju Jorkut që është përdorur për shtëpitë dhe ndërtesat e qytetit.
“Tek druri, sidomos ai i përdorur për çatinë, ndodhin ndryshime. Druri ekspozohet në temperatura mbi 38 gradë celsius gjatë ditës dhe ftohet gjatë natës. Kjo luhatje e vazhdueshme e bëjnë atë më të mirë për kitara, sepse rrëshira në dru kristalizohet, duke hapur poret gjatë vibracionit”.
Mjeshtri 64 vjeçar është vazhdimisht në kërkim të drurit të vjetër në gjithë qytetin. Kohët e fundit ai gjeti dru të cilësisë për kitara në një vend-hedhje mbeturinash, ishte lëndë druri nga një Kishë Orthodokse Serbe e cila u dogj më herët këtij viti, në Nju Jork.
Në punishten e tij, ai mban shënime të detajuara të koleksionit të tij, duke shënuar në çdo copë druri se cilës ndërtesë i përkiste më parë.
Shpesh, klientët e tij pyesin për një lloj të caktuar druri. Bob Dylan, për shembull, i kërkoi që kitara e tij të bëhej nga druri i Chumley-t, një bar historik i Nju Jorkut që po rinovohet për momentin.
Pavarësisht nëse janë muzikantë të famshëm ose kitaristë të nivelit mesatar, klientët e Kelly-t paguajnë mbi 2000 dollarë për një kitarë, sepse ata e vlerësojnë cilësinë e instrumenteve.
“Këta drunj kanë qënë këtu që në kohën e George Washingtonit, kur ai ecte rreth këtyre pemëve. Druri nga këto pemët u përdor për një hotel luksoz gjatë viteve 1800, pastaj një hotel i lirë gjatë Depresionit ekonomik, dhe pastaj një godinë për jetesë vitet e fundit. Kanë kaluar shumë ndryshime, të gjitha ndërtesat, dhe prandaj ky dru është i mrekullueshëm”.
“Kur mësova për herë të parë për kitarat, kisha interes. Por interesi arriti një nivel tjetër kur pashë Rick-un të fliste me aq pasion”.
Kitarat e Rick Kelly-t janë më shumë se instrumente unike, të gdhendura. Ato i ofrojnë klientëve të tij diçka më të çmuar: një pjesë të historisë që qytetit të Nju Jorkut.