Menjëherë pas vrasjes së Boris Nemcov shteti dhe Mediat ruse nisën një fushatë dezinformimi, mendon Ingo Mannteufel.Vrasja e politikanit të papërkulur opozitar rus Boris Nemcov të premten dhe marshimi përkujtimor në qendër të kryeqytetit rus të dielën ishin temat e editorialeve në Media gjatë gjithë fundjavës në Rusi. Ky atentat politik është padyshim edhe një ngjarje tragjike dhe me domethënie në historinë e re ruse. Interesant ishte të vërehej edhe se si Kremlini dhe Mediat e dirigjuara prej tij në Rusi vunë menjëherë në veprim makinerinë ndërkohë të zakonshme të dezinformimit dhe të mjegullimit informativ.
Mbingarkesë e qëllimshme informimi
Rëndom Mediat shtetërore dhe ato të afërta me shtetin në Rusi heshtin në emisionet e tyre kryesore të lajmeve lidhur me aksionet e kritikëve të Putinit. Me siguri që kështu do të kishte ndodhur edhe lidhur me marshimin e protestës të planifikuar nga opozita për ditën e dielë. Por mediet kësaj radhe nuk mund t’i shmangeshin lajmit për vrasjen e një politikani drejtues të opozitës në një urë që të çon drejt Kremlinit. Boris Nemcov si zëvendëskryeministër në vitet 90-të u bë i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Por sidoqoftë në informacionin e Medias as që mund të bëhej fjalë për një raportim të pavarur. Përkundrazi: doli në pah se si Kremlini i drejton mediet në këto rrethana dhe e manipulon popullin e vet.
Pak pas atentatit ndaj Nemcovit presidenti rus paraqiti kursin për Mediat. Ai e shpalli vrasjen e kritikut të tij si një “provokim”, që synon destabilizimin e vendit. Me këtë për Putinin gjithçka ishte e qartë, se objektivi i vërtetë dhe viktima e këtij akti të neveritshëm nuk ka qenë Nemcovi, por ai, pra Putini vet. E në këtë frymë prokuroria e përgjithshme dhe Mediat e dirigjuara duhej të paraqisnin si doras të mundshëm të aktit të gjithë kundërshtarët e njohur tashmë të Putinit: “amerikanët”, “ukrainasit”, “islamistët” ose thjeshtë grupet e tjera, që duan të rrezikojnë sigurinë e vendit.
Në kontekstin e gjurmës islamiste Mediat ruse shfrytëzuan rastin për të theksuar veçanërisht faktin, se Nemcov ishte hebre. Në sfondin e përhapjes së antisemitizmit në Rusi efekti i një informacioni të tillë në kontekst me vrasjen është i kuptueshëm: as që mund të pritet simpati për viktimën 55 vjeçare, që për më tepër ishte i shoqëruar nga një e re ukrainase bukuroshe(!). Për të gjithë bashkëkohësit me mendje të kthjellët, të cilët ende posedojnë mjaftushëm forcën rezistuese ndaj teorive të konspiracionit që ndërkohë janë bërë të zakonshme në Rusi, gjurmët të çojnë tek bizneset e dyshimta të Nemcovit me pasuritë e patundshme.
Çështjet e rëndësishme nënvleftësohen
Pas këtyre shumë të vërtetave të përhapura mbi pistat e hetimit nuk qendron dëshira për një zbardhje dhe informacion të detajuar, por vetëm synohet përhapja e një mjegullnaje të qëllimshme. Ndërkohë që nuk tematizohet përgjegjësia e pushtetit të shtetit, që për vite me radhë përmes Mediave të kontrolluara prej tij ka shpifur ndaj kritikëve të tij. Madje në këtë stuhi dezinformuese nënvleftësohet edhe çështja, se si mund të ndodhë, që pikërisht në kohën e atentatit të gjitha kamerat e vrojtimit përreth Kremlinit kanë qenë të fikura, me defekt, ose për riparim. Në sfondin e kaq shumë “të vërtetave” të dëshiruara ka pak shpresë, që të dalë në dritë e vërteta e vërtetë. Edhe Boris Nemcov do të mendonte kështu. (dw)