Koment: Merkeli e mban derën një gisht hapur

Si do të vendosin grekët? Edhe në Zyrën Kancelarore përfundimi i referendumit pritet me tension të madh. Në fund të fundit, nga Angela Merkeli varen disa gjëra, mendon Sabine Kinkartz.

MerkelIshte data 1 qershor e këtij viti, kur në mbrëmje vonë, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde dhe Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Mario Draghi hynë gati fshehtas dhe të mbrojtur nga errësira në Zyrën Kancelarore. Kancelarja u ishte lutur që të shkonin në Berlin, për të folur – natyrisht – për Greqinë. Ministrit të saj të Financave, Angela Merkeli nuk i pati thënë gjë. Atij kjo nuk iu duk zbavitëse, siç u mor vesh më vonë. Por nuk u ndie. Wolfgang Schäuble është njeri besnik.

Schäuble vetëm do të kishte shqetësuar këtë darkë. Në krahasim me atë që donte të arrinte kancelarja, vështrimi i Schäubles qe shumë pesimist në lidhje me katastrofën greke. Vështrim realist do të thoshte ai tani me këmbëngulje dhe duke u nisur nga gjendja e tanishme ai me siguri ka të drejtë. Për Merkelin, nga ana tjetër, në 1 qershor vlente ende: “Atje ku ekziston vullneti, ekziston edhe një rrugë.” Ajo donte të ishte një europiane e mirë dhe si kryeministre e ekonomisë më të madhe në BE ajo do që ta mbajë të bashkuar Eurozonën.

Merkeli dhe çështja e borxhit

Para të gjithash ajo nuk donte që t’ia linin asaj fajin për dështimin e negociatave. Vërtet që qeveria federale ka theksuar herë pas here muajt e fundit, se jo Gjermania, por treshja e përbërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Evropiane dhe Komisioni Evropian janë ata që vendosin, nëse mjaftojnë premtimet për reforma të Athinës. Por thuajse askush nuk ia besoi Merkelit këtë tërheqje në radhë të dytë dhe në Athinë madje askush. Qendrimi, për t’i lidhur ndihmat financiare me kërkesa të rrepta për reforma konsiderohej prej kohësh si gjerman.

Kështu që Merkeli ishte e detyruar të qendronte edhe më tej në fokus dhe prandaj ajo ishte e gatshme deri në fund që të përballonte disa gjëra. Edhe në politikën e brendshme. Shumë i fortë kursi i saj, e akuzuan atë të Majtët, shumë i butë thuhej nga radhët e partive unioniste. Hendeku midis kryetares së CDU-së dhe Grupit të saj Parlamentar nuk mund të mos vihej më re.

Palët ia kanë kthyer unazat njëra-tjetrës

Në këtë kuadër, për Merkelin nuk mund të ketë qenë kaq e pafavorshme, që qeveria greke i ndërpreu negociatat në sekondën e fundit dhe e bëri në këtë mënyrë të panevojshme që të votojë edhe Bundestagu për këtë. Përgjegjësinë tani e kanë përcjellë në Athinë. Merkelit kjo i jep mundësinë për të qenë e pastër me partinë e saj. Sa e nevojshme është kjo, këtë ajo do ta ketë vënë re më e vonta në festën e datëlindjes së CDU-së të hënën e kaluar. Atje, Grupi Parlamentar Unionist brohoriti Ministrin e Financave, Schäuble për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Athinës. Dhe ai nuk e fsheh se ai dhe qeveria e Athinës tashmë ia kanë kthyer unazat njëri-tjetrit.

Kështu që do të varet shumë, si do të përfundojë referendumi grek të dielën. Nëse grekët e ndjekin vullnetin e qeverisë së tyre dhe e refuzojnë programin e dytë, gjithsesi të përfunduar, të ndihmave me kërkesat e tij reformuese, atëherë me siguri nuk do të ketë negociata për kredi të reja. Atëherë do të bëhet fjalë fillimisht për dëmin ekonomik, që i shkakton Evropës falimentimi i zvarritur i Greqisë. Për të cilin bashkëpërgjegjëse është edhe Merkeli.

Të gjitha nga e para

Nëse grekët votojnë me “Po” atëherë vendimtare do të jetë nëse do të japë dorëheqjen qeveria e Alexis Tsiprasit. Nuk është vetëm Wolfgang Schäuble që nuk ka dëshirë të negociojë më. Me partnerë të rinj duhet ngritur një paketë e tretë ndihmash. Një sipërmarrje e vështirë, sepse në atë rast do të veprohet në përputhje me kërkesat e fondit të përhershëm të shpëtimit, ESM. Ai u jep parlamenteve kombëtare, pra edhe Bundestagut të drejta të gjera bashkëvendosëse. Angela Merkeli do të kishte pra shumë më tepër se sot nevojë që partia e saj ta ndjekë pas. Euroja dhe Evropa do të përmenden sërish. Po këtë herë në variantin e ri. Euroja, tani kjo është bashkësia juridike dhe e përgjegjësisë.

Në partitë unioniste fjalët e saj do t’i dëgjojnë me vëmendje. Sepse ato do të implikojnë që Merkeli do të mund ta mbajë derën një gisht hapur për negociata me Greqinë vetëm nëse parashikohet, që ata që do të jenë në pushtet në Greqi, kushdo që të jetë, do t’u përmbahen me të vërtetë këtyre rregullave. Përndryshe kancelarja duhet ta mbyllë derën. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>