Koment: Paniku i arabëve nga Irani

Arabet

Udhëheqësit arabë kanë rënë dakord papritur për krijimin e një trupe për ndërhyrje të përbashkët. Kështu formohet një front i përbashkët kundër epërsisë së Iranit, mendon Loay Mudhoon.

Ajo që tek arabët më të moshuar mund të zgjojë kujtimin e parullave panarabike të kohës postkoloniale në Lindjen e Mesme, të vizionarëve të mëdhenj dhe të ithtarëve të një kombi të përbashkët arab, për brezin e ri tingëllon pak e çuditshme. Fundja realitetet ndërmjet Atlantikut dhe Gjirit duken të zymta. Përçarjet e paarsyeshme dhe rivalitetet destruktive karakterizojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve arabe dhe pengojnë lidhjen e botës arabe.

Megjithatë nga ana thjesht retorike rezultatet e samitit dyditor të Lidhjes Arabe në Sharm el-Sheik të Egjiptit duken shumë ambicioze. Fundja presidentët, mbretërit dhe emirët arabë u morën vesh shumë shpejt për krijimin e një grupi të përbashkët panarabik të ndërhyrjes së shpejtë, për të përballuar kërcënimet aktuale dhe për të mbrojtur sigurinë arabe.

Këto plane ambicioze nuk mund të fshehin faktin se këtu bëhet fjalë thjesht për një memorandum të formuluar në mënyrë të përgjithshme. Sidomos për faktin se pjesëmarrja në aleancën ushtarake është vullnetare dhe nuk është aspak e qartë, se në çfarë kuadri mund të përdorej forca e re ushtarake. Megjithatë duhet theksuar se udhëheqësit arabë kanë demonstruar në fundjavë forcë dhe në radhë të parë unitet dhe vendosmëri.

Frikë nga supremacia iraniano-shiite

Sigurisht që shumë shtete arabe e shohin vetën të detyruar të bashkëpunojnë për shkak të konflikteve të shumta të dhunshme dhe të fenomeneve të shpërbërjes së rajonit. Këtyre i shtohet edhe fakti që forcimi i shpejtë e xhihadistëve të IS në Siri dhe Irak përbën një rrezik ekzistencial për disa shtete të Gjirit, veçanërisht për Arabinë Saudite.

Por në fakt kjo krijesë, që shfaqet si e re, nuk është fillimi i një epoke të re në bashkëpunimin ndërmjet shteteve vëllezër arabë, apo e një rilindjeje të Lidhjes Arabe, e cila prej shumë vitesh konsiderohet si një “tigër letre”, si organizatë e sëmurë pa struktura të dallueshme dhe pa ndonjë rëndësi politike. Ajo është më shumë një reagim i shteteve të Gjirit, të drejtuara nga Arabia Saudite, nga paniku prej triumfit të rebelëve shiitë Huthi në Jemen, të cilët mbështeten nga Irani.

Pas dështimit të politikës saudite në Siri, që kishte për qëllim rrëzimin e regjimit vrastar të Asadit, frika e Riadit nga një supremaci iraniane-shiite në rajon është rritur. Në Irakun pas rrëzimit të Sadamit, Teherani luan gjithsesi një rol të rëndësishëm. Qeveria irakiane mbështetet në ndihmën ushtarake të Iranit. Dhe përmes Hizbollahut Republika Islamike ka në Liban “kalin e Trojës” të fortë për luftë.

Riadi nuk u beson më aleatëve perëndimorë

Në këtë kuadër marrja e pushtetit nga Huthi-t në Jemen përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për monarkinë vahabite. Me forcimin e rebelëve Huthi në oborrin e pasëm të Arabisë Saudite vuloset përfundimisht ngjitja e Iranit si fuqi rajonale. Një marrëveshje e mundshme ndërmjet Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar do të ketë si pasojë që roli i Iranit si fuqi hegjemoniste të pranohet ndërkombëtarisht. Ky rivlerësim strategjik i Iranit do të shkonte paralelisht me zhvlerësimin e Izraelit dhe të Shteteve të Gjirit.

Nga këndvështrimi i elitës përreth mbretit të ri Salman, administrata Obama ka dështuar në frenimin e ekspansionit iranian. Ajo nuk ka ndërhyrë kundër regjimit të Asadit dhe nuk ka ndërmarrë asgjë kundër ndikimit të Iranit. Riadi mendon se nuk mund të mbështetet më te aleatët perëndimorë.

Prandaj nuk është rastësi, që operacioni ushtarak i drejtuar nga sauditët në Jemen përkon me fillimin e fazës vendimtare të bisedimeve bërthamore me Iranin në Lausanne. Dhe nuk është rastësi, që udhëheqësit (sunitë) arabë, të përçarë në mënyrë kronike, janë shprehur për krijimin e një trupe panarabe intervenimi.

Me sa duket nuk është fjala për mbrojtjen e sigurisë arabe dhe të identitetit kolektiv, por për të krijuar një front të përbashkët kundër hegjemonisë iraniane në Lindjen e Mesme. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>