Publikimi i raportit hetimor britanik mbi rastin “Litvinenko” është një goditje e fortë. Megjithatë si nga ana juridike ashtu edhe lidhur me pasojat konkrete politike ai nuk ka shumë efekt, komenton Ingo Mannteufel.
Një koleg i shërbimit sekret rus (FSB) dhe Litvinenko duke folur në një konferencë shtypi më 17 nëntor 1998
Kur në nëntorin e vitit 2006, ish-agjenti i shërbimit sekret rus dhe më vonë kundërshtari i Putinit, Aleksander Litvinenko u asgjësua në Londër me helmim me polonium radioaktiv, menjëherë u përhap në botë dyshimi se ky akt është vepër e zyrave shtetërore në Rusi. Si tregues i rëndësishëm për këtë dyshim ishte shtënia në dorë e poloniumit, një element radioaktiv që nuk e gjejnë dot lehtë njerëzit e thjeshtë. Por edhe sepse para eliminimit të tij në Londër, ish-agjenti rus kishte qëndruar në kontakt me dy të dyshuar rusë, Andrej Lugovoj dhe Dmitrij Kovtun. Që të dy këta persona nuk kanë pranuar se janë fajtor në këtë çështje. Por Lugovoj dhe Kovtun as nuk u morën dot në pyetje në Londër dhe as nuk u akuzuan nga drejtësia e atjeshme. Autoritetet ruse e kanë refuzuar ekstradimin e tyre.
Jo aktkakuzë por raport akuzues
Si rrjedhojë pyetja e drejtpërdrejtë dhe më interesante është se sa i involvuar është shërbimi sekret rus, (Shërbimi Sekret i Federatës Ruse FSB- praktikisht pasuesi i KGB-së, shën.red.) në këtë rast, dhe nëse ish-kreu i FSB-së, Nikolaj Patrushev dhe presidenti rus, Vladimir Putin kanë të bëjnë drejtpërdrejt me vrasjen e Litvinenkos. Autoritetet britanike janë përpjekur të japin një përgjigje në një raport të gjatë hetimor.
Për shkak se deri më tani nuk mund të ngrihej asnjë akuzë, sipas ligjeve britanike raporti hetimor i gjykatësit Robert Owen lejohej t’i prezantohej sot Gjykatës së Lartë të Londrës. Edhe pse ky nuk mund të japë një dënim përfundimtar të vlefshëm juridikisht, konkluzioni i hetimeve të Robert Owen është spektakolar: Sipas tij të dy të dyshuarit, Lugovoj dhe Kovtun jo vetëm që kanë vepruar me urdhër direkt të shërbimit sekret rus, FSB, por gjykatësi Owen në raportin 300 faqësh zbardh më shumë se kaq – duke përmendur me emër, në fakt edhe me kufizimin “ndoshta” – se ish-kreu i FSB-së Patrushev dhe presidenti rus, Vladimir Putin kanë miratuar ndoshta vrasjen e Litvinenkos.
Kjo duhet përfytyruar edhe njëherë: Një gjykatës britanik me prestigj pas disa vitesh hetimi dhe marrjes në pyetje të një duzine dëshimtarësh vjen në përfundimin se presidenti rus “ndoshta” ka dhënë miratimin për vrasjen e një kundërshtari politik. Me këtë ndjehen të konfirmuar të gjithë ata që prej vitesh kritikojnë dhe akuzojnë tiparet kriminale të lidershipit të Kremlinit. Aleksander Litvinenko nuk është i vetmi kritik i Kremlinit që është vrarë në Rusi që pas ardhjes në pushtet të Vladimir Putinit. Një rezultat hetimor më eksploziv vështirë të përfytyrohet.
Pasoja të kufizuara
Pasojat juridike të publikimit të raportit hetimor janë relativisht pa peshë, për sa kohë që të dyshuarit nuk ekstradohen. Edhe për marrëdhëniet britaniko-ruse nuk priten pasoja të rënda. Marrëdhënia mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë është ftohur së tepërmi që pas vrasjes së Litvinenkos para dhjetë vjetësh- Një përkeqësim i mëtejshëm është gati i pamundur. Por në një kontekst më të gjerë politik ky raport ka efektin e vet të fortë: Pasi në hapësirën tonë të re globale të informimit rezultatet hetimore të publikuara paraqesin një dënim faktik të presidentit Putin nga një gjykatë britanike. (dw)