Komisioni Europian vendosi të marrë në shqyrtim ndryshimet e fundit ligjore në Poloni për të verifikuar nëse ato janë në përputhje me shtetin ligjor. Tonet e Varshavës janë të ashpra, por BE kërkon të mbetet në dialog.
Komisioni Europian debaton mbi reformat e kontestuara në Poloni (13.01.2016)
Komisioni Europian e ka seriozisht dhe do të kujdeset që Polonia edhe të në ardhmen të mbetet një shtet i së drejtës. “Ka pasur shqetësime për shkak të disa zhvillimeve të fundit”, deklaroi zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Frans Timmermans pas vendimit të kolegjiumit. Këto zhvillime lidhen para së gjithash me vendimet për Gjykatën Kushtetuese. “Kemi pasur një diskutim themeltar”, thotë Timmermans, por rezultati është i qartë: “Kemi marrë vendimin që të bëhet vlerësimi për mbrojtjen e shtetit ligjor në kuadër të procedurës .”
Vendimi si hapi i parë
Me këtë është vënë në lëvizje një procedurë me tre faza, e sjellë në jetë ndër të tjera nga vetë Frans Timmermans në vitin 2014 kur ishte ministër i Jashtëm i Holandës. Kur ai vëzhgoi se si Brukseli dështoi në procedimin e tij kundër ndërhyrjeve në strukturat e shtetit ligjor në Hungari, Timmermans e kuptoi se Komisioni Europian kishte nevojë për një instrument të tijin. Tani si zëvendëspresident i KE-së ai duhet ta testojë në praktikë këtë mekanizëm.
Së pari Brukseli merr në shqyrtim situatën e Gjykatës Kushtetuese në Poloni-. Qeveria në Varshavë ka marrë hapa që “kanë ndikim në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” dhe ajo nuk i respekton vendimet e kësaj gjykate. Me këtë do të merren tani juristët e BE-së. Në të njëjtën kohë KE thekson se ka shqetësime lidhur me disa ligje për mediat, të cilat e vendosin median publike polake në kontroll të drejtpërdrejtë të qeverisë. Verifikimi që startoi të mërkurën (13.01) është hapi i parë në procedurën tre fazëshe, në fundin e së cilës mund të ketë edhe sanksione, në rastin më të keq humbje e votës së Polonisë në BE.
Ulje e toneve në Bruksel
Ndërkohë që në fillim të vitit përfaqësues nga BE kishin përdorur tone shumë të ashpra ndaj Polonisë -komisioneri Günther Oettinger kishte kërkuar “mbajtjen nën vëzhgim të Polonisë”, tani zëvendëspresidenti i KE-së, Timmermans uli tonet të mërkurën. Ai i ka shkruar një letër qeverisë polake dhe ka kërkuar bisedime për çështjet kritike. Një raund i parë letërkëmbimi provokoi një reagim të ashpër të qeverisë polake. Ministri i Drejtësisë, Ziobro bëri fjalë për “fajësime të pajustifikuara” dhe e lidhi grindjen me “qarqet e majta”.
KE këmbëngul që problemet të zgjidhen me dialog. “Kam vërtet besim që ky mekanizëm do të funksionojë në frymën e bashkëpunimit”, thekson Timmermans. “Qëllimi ynë nuk është të fajësojmë dikë apo të polemizojmë”. Megjithatë konfrontimi me qeverinë nacional-konservatore polake është vënë tani në veprim.
Tone të ashpra nga përfaqësuesit e PiS
“Kjo është e ekzagjeruar”, thotë Kosma Zlotowoski mbi vendimin e BE-së në bisedë me Deutsche Welle. Ai është eurodeputet i partisë “Ligj dhe Drejtësi”. Ajo që shkruajnë gazetat në Gjermani nuk përputhet aspak me atë që po ndodh në Poloni. “Kritika është e pajustifikuar”, sepse çdo vendim merret nga një mazhorancë parlamentare, thotë ai. “Partia jonë ka shumicën absolute, mandatin më të fuqishëm prej 25 vitesh në Poloni”, thotë eurodeputeti polak që e vlerëson vendimin e KE-së si përzierje në punët e brendshme të Polonisë.
Tone të njëjta vijnë edhe nga kryeministrja polake Beata Szydlo të mërkurën në parlametin polak. Duke iu referuar debatit në Parlamentin Europian mbi gjendjen në Poloni javën e ardhshme ajo tha: “Unë nuk do ta zhvilloj gjunjazi politikën tonë të jashtme. Kjo kohë ka marrë fund.” Por mënyra se si do të reagojë ajo ndaj akuzave, do të jetë vendimtare edhe për ballafaqimin e Brukselit me Varshavën në javët e ardhshme. Aty do të tregohet nëse do të arrihet deri tek ujdia e dëshiruar pa sanksione dhe nëse mund zhvillohet vërtet “një dialog mbi shtetin ligjor” me Varshavën.
Kundër “Orbanizimit” të Europës
“Polonia ka gjasa të mos e dëgjojë Komisionin Europian. Arsyeja për këtë është se ajo nuk beson se KE do të bëjë vërtet diçka”, thotë Benjamin Ward, ekspert i Europës Lindore në Human Rights Watch. Eksperti nuk pret që të arrihet deri tek pika e njohur si “opcioni nuklear”, pra heqja e së drejtës së votës Polonisë. Megjithatë ai e vlerëson procesin, me të cilin KE synon të ndalë një vend të BE-së në rast të shkeljes së parimeve të shtetit ligjor.
KE u përball me një mëkat të tillë në 2010-n kur nuk mundi të ndalë Viktor Orbanin, kreun e qeverisë hungareze të dobësojë mekanizmat demokratikë. Qeveria e re në Varshavë e shpreh hapur simpatinë për rrugën hungareze. “Ka ngjashmëri me masat e fundit që dobësojnë para së gjithash Gjykatën Kushtetuese”, thotë Ward. Por nëse hapet një procedim kundër Polonisë duhet të përdoret i njëjti matës edhe për Hungarinë dhe të verifikohet edhe atje gjendja. “Kjo nuk është e lehtë, por nuk ka alternativë tjetër. Mosveprimi e dëmton edhe më shumë besueshmërinë e Europës.” (dw)