Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka paralajmëruar kompanitë amerikane që të mos zhvendosin operacionet e tyre jashtë vendit. Paralajmërimi pason vizitën që zoti Trump bëri në fabrikën në Indiana, të cilës iu ofruan stimuj në këmbim të mbajtjes së vendeve të punës në Amerikë. Për të mësuar më shumë mbi këtë rast, Zëri i Amerikës dërgoi një korrespondent në Meksikë dhe një tjetër në Indiana.
“Kompanitë nuk do të largohen më nga Shtetet e Bashkuara pa pasoja,” thotë Presidenti i zgjedhur Trump.
Ai po mban premtimin që bëri gjatë fushatës. Në Indiana zoti Trump njoftoi se ulja e taksave do të shmangë largimin e 800 vendeve të punës të kompanisë “Carrier” drejt Meksikës. Por marrëveshja me kompaninë “Carrier”, që prodhon sisteme të ajrit të kondicionuar, është një pjesë e vogël e planeve të zotit Trump. Të dielën, përmes një postimi në Tweeter ai kërcënonte për vendosjen e një tarife prej 35 për qind për mallrat që prodhohen jashtë vendit nga kompanitë amerikane.
Në këtë intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, kryetari i bashkisë së Santa Katarinës në Meksikë, ftoi për vizitë presidentin e zgedhur Trump.
“Ne e ftojmë atë të njihet me njerëzit tanë, me cilësinë e qeverisë, infrastrukturës sonë dhe të kapitalit të huaj që kemi.”
Deri tani ai nuk ka marrë përgjigje nga ekipi i zotit Trump.
Uzina e kompanisë “Carrier” ndodhet në një qytet industrial të Meksikës. Nëse një kompani mbyllet, një tjetër hapet, thotë kryebashkiaku i qytetit. Këtu, punëtorët vlerësojnë trajtimin që u bën kompania “Carrier”, por kërkuan që Zëri i Amerikës të mos i identifikojë, meqë nuk janë të autorizuar të flasin për median.
“Kompania paguan për transport, ushqim, bursa dhe arsimimin e punonjësve. Ajo është një nga kompanitë që paguajnë më mirë këtu,” thotë një mekanik.
Ndërsa në Indianapolis, “Carrier” është një kompani tipike amerikane. Brenda uzinës ka familje dhe breza të ndryshëm punonjësish.
“Unë, nëna, vëllai dhe xhaxhai punojmë këtu,” thotë Will Cornett.
Pesë anëtarë të familjes Cornett punojnë në kompaninë “Carrier”.
Will ishte një mbështetës i hershëm zotit Trump. Ai regjistroi një pjesë të një tubimi të fushatës së zotit Trumë këtu në prill të këtij viti.
Zoti Cornett thotë se ai tani do të qëndrojë në Indianapolis.
“Ai na quajti miq të tij të mirë. Miqtë e mbajnë premtimin.”
Por, për 1200 punonjësit e tjerë të cilët do të humbasin vendet e tyre të punës, gjetja e një pune të ngjashme në Indianapolis do të jetë e vështirë. Këtu ata paguhen mesatarisht 23 dollarë në orë.
“Mund të konkurrojmë në çdo nivel, por jo me 3 dollarë në orë pagë që ata u ofrojnë punonjësve në Meksikë.”
Në lidhje me zotin Trump, presidenti sindikatës thotë se më në fund dikush foli për mbajtjen e vendeve të punës në këtë vend, por me çfarë kosto për taksapaguesit? Në lëvizjen e parë para fillimit të mandatit të administratës Trump, “Carrier” do të përfitojë 7 milionë dollarë në formë të uljes së taksave për të mbajtur gjysmën e vendeve të punës këtu. (voa)