Mynihu mburret me dëshirë si “Qytet botëror me zemër” -Nga data 15-17 shkurt Mynihu kthehet në qytet të diplomacisë, si çdo shkurt. Të premten Konferenca e Sigurisë në Mynih e kthen hotelin luksoz, Bayerischer Hof në një lloj asambleje të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Të mbrojtur nga 3.700 policë, të vëzhguar nga 1000 gazetarë nga e gjithë bota, elita ndërkombëtare e politikës së sigurisëtakohet në Mynih për të 53-n herë. Drejtuesi i Konferencës Wolfgang Ischinger thekson se “mes të ftuarve kemi presidentin e Afganistanit, presidetin ukrainas, Poroshenko, atë polak, Duda.” 47 ministra të Jashtëm priten në këtë konferencë, përfshirë ministrin e Jashtëm rus, Lavrov, Boris Johnson nga Britania e Madhe, ministrin e Jashtëm iranian, Zarif, por ashtu edhe ministra të Mbrojtjes nga 30 vende. Nga Shqipëria merr pjesë, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Kosova përfaqësohet në Mynih në nivel të lartë, me presidentin, Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.
Sytë tek SHBA
Në Mynih i kanë drejtuar sytë të gjithë tek SHBA, dhe qeveria e re. Si do të pozicionhet superfuqia perëndimore nën presidentin, Donald Trump. Në Mynih shpresohet të krijohen lidhjet e para. Konferenca e Sigurisë do të jenë skena e parë, ku do të ngjiten anëtarët e rinj të ekipit Trump. Zëvendëspresidenti, Mike Pence do të jetë në Mynih, ministri i Mbrojtjes, James Mattis, ai i Mbrojtes së Atdheut, John Kelly, përveç kësaj në konferencë marrin pjesë edhe senatorë, si republikani John McCain, një nga kritikët më të fortë të Donald Trump.
Kryeredaktorja e revistës gjermane “Politika Ndërkombëtare”, Sylke Tempel e sheh si shenjë të rëndësishme, që SHBA ka dërguar këtë herë në Mynih delegacionin më të madh, shenjë kjo, se i jepet rëndësi shkëmbimit të qëndrimeve me europianët. Politologja mendon, se në Uashington ka një përplasje mes atyre që duan ruajtjen e rendit aktual -ku bën pjesë ministri i Mbrojtjes, Mattis, dhe atyre që duan ndryshime radikale, si Stephen Bannon. Mynihu është një mundësi për të kuptuar se ku jemi, thotë Tempel.
Autokratët në Mynih – Kontrolli që të bën realiteti
Sipas kryeredaktores Sylke Tempel interesante në Mynih është të shohësh, se si “liderë nga shtete autoritare duhet të kalojnë nëpër kontrollin që të bën realiteti.” Kur thuhet, se në botën tuaj, ju mendoni se çdo gjë është në rregull, por ka edhe shqetësime serioze, që nuk janë të parëndësishme, e me këtë, ju duhet të përballeni.”
Konfrontimi i qëndrimeve të ndryshme si në çështjen e Ukrainës pritet të jetë pjesë e konferencës. Ministri i Jashtëm, Lavrov do të ndeshet aty me presidentin ukrainas, Poroshenko. Por tensione mund të ketë edhe të dielën paradite, kur të ngjitet në podium për të dhënë deklarata e përgjigjur pyetjeve, ministri izraelit i Mbrojtjes, Lieberman, ministri i Jashtëm saudit, Al-Juber dhe në fund ai iranian, Zarif. Sipas drejtorit të Institutit Suedez të Paqes (SIPRI), Dan Smith, Lindja e Mesme është një rajon, ku ka pasur ndryshime të mëdha nga konferenca e fundit. “Orientimi strategjik i Lindjes së Mesme ka ndryshuar, së paku për momentin: Rusia ka një rol më të rëndësishëm se më parë, edhe Irani po ashtu. Arabia Saudite ka kaluar dukshëm në defensivë”, analizon Smith për Deutsche Wellen. Ai mendon se “SHBA duhet të marrin disa vendime këtu, se si duhet të reagojnë për këtë, po ashtu edhe europianët, sepse ky rajon është direkt para pragut të tyre.” Pyetja që i intereson ekspertit Smith në këtë konferencë është: Do të angazhohen fuqitë e mëdha për rendin botëror të bazuar në rregullat të caktuara, apo do të dominojnë interesat e veçanta. (dw)