Rregullat e hyrjes në BE për njerëzit e vaksinuar janë të pakuptueshme, sepse çdo shtet anëtar bën të vetën. Nevojë për sqarim ka edhe për Ballkanin.
Çertifikata e vaksinimit e BE që hyri në fuqi zyrtarisht në 1 korrik është një dokument, i cili supozohet se lehtëson udhëtimet brenda BE. Por atë mund ta marrin vetëm njerëz që janë imunizuar me një nga katër vaksinat e miratuara për përdorim në BE.
Kundër këtij vendimi ka protesta nga India dhe Bashkimi Afrikan, sepse në Indi dhe Afrikë kryesisht vaksinohet varianti indian i vaksinës së AstraZeneca me emrin “Covishield”. Në BE, megjithatë, është aprovuar për përdorim nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) vetëm versioni evropian i vaksinës AstraZeneca “Vaxzeria”. Bashkimi Afrikan flet për diskriminim të mundshëm ndaj udhëtarëve afrikanë.
Në Indi, prodhuesi i vaksinës AstraZeneca “Instituti i Serumit i Indisë” angazhohet për një aprovim të shpejtë te EMA. Por kjo është e tepërt.
“Lotari” e vaksinimit për udhëtarët nga vendet e treta
Kushdo që është vaksinuar me “Covishield” jashtë BE mund të hyjë në BE, sepse vendet anëtare të BE mund të njohin çdo vaksinë të miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) si një kusht hyrjeje sipas rregullave në fuqi. Kjo u konfirmua nga zëdhënësi i Komisionit të BE, Adalbert Jahnz, në Bruksel: “Kjo mund të zbatohet për vaksinat e tjera që janë në listën e OBSH”.
Lista e vaksinave të OBSH përfshin jo vetëm katër vaksinat e përdorura në Evropë, por gjithashtu “Covishield” dhe versionin e Koresë së Jugut të vaksinës AstraZeneca të quajtur “SK Bio”. Organizata Botërore e Shëndetësisë gjithashtu njeh “Sinopharm” dhe “Sinovac” nga Kina dhe të gjitha variacionet e vaksinave nga BioNTech-Pfizer, Moderna dhe Janssen (Johnson & Johnson). Këto vaksina mund të futen në çertifikatën e verdhë të vaksinimit të OBSH-së. Sidoqoftë, ato nuk janë të aprovuara për përdorim në të gjithë botën; ato kanë vetëm miratime rajonale.
Çdo gjë është e mundur, asgjë e detyrueshme?
“Ekziston mundësia e marrjes së një çertifikate të vaksinimit të BE për njerëzit nga vendet e treta nëse ata mund të dëshmojnë se janë furnizuar me një vaksinë përkatëse, e cila përmendet në rregulloret për çertifikatën, për shtetin anëtar në të cilin ata udhëtojnë,” thotë Christian Wigand nga Komisioni i BE. 27 shtetet anëtare të BE-së kanë mundësinë e pranimit të vaksinave nga lista e OBSH-së dhe lëshimin e një çertifikate vaksinimi. Mundet ta bëjnë këtë, por nuk janë të detyruar. Kjo rregullore e BE-së është vetëm një rekomandim, jo ligj.
Për udhëtimet hyrëse nga Azia, Amerika e Jugut ose Afrika, nuk kërkohet çertifikatë vaksinimi e BE, por vetëm dëshmi individuale të një vaksinimi në atdhe, me një vaksinë të cilën vendi në të cilin po udhëtoni e njeh. Kështu që mund të ndodhë që një grua indiane me mbrojtje “Covishield” lejohet të hyjë në Qipro, por jo në Gjermani.
Rregulla konfuze
Vetë Komisioni Evropian pranon që këto rregulla janë të vështira për t’u kuptuar dhe se interpretimi nga autoritetet kufitare dhe administratat në vendet anëtare duhet të përmirësohet. Tre komisionerë të BE-së kanë shkruar kështu një letër për të 27 qeveritë, në të cilën paralajmërohet që të bëhet zbatim sa më uniform i “rekomandimeve të hyrjes” dhe më pak veprime të njëanshme.
A janë të prekura edhe vaksinat e tjera?
Grindja për vaksinat nuk ka të bëjë vetëm me AstraZenecan nga India, e cila shpërndahet në mbi 100 vende përmes iniciativës Covax, por edhe me serumin BioNTech Pfizer të zhvilluar në Gjermani.
Disa qytetarë kanadezë ankohen në DW, ndër të tjera, se nuk mund të hyjnë në Gjermani edhe pse janë vaksinuar plotësisht në Kanada me BioNTech-Pfizer. Sipas informacionit nga departamenti konsullor i ambasadës gjermane në Kanada, autoritetet gjermane të vizave aktualisht njohin vetëm emrin e markës “Comirnaty” të përdorur në Evropë për vaksinën BioNTech Pfizer. Në Kanada, megjithatë, vaksina shënohet në çertifikatat e vaksinimit me “Pfizer-BioNTech”. Me sa duket një rrugë burokratike pa krye.
Qytetarët e SHBA nuk preken nga ky problem. SHBA tani ka hyrë në “listën e gjelbër” të BE. Kjo do të thotë se në udhëtimet hyrëse në Evropë, është e nevojshme vetëm një test i thjeshtë negativ PCR për Covid. Një çertifikatë vaksinimi është e mundur, por jo e detyrueshme. Kjo nuk zbatohet në drejtim të kundërt. SHBA i lejojnë edhe shtetasit e vaksinuar të BE vetëm në raste të jashtëzakonshme të hyjnë në SHBA.
Vaksina ruse nuk njihet as nga BE dhe as nga OBSH. Kjo do të thotë se nuk mund të përdoret si provë e imunizimit kur hyni nga një vend i tretë.
Nevojë për sqarim edhe për Ballkanin
Komisioni i BE njoftoi se do t’u përgjigjet sa më shpejt të jetë e mundur të gjitha pyetjeve në lidhje me njohjen e vaksinave në udhëtime. “Ne kemi shumë kërkesa për njohje nga shumë pjesë të botës. Duhet të kontrollojmë se për cilat vende në botë do të jetë e mundur kjo,” tha Christian Wigand nga Komisioni i BE në Bruksel.
Një numër veçanërisht i madh i kërkesave vijnë nga qeveritë në Ballkanin Perëndimor, sepse shumë njerëz në BE kanë lidhje familjare atje. Tani duhet të sigurohet që pas pushimeve verore në Serbi ose në Maqedoninë e Veriut dikush mund të udhëtojë përsëri në BE pa ndonjë problem.
Udhëtimet turistike nga shumica e vendeve në botë për në BE ende nuk lejohen, pavarësisht nëse janë vaksinuar apo jo. BE ka vendosur që këto kufizime duhet të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur, në varësi të zhvillimit të infektimeve në vendet e origjinës.
Britania e Madhe, nga ana tjetër, e cila nuk është më pjesë e BE, po ndjek një rrugë tjetër. Njerëzit e vaksinuar duhet të paraqesin një test negativ dhe të kalojnë në karantinë, pavarësisht nga vaksina që kanë bërë.
dw