Kontrollet kufitare “të domosdoshme për arsye sigurie”

Gjermania ka rivendosur kontrolle në kufijtë e saj. Pikërëndesa është fillimisht Austria, tha Ministri i Brendshëm gjerman. Ai kërkoi kthim në një proces të rregullt.

kontrolle gjermaniRitmet e ardhjes së qindra-mijëra refugjatëve bënë që Gjermania të rivendosë kontrolle në kufijtë e saj. Pikërëndesë është fillimisht kufiri me Austrinë, tha të dielën (13.09) para shtypit Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere. “Neve na duhet thjesht pak më shumë kohë dhe njëfarë rregulli në kufijtë tanë”. “Kjo është e nevojshme urgjentisht edhe për arsye sigurie”, tha ai.

Ai pranoi se kontrollet në kufi nuk do t’i zgjidhin të gjitha problemet. Prandaj ka rëndësi angazhimi në rajonet e krizës. Duhet penguar që refugjatët të nisen, kërkoi Ministri i Brendshëm gjerman. Autoritetet gjermane shpresojnë se me kontrollet në kufijtë gjermanë do të ngadalësohet vërshimi akut i refugjatëve drejt Gjermanisë.

De Maiziere tha se në bazë të rregullave evropiane në fuqi, Gjermania nuk është përgjegjëse për pjesën më të madhe të refugjatëve që vijnë në kufijtë e saj. Gjermania është vërtet e gatshme të respektojë detyrime humanitare, por gatishmëria e jashtëzakonshme e njerëzve për ndihmë nuk duhet shpërdoruar, tha ai.

Hyrje vetëm me dokumente në Gjermani

Ministri i Brendshëm Gjerman tha se shtetet anëtare të BE, ku refugjatët hyjnë për herë të parë, jo vetëm duhet t’i regjistrojnë ata, por të kryejnë edhe procedurat e azilit. Edhe azilkërkuesit duhet të pranojnë, se nuk mund ta zgjedhin vendin ku shkojnë.

Hyrja në Gjermani këtej e tutje do të jetë e mundur vetëm me dokumente të vlefshme udhëtimi – kontrollet në kufi fillimisht nuk janë të kufizuara në kohë. Të gjithë policët e federatës kanë kaluar në gjendje alarmi. Policia Federale i ka dërguar të gjithë policët në dispozicion në Bavari, për të mbyllur kufijtë.

Kontrollet nisën menjëherë në vendkalimet e mëparshme kufitare, bëri të ditur Ministria Federale e Punëve të Brendshme. Policia Federale do të angazhohet me një “numër katërshifror” punonjësish në kufi, angazhimi i Bundeswehrit, ushtrisë gjermane, atje nuk është planifikuar.

Ndërpritet qarkullimi i trenave me Austrinë

Rreth orës 17 u ndalua qarkullimi i trenave me Austrinë. Më parë landi i Bavarisë kishte kërkuar mbështetje nga Policia Federale për të kontrolluar gjendjen. Kryeministri i Bavarisë, kryetari i CSU-së, Horst Seehofer e quajti këtë vendim urgjentisht të nevojshëm. Kjo masë u mor me dëshirën e Bavarisë, në një telefonatë midis Kancelares Angela Merkel (CDU), kryetarit të Partisë Socialdemokrate (SPD), Sigmar Gabriel dhe tij, duke përfshirë edhe ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm, tha Seehofer pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të kabinetit në Bavari. Vetëm në Mynih që prej fundit të gushtit janë pritur dhe furnizuar mbi 60.000 refugjatë.

“Arrihen kufijtë e ngarkesës”

Më parë qenë shtuar zërat që paralajmëronin për mbingarkimin e Gjermanisë nga vazhdimi i pandërprerë i valës së refugjatëve. Zëvendëskancelari socialdemokrat, Sigmar Gabriel i tha gazetës “Tagesspiegel” se nuk është në radhë të parë numri i refugjatëve, që u shkakton probleme landeve dhe komunave, por para së gjithash ritmi, me të cilin ata vijnë në Gjermani.

Orbani tregon mirëkuptim

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e përshëndeti shprehimisht deklaratën e qeverisë gjermane për të rivendosur përkohësisht kontrolle në kufij. “Ne kemi mirëkuptim të madh për vendimin e Gjermanisë dhe deklarojmë solidaritetin tonë të plotë”, i tha Orban numrit të së hënës (14.09) të gazetës “Bild”.

Edhe ministri i Brendshëm i Çekisë, Milan Chovanec i tha të dielën TV CT24 se “policia çeke do t’i forcojë kontrollet në kufi me Austrinë”. Masa të tjera do të merren në varësi të numrit të refugjatëve. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>