Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se bota është “në prag të një dështimi moral katastrofik” për shpërndarjen e pabarabartë të vaksinave për COVID-19.
Duke folur në një takim të bordit ekzekutiv të OBSH-së të hënën në Gjenevë, Drejtori Ekzekutiv Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se nuk është “e drejtë që më të rinjtë dhe më të shëndetshmit në vendet e pasura të vaksinohen para punonjësve shëndetësorë dhe të moshuarve në vendet e varfëra”.
“Më shumë se 39 milion doza vaksinash janë injektuar tani në të paktën 49 vende me të ardhura më të larta. Vetëm 25 doza janë dhënë në një nga vendet me të ardhura më të ulëta, – jo 25 milion, jo 25,000 – vetëm 25,” tha ai.
Zoti Tedros tha nëse vendet e pasura nuk i ndajnë vaksinat COVID-19 me vendet e varfra, “ky dështim do të paguhet me jetë dhe mjete jetese.”
Ai tha që në fund të fundit, një “qasje egoiste” në shpërndarjen e vaksinave “vetëm do të zgjasë pandeminë.”
Po të hënën, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Presidenti amerikan Donald Trump kishte hequr ndalimet e lidhura me koronavirusin për udhëtimin për shumicën e qytetarëve joamerikanë nga pjesa më e madhe e Evropës dhe Brazilit, duke filluar nga 26 Janari.
“Ky veprim është mënyra më e mirë për të vazhduar mbrojtjen e amerikanëve nga COVID-19 ndërsa lejon udhëtimet të rifillojnë në mënyrë të sigurt”, tha zoti Trump në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Sidoqoftë, sekretarja e shtypit e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, Jen Psaki, u përgjigj disa minuta më vonë në Twitter, duke thënë: “Me këshillën e ekipit tonë mjekësor, administrata nuk ka ndërmend të heqë këto kufizime më 26 janar. Përkundrazi ne planifikojmë të forcojmë masat e shëndetit publik rreth udhëtimeve ndërkombëtare në mënyrë që të ndalim përhapjen e COVID-19-ës. ”
Udhëzimet e reja nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, që hyjnë në fuqi më 26 janar, do të kërkojnë që të gjithë pasagjerët që hyjnë në SHBA nga ajri, të kenë një test negativ për COVID-19 përpara se të hipin në avion.
Po të hënën, një panel i pavarur që rishikon trajtimin global të pandemisë COVID-19 kritikoi si Organizatën Botërore të Shëndetësisë ashtu edhe Kinën për reagimin e tyre ndaj virusit.
Paneli i ekspertëve i udhëhequr nga ish-kryeministrja e Zelandës së Re Helen Clark dhe ish-presidentja liberiane Ellen Johnson Sirleaf thanë në një raport se OBSH-ja duhet të kishte shpallur një emergjencë ndërkombëtare më shpejt sesa 30 janari.
Komisioni gjithashtu tha se Kina mund të kishte zbatuar masat e shëndetit publik më me forcë në janar. Paneli do të paraqesë raportin e tij përfundimtar në maj.
Kryeministri japonez Yoshihide Suga u zotua se do të vazhdonte me përgatitjet për të mbajtur Lojërat Olimpike të Tokios këtë verë, megjithë një rritje të infeksioneve të koronavirusit në vend.
“Ne do të vazhdojmë me përgatitjet, me vendosmërinë e marrjes së masave të sigurta kundër infeksionit dhe mbajtjen e një aktiviteti të sjellë shpresë dhe guxim në botë,” tha Suga në një fjalim në Parlament.
Një rritje e fundit e rasteve në Japoni ka detyruar qeverinë të mbyllë kufijtë për të huajt jorezidentë dhe të shpallë një gjendje të jashtëzakonshme në kryeqytetin, Tokio.
Sondazhet e fundit në media në Japoni tregojnë rreth 80% e publikut japonez mendojnë që Lojërat Olimpike nuk do të mbahen ose nuk duhet të mbahen këtë vit.
Olimpiadat e Tokios janë shtyrë një herë për shkak të pandemisë, pasi ishin planifikuar fillimisht për verën e vitit 2020.
Në Republikën Çeke, zyrtarët e shëndetësisë thonë se varianti i koronavirusit me përhapje të shpejtë i identifikuar për herë të parë në Britani është zbuluar në vend. Ministri i Shëndetësisë Jan Blatny tha se varianti përbën rreth 10% të kampionëve të testuar.
Disa variante të koronavirusit janë zbuluar në të gjithë botën, duke përfshirë ato të identifikuara për herë të parë në Britani, Afrikën e Jugut dhe Brazil.
Zyrtarët e shëndetësisë në Bruksel thonë se varianti i parë i zbuluar në Britani ka filluar të përhapet në Belgjikë pas më shumë rasteve të raportuara atje.
Në Zvicër, autoritetet kanë vendosur dy hotele në qytetin e vendpushimit të skive në St. Moritz nën karantinë dhe urdhëruan që të gjithë klientët të testohen për koronavirusin pasi një person u testua pozitiv për variantin e koronavirusit të identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut.
Në Itali, zyrtarët raportuan se numri i infeksioneve ditore të vendit ra të hënën nën 10,000. Zyrtarët konfirmuan 8,825 raste të reja.
Zyrtarët francezë të shëndetësisë filluan një fushatë të hënën për të vaksinuar njerëz mbi 75 vjeç. Ata thonë se më shumë se gjysmë milioni persona janë regjistruar për të marrë të parën nga dy dozat e vaksinës deri në mes të shkurtit.
Zyrtarët kinezë të hënën regjistruan më shumë se 100 raste të reja për të gjashtën ditë radhazi. Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se më shumë se 29 milion kinezë tani janë nën bllokim të rreptë për të kontrolluar përhapjen e virusit.
Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga COVID-19 kaloi 398,000, sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins, shifra më e lartë në botë.
Brazili dhe India pasojnë Shtetet e Bashkuara në vdekjet me COVID-19 me përkatësisht më shumë se 209,000 dhe 152,000.
Brazili miratoi dy vaksina për përdorim urgjent kundër koronavirusit të dielën ndërsa disa nga spitalet e tij u përballën me mungesë oksigjeni.
voa