Kritikohet vendimi për angazhimin e NATO-s në Egje

Anijet e NATO-s duhet të ndihmojnë në parandalimin e ardhjes së refugjatëve në Evropë. Ato duhet të veprojnë në mënyrë indirekte, por kjo ka shkaktuar kritika të mëdha.

Anije NatoPara sqarimit të misionit të ardhshëm të NATO-s, vendimi për dërgimin e anijeve për të penguar refugjatët që të kalojnë nga Turqia në Greqi ka shkaktuar kritika të shumta. Vendimin e ka kritikuar në Gjermani madje edhe vet partia CDU. Politikani i CDU-së, Norbert Röttgen, deklaroi për gazetën “Die Welt”: “Tema e refugjatëve është një detyrë, të cilën Evropa duhet ta zgjidhë me instrumentat institucionalë.” Röttgen mendon se sigurimi i kufijve të jashtëm është detyrë e policisë dhe jo e forcave ushtarake.

Edhe opozitarët gjermanë janë kundër këtyre planeve të konkretizuara në samitin e ministrave të mbrojtjes. Ekspertja ekologjiste për sigurinë, Agnieszka Brugger tha për “Neuen Osnabrücker Zeitung”: “Do të ishte rrugë absolutisht e gabuar që ndalimi i refugjatëve në Mesdhe të shpallet detyrë e NATO-s.” Brugger foli për “një kurs cinik pritjeje dhe frikësimi” kundër refugjatëve. Për kryetaren e grupit parlamrentar të partisw “E Majta”, Sahra Wagenknecht, ky vendim është një përpjekje për të shmangur ardhjen e refugjatëve në Evropë.

Turqia “do të pranojë të shpëtuarit”

Në NATO thuhet se anijet e aleancës nuk do t’i ndalojnë apo t’i fundosin anijet me refugjatë në rrugën drejt ujdhesave greke. Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen thotë se qëllimi është që të ndihmohet lufta kundër “rrjeteve kriminale të kontrabandistëve”. Një njësi e NATO-s do të duhej që konkretisht të shikojë gjendjen dhe të informojë rojet kufitare në Turqi dhe Greqi si dhe Agjencinë evropiane për Mbrojtje Kufitare, Frontex.

Mbi bazën e këtyre informacioneve rojet turke duhet të parandalojnë nisjen e anijeve me refugjatë. Kështu NATO do të ndihmonte në mënyrë indirekte që refugjatët të mos kalojnë në Evropë. Sipas von der Leyen, detyrë parësore e këtij misioni nuk është as shpëtimi i anijeve të rrezikuara. Anijet e NATO-s natyrisht që do t’i shpëjtojnë anijet në rrezik, por ato do të kthehen në Turqi. Ministrja thotë se për këtë ekziston një marrëveshje me Truqinë.

Aleanca po shkurton të drejtat e refugjatëve

Günter Burkhardt, drejtues i organizatës për refugjatë, Pro Asyl, thotë se NATO nuk ka ndonjë mandat për të vepruar kundër kontrabandistëve. “Refugjatët shpallen kështu si një kërcënim nga i cili duhet të mbrohemi ushtarakisht”, thotë Burkhardt, për agjencinë AFP. Edhe nëse vet anijet e NATO-s nuk i ndalojnë ata, por u japin informacione autoriteteve turke, ky është një bashkëveprim në shkurtimin e të drejtave të refugjatëve, që të kalojnë në Evropë dhe të kërkojnë mbrojtje.

NATO mund ta nisë këtë mision shumë shpejt. Një prej pesë anijeve ekzistuese, anija gjermane me emrin “Bonn”, gjendet në ujërat e Qipros dhe brenda pak ditësh mund të kalojë në ujrat territoriale mes Turqisë dhe Greqisë. Megjithë këto kritika, ministrja von der Leyen mendon se mandati i Bundestagut për një mision të tillë është i panevojshëm.

NATO nuk mund ta zgjidhë problemin e BE me refugjatët

NATO do të luajë vetëm një rol të vogël në Egje, sepse ajo nuk mund ta zgjidhë problemin e BE me refugjatët, pohon Judy Dempsey, nga organizata Carnegie Europe. “NATO do të kishte mundur të bënte shumë më parë më shumë. Por me mjete civile dhe jo ushtarake”, thotë ai. Kr ra tërmeti në Afganistan NATO dëshmoi kapacietet për ndihma emergjence. Aleanca ka mundur të ndihmojë kështu edhe në territorin e Turqisë. Edhe këtu mund të ishte vendosur bashkëpunimi i BE me NATO-n, po të ekzistonte vullneti i mirë.

Ministri i Jashtëm gjerman i kundërshton ata që thonë se vendet e NATO-s e kanë për qëllim që kështu të ulin numrin e refugjatëve që kalojnë në Evropë. Frank-Walter Steinmeier pohon se NATO nuk ka për qëllim të luajë rolin e koordinatorit në çështjen e refugjatëve dhe migrantëve. Edhe ambasadori i SHBA në NATO, Douglas Lute i hedh poshtë kritikas të tilla duke thënë se NATO nuk do të shndërrohet në instrument të politikës evropiane për migrantët. Lute thotë se përgjegjësia kryesore për zgjidhjen e këtij problemi mbetet tek BE-ja. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>