Shkruan: Mardo Soghom, drejtor rajonal i REL-it për Azinë jugperëndimore. [Opinionet e tij nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e REL-it]
Më në fund, një arab i pasur ka dalë me një ofertë të madhe të ndihmës për refugjatët e Lindjes së Mesme.
Naguib Sawiris, miliarder egjiptian, ka shkruar në Twitter, më 1 shtator, se është i gatshëm të blejë një ishull nga Greqia ose Italia për të strehuar migrantët.
Ai, madje, ka sugjeruar se ishulli mund të bëhet një shtet i ri, me emrin “Shpresa”. Por, ka thënë po ashtu se ai mund të shërbejë edhe përkohësisht derisa migrantët të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.
Reagimi në mediat sociale për ofertën bujare të tij ka qenë kryesisht pozitiv. Në fund të fundit, kush do të kritikonte një qytetar të suksesshëm të botës për gatishmërinë e tij për të bërë atë që shumica e qeverive ngurrojnë ta bëjnë?
Por, në mediat sociale ose në qarqet diplomatike është bërë pak një pyetje më e rëndësishme: ku kanë qenë shtetet e pasura arabe gjatë katër vjetëve të fundit, kur lufta në Siri është tërbuar dhe miliona refugjatë kanë ikur në vendet fqinje?
Vendet e vetme arabe që kanë pranuar refugjatë sirianë, janë Jordania dhe Libani, dy ekonomi të dobëta me mjete shumë të kufizuara. Për të qenë më të saktë, vendet e pasura arabe kanë dërguar ca ndihmë për refugjatët në Turqi, Jordani dhe Liban, por nuk është ofruar asnjë plan i madh që do të bënte ndryshime serioze.
Konsideroni mjetet financiare në dispozicion të pesë vendeve të pasura arabe: Arabisë Saudite, Kuvajtit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit dhe Bahrejnit!
GDP-ja e tyre e bashkuar është rreth 2 trilionë dollarë në vit, ndërsa popullsia e tyre është nën 55 milionë banorë. Kjo do të thotë se të ardhurat vjetore për kokë banori në vendin më të varfër të këtij grupi, Bahrejn, janë mbi 21,000 dollarë, ndërsa në vendin më të pasur, Katar, mbi 90,000 dollarë.
Nuk është vështirë të imagjinohet se çfarë do të bënte 5 përqind e GDB-së së tyre vjetore, që do të thotë rreth 100 miliardë dollarë, për të shmangur më të keqen e krizës.
Vendet arabe do të mund të ofronin streha të sigurta, të financuara mirë, në hapësirat e mëdha të tokës që kontrollojnë. Po ashtu do të mund të ofronin stimuj të mëdhenj financiarë për vendet e tjera që presin refugjatë.
Por, me sa duket, pritjet kanë qenë të vogla qysh në fillim. Për një sirian, irakian, libanez ose qytetar të ndonjë vendi tjetër mesatar arab, është gati e pamundshme që të marrë edhe vizë të përkohshme nga ndonjëri prej këtyre vendeve të pasura. Njëjtë ose më keq është situata me lejet e punës.
Megjithatë, shumë njerëz janë të përgatitur për të kritikuar vendet perëndimore për mosofrimin e strehave të sigurta për refugjatët e Lindjes së Mesme.
Pasi mijëra sirianë dhe migrantë të tjerë kanë vërshuar Austrinë, është interesant krahasimi i këtij vendi me Emiratet e Bashkuara Arabe për shkak të popullsisë së ngjashme (rreth 10 milionë) dhe GDP-së (të dyja mbi 400 miliardë dollarë).
Të ardhurat për kokë banori janë po ashtu të përafërta – 50,000 dollarë në Austri dhe 43,000 në Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë, asnjë vend i pasur arab nuk ka lejuar refugjatët sirianë të kalojnë kufijtë e tyre.
Lënë mënjanë politikat qeveritare, është po ashtu interesant të shihet reagimi i popullsisë ndaj kësaj drame.
Derisa shumë OJQ dhe një numër i madh i perëndimorëve u kanë bërë thirrje qeverive të tyre që të veprojnë për të ndihmuar ose pranuar refugjatët, përgjigjja publike ka qenë shumë më e heshtur në vendet e pasura arabe.
Atje nuk është raportuar për protesta, për t’iu bërë presion qeverive që të pranojnë refugjatë ose të gjejnë zgjidhje tjetër.
Një pjesë e shpjegimit mund të qëndrojë në frikën që vendet e tilla kanë sa i përket migrimit të arabëve “të tjerë” në tokat e tyre. Ato janë përpjekur me xhelozi që të ruajnë pasurinë e tyre nga dobësimi i mundshëm.
Ato po ashtu kanë shfaqur shqetësim për paqëndrueshmërinë e mundshme politike, nëse arabët e vendeve të tjera arrijnë dhe fundosin popullsinë e tyre relativisht të vogël.
Punëtorët indianë ose pakistanezë do të mbeten gjithmonë të huaj për shkak të dallimeve në gjuhë me arabët, por migrantët arabë flasin të njëjtën gjuhë dhe mund të komunikojnë dhe ndikojnë popullatën lokale, sidomos në shoqëritë e paqëndrueshme si Arabia Saudite.
Edhe nëse kuptohen të gjitha këto shqetësime, mbetet mister se përse pesë vendet me të ardhura të bashkuara kombëtare në vlerë prej 2 trilionë dollarësh, nuk kanë ofruar ndihmë të besueshme për të zgjidhur krizën aktuale me refugjatë.
Për më tepër, të gjitha ato, më shumë ose më pak, direkt ose jodirekt, kanë qenë të përfshira në luftën civile të Sirisë, duke inkurajuar ose armatosur grupe të ndryshme. (rel)