Nga pushtimi deri tek afrimi me regjimin e Asadit. Ankaraja ka filluar të manovrojë në politikën e saj ndaj Sirisë.
Katër orë negociuan presidenti turk Erdogan dhe ai rus, Putin në fillim të muajit në Sotçi. Në fund nuk pati as konferencë shtypi dhe as një deklaratë të përbashkët, që të linte të kuptoje, se Moska dhe Ankaraja në çështjet e rëndësishme nuk janë të një mendimi. Erdogna u takua me Putinin për të marrë dritën jeshile për operacionin ushtarak turk në veri të Sirisë të paralajmëruar që në maj të këtij viti, por kjo dritë nuk u ndez.
Ka qenë hera e dytë në pak javë që presidenti turk është përpjekur të marrë mbështetje diplomatike për planet e pushtimit të Sirisë veriore, po pa sukses.Nuk luan rol parësor në llogarinë e Erdoganit, që SHBA apo ministrja e Jashtme gjermane e kanë paralajmëruar me fjalë të qarta presidentin turk. Më shumë efekt ka pasur refuzimi i qartë që iu bë presidentit turk në samitin tresh me Putinin dhe presidentin iranian muajin e kaluar në Teheran.
Me iniciativë të Moskës, Irani, Turqia dhe Rusia zhvillojnë takime konsultuese në grupin që njihet si grupi i Astanasë. Secili në koalicionin tresh që është i angazhuar me trupa në luftën e përgjakshme në Siri ndjek qëllimin të përfundojë lufta civile në Siri me përmbushjen e interesave të veta. Të përbashkëtat e treshes janë të kufizuara: Irani dhe Rusia janë mbështetësit kryesorë të regjimit të Asadit. Politika zyrtare e Ankarasë ka synimin e rrëzimit të Asadit. Erdogani dështoi edhe në Teheran me synimin, që të merrte miratimin ose të paktën tolerimin për politikën e tij ushtarake në Siri. Në dokumentin përfundimtar, Irani, Turqia e Rusia përforcuan “besimin e tyre për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin e Republikës Arabe të Sirisë.” Ky formulim nuk pajtohet me prezencën e vazhdueshme ushtarake të Erdoganit në Sirinë veriore dhe akoma më pak me planet e Erdoganit për sulme të reja.
Aktualisht po shtohen sinjalet, se Putini po punon në drejtim të korrigjimit të kursit të politikës turke në Siri. Sipas njoftimeve të disa mediave që përputhen me njëra-tjetrën, bëhet fjalë që Erdogan të dorëzojë kursin e tij konfrontues me regjimin e Asadit dhe të shkojë drejt një kompromisi. Kjo do të ishte një arritje e madhe për regjimin jolegjitim dhe të izoluar prej vitesh në shkallë ndërkombëtare. Në botën arabe janë shtuar madje zërat për të hequr dorë nga bojkotimi i regjimit të Asadit. Në krye Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusia.
Kthesë e Turqisë?
Të bien në sy edhe deklaratat e ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu. Ai bëri fjalë javën e kaluar para një publiku ndërkombëtar për një takim të para disa muajve me ministrin e Jashtëm të Asadit. Sipas të dhënave të Cavusoglu, ai i ka thënë ministrit të Asadit: “Ne duhet në një farë mënyre të gjejmë një kompromis mes opozitës dhe regjimit në Siri”, ndryshe nuk do të ketë paqe të qëndrueshme. Është herët që nga kaq pak fjalë të konkludosh se kemi të bëjmë me një kthesë të fortë të Turqisë në politikën ndaj Asadit. Por deklaratat e Cavusoglu të lenë të kuptosh, se në botën e diplomacisë ndodhin gjëra, që mbeten të paditura për publikun.
Një kompromis mes Ankarasë dhe Damaskut kërkon që të dyja palët të bëjnë ndryshime të forta të kursit të tyre. Për regjimin e Asadit tërheqja e trupave turke nga veriu i Sirisë dhe dhënia fund e mbështetjes për organizatat paramilitare dhe ushtarake është një kusht i patjetërsueshëm. Ankaraja nga ana e saj kërkon shkrirjen e strukturave autonome të mbështetura nga grupet kurde në verilindje të Sirisë si edhe hapjen e rajoneve kufitare për të vendosur në mënyrë masive refugjatët sirianë nga Turqia.
Lufta në varësi të politikës së brendshme?
Politika e Ankarasë ndaj Sirisë përcaktohet edhe nga politika e brendshme. Asnjë temë tjetër nuk mobilizon kaq shpejt masat sa lufta kundër milicëve kurdë përtej kufijve. Demoskopët kanë llogaritur se një operacion ushtarak në Siri i sjell Erdoganit e partisë së tij tre deri në katër pikë më shumë tek votuesit.
Fushata zgjedhore në Turqi është futur në fazën e nxehtë. Tema e refugjatëve sirianë është një temë e preferuar, sidomos për opozitën. Turqia ka pranuar rreth 4 milionë sirianë, për shumë prej tyre Turqia është tani një atdhe i dytë. Por mikpritja e popullsisë ka arritur limitet e saj, për shkak të gjendjes ekonomike janë shtuar zërat, që refugjatët të kthehen andej nga vijnë.
Kthimi i refugjatëve sirianë është pjesë e rëndësishme e politikës së Erdoganit. Ata do të kthehen “vullnetarisht” dhe të organizuar, sipas tij. Por shumë të prekur nuk i besojnë këtyre premtimeve dhe askush nuk ka motiv të kthehet në një vend në luftë civile. Aktualisht Turqia po bën përgatitje të ethshme për vendndodhjen e refugjatëve sirianë në rajonet veriore kufitare të Sirisë. Në një fazë të parë, bëri të ditur ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, duhet që të zhvendosen 64.000 refugjatë. Mediat turke bëjnë fjalë për 1 milionë vetë që do të zhvendosen me projektin pilot.
Në maj presidenti Erdogan bëri të ditur për herë të parë operacionin e pushtimit në Sirinë veriore. Për shkak të luftës në Ukrainë, krizës së Tajvanit, konflikti me Sirinë ka kaluar në plan të dytë të vëmendjes ndërkombëtare. Por kjo mund të ndryshojë shpejt, nëse Erdogan do të mbërrijë në përfundimin, që një luftë e re e ndihmon më shumë se e dëmton politikisht.
Dr Ronald Meinardus është drejtues i Programit të Mesdheut në Institutin e Athinës, ELIAMEP.