Ku është Pranvera Afrikane?

Janë bërë pesë vjet që nga “Pranvera arabe”. Arsye për të festuar nuk ka, sepse Tunizia është e vetmja shpresë. Por shpirti i revolucionit ka infektuar edhe vendet e tjera në Afrikë.

ushtar afrikeNë Tunizi gjithçka filloi më 17 dhjetor 2010: tregtari i ri i perimeve Mohammed Bouazizi djeg veten në qytetin e vogël Sidi Bouzid, pasojnë protestat e para masive kundër pushtetarit Ben Ali. Rezistenca e kryengritja infektojnë edhe vendet fqinje, qytetarët heqin qafe diktaturat e Muammar al-Gaddafit në Libi dhe Hosni Mubarakut në Egjipt.

Edhe në jug të kontinentit kjo ndiqet me vëmendje, me skepticizëm, pasiguri, por edhe me shumë admirim. Megjithatë për një kohë të gjatë nuk ndodh asgjë. Pastaj në verën e vitit 2014 një lëvizje masive paqësore, kryesisht e popullsisë së re në moshë në Burkina Faso e detyron sundimtarin Blaise Compaoré të japë dorëheqjent. Pas 27 vjetësh në pushtet ai dëshironte të siguronte një mandat të ri duke ndryshuar kushtetutën. Për shkak të protestave Compaoré u arratis në vendin fqinj në Bregun e Fildishtë. Pas zgjedhjeve në fund të nëntorit shpresat për një fazë të gjatë demokracie janë të mëdha.

Modeli Burkina Faso

Nryshimi radikal në Burkina Faso ishte revolucioni i parë në Afrikë në jug të Saharës, diçka e ngjashme me fillimin e “Pranverës Afrikane”. Paralelet me Arabelionin (Pranverën Arabe) nuk mund të kalojnë pa u vënë re. “Në Burkina Faso grupe të shumta të shoqërisë civile kanë ndjekur me vemendje se si mund të arrihet, që në një vend, i cili nuk e kishte njohur kurrë demokracinë, të sigurohet më shumë pjesëmarrje“, thotë politologu Robert Kappel i institutit GIGA në Hamburg. Përsëri këtu mediat sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm. “Kështu u organizuan mbledhje të vogla“, thotë Kappel. Në këtë mënyrë janë krijuar hapësira të reja, që kanë nxjerrë në rrugë demonstruesit e rinj. Ata kanë mësuar edhe nga opozitarët burkinas, që jetojnë në Francë. Madje nga opozitarët kinezë, që jetojnë në Francë është marrë shembull: Nga këta të fundit, se si shmanget censura në internet dhe në mediat sociale.

Pranvera Arabe në vitin 2011 shkaktoi “një lloj euforie te aktivistët në të gjithë kontinentin”. Madje në Zimbabve, ku Robert Mugabe qeveris prej gati 30 vjetësh me dhunë, Arabelioni ka lënë gjurmët e veta, mendon Na’eem Jeena, drejtor i institutit kërkimor afrikanojugor AfroMiddle East Centre. Tani të paktën ekziston ndjesia, se njerëzit mund të arrijnë diçka me protestat masive në rrugë, edhe pse opozitarët dhe aktivistët në Zimbabve kanë qenë deri tani të pasuksesshëm në rezistencën e tyre. Edhe në Sudan pati protesta në vitin 2012, edhe pse jo të atilla si në vendin fqinj Egjipt. Sudanezët dolën në rrugë për herë të parë për shkak të varfërisë dhe mjerimit ekonomik. Presidenti Omar al-Bashir reagoi ashpër: Policët përdorën shkopinjtë e gomës dhe gazin lotsjellës, opozitarët u arrestuan, protesta u shtyp.

Kriza libiane destabilizon rajonin

Në vendet e origjinës së Arabelionit nuk ndjehet më asgjë nga zgjimi demokratik: Në fakt Tunizia ka bërë përparime të mëdha, por pjesa tjetër e rajonit është e dërmuar. Në Egjipt presidenti ushtarak Al Sisi shtyp opozitën, në Libi po bëhet një luftë e madhe për pushtet dhe nga kaosi përfitojnë edhe terroristët e „Shtetit Islamik“. Ky destabilizim ka infektuar fqinjët jugorë. Me shpërbërjen e Libisë armët dhe luftëtarët islamikë kanë depërtuar edhe në Mali, kur rebelët tuareg luftojnë prej shumë vitesh për një shtet të vetin.“Këtu është shfrytëzuar dobësia e qeverisë nga grupimet terroriste, për të zmadhuar fushëveprimin për krijimin e njeështeti islamik”, analizon eksperti për Afrikën Robert Kappel. Kjo betejë është ende larg përfundimit.

Pranvera Arabe në këndvështrime lokale

Në Afrikën e Jugut nuk bëhet fjalë për ndryshimin e madh, por edhe këtu Arabelioni është i dukshëm. “Ne këtu flasim herë pas here për pranverën afrikanojugore“, thotë Na’eem Jeena. Në lagjet e varfëra periferike, ku banorët prej vitesh demonstrojnë kundër mungesës së strehimit, furnizimit të keq me energji dhe kundër papunësisë, është ringjallur sërish fryma e dikurshme luftarake e protestave masive të fundit të viteve 80-të kundër regjimit të aparteidit. Si në protestat e mijëra studentëve në mbarë vendin kundër tarifave për shkollimin këtë vit. “Besoj se këto ndjenja të besimit dhe të protestës, që kanë lindur në Afrikën e Veriut, kanë infektuar në këto pesë vite pjesë të tjera të kontinentit afrikan. “Kudo njerëzit flasin për „versionet e tyre lokale“ të Pranverës Arabe. Ky besim i thellë në fuqinë e qytetarëve do të sjellë edhe në të ardhmen ndryshime. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>