Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të publikuar në qershor, grupi i militantëve talebanë arrinte të siguronte nga 300 milionë deri në 1.6 miliardë dollarë në vit, kryesisht përmes aktiviteteve kriminale. Zëri i Amerikës sjell një analizë të këtij raporti për të kuptuar më shumë detaje rreth mënyrës se si talebanët sigurojnë paratë e tyre.
Para se talebanët të merrnin pushtetin në Afganistan, ata kishin grumbulluar një burim të rëndësishëm – para.
Ndërsa është e pamundur të dihet me saktësi se sa para kanë mbledhur, është e qartë se militantët kishin për qëllim të krijonin pavarësi financiare.
Një raport i Kombeve të Bashkuara në qershor vlerëson se grupi militant grumbullonte 300 milionë deri 1.6 miliardë dollarë në vit.
Por nga erdhën këto para?
Pjesa më e madhe e tyre vjen nga aktivitetet kriminale, përfshirë prodhimin e opiumit dhe trafikun e drogës, si dhe përmes rrëmbimit të pengjeve e shkëmbimit të tyre për para.
Sipas këtij raporti, vetëm trafiku i drogës u siguroi talebanëve 460 milionë dollarë. Mbledhja e taksave në zonat që ata kontrollonin ishte një burim tjetër i të ardhurave.
Taksat ditore të mbledhura nga një pikë kontrolli mes qyteteve Pul-e Khumri dhe Mazar-e-Sharif vlerësohen të konsidueshme. Talebanët gjithashtu shtuan operacionet në minierat e zonave që kontrollonin, duke fituar 464 milionë dollarë vitin e kaluar.
Edhe më shumë para kanë siguruar nga donacionet e mbështetësve të pasur dhe një rrjet fondacionesh bamirëse joqeveritare.
Burime tjera financimi janë qeveritë e huaja.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë prej vitesh se talebanët kanë marrë para, armë dhe trajnime nga Rusia. Analistët thonë se militantët morën para edhe nga Pakistani dhe në një shkallë më të vogël nga Irani.
Tani që talebanët kontrollojnë Afganistanin, ata kanë mundësi të mbledhin edhe më shumë para, përmes qasjes në llogaritë e qeverisë dhe taksave federale. Sidoqoftë, ata gjithashtu duhet të përballojnë kostot e drejtimit të një qeverie.
Qeveria afgane shpenzoi 11 miliardë dollarë më 2018.
80 për qind e tyre erdhën nga ndihmat e huaja. Disa donatorë njoftuan se do të ndalojnë dërgimin e ndihmës, të paktën për momentin.
Ekonomistët paralajmërojnë se mungesa e dollarëve amerikanë mund të shkaktojë rënie të vlerës së monedhës afgane dhe rritje të inflacionit.
Talebanët po përballen gjithashtu me një ekonomi ndryshe nga ajo që udhëhohqën nga viti 1996 deri më 2001. Prodhimi i Brendshëm Bruto në vend pothuajse është pesëfishuar ndërsa ekonomia është urbanizuar.
voa