Zyrtarët e sigurisë së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara po përgatisin publikun amerikan për një lloj të ri të skenarit më të keq për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit – një vërshim dezinformimesh në orët menjëherë pas mbylljes së votimeve, duke hedhur dyshime mbi rezultatet dhe vetë procesin, ndërsa votuesit do të jenë në pritje të mësojnë se kush do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme.
Zyrtarët paralajmërojnë se sulmet e mundshme do të jenë të përhapura dhe të projektuara për t’i bërë amerikanët dyshues për çdo informacion që marrin, madje edhe nga burime normalisht të besueshme.
“Aktorët e huaj dhe kriminelët kibernetikë mund të krijojnë faqe të reja në internet, të ndryshojnë faqet elektronike ekzistuese dhe të krijojnë ose ndajnë përmbajtje korresponduese të mediave sociale për të përhapur informacion të rremë”, paralajmëroi Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit Kibernetik (CISA) përmes një njoftimi të lëshuar të martën vonë.
“FBI dhe CISA nxisin publikun amerikan të vlerësojë në mënyrë kritike burimet e informacionit që ata konsumojnë dhe të kërkojnë informacione të besueshme dhe të verifikuara nga burime të besuara, të tilla si zyrtarët e zgjedhjeve shtetërore dhe lokale,” thuhet në njoftim. “Publiku duhet të jetë i vetëdijshëm se nëse aktorët e huaj ose kriminelët në internet do të ishin në gjendje të ndryshonin me sukses një faqe elektronike të lidhur me zgjedhjet, të dhënat themelore dhe sistemet e brendshme do të mbeteshin të pakompromentuara.”
Shqetësimet nuk janë të reja. Për muaj me radhë, zyrtarët e sigurisë së zgjedhjeve federale dhe shtetërore janë përpjekur të përgatisin votuesit, duke u thënë atyre se për shkak të një rritjeje të pritshme të fletëvotimeve me postë për shkak të pandemisë së koronavirusit, mund të kalojnë disa ditë para se të shpallet fituesi i zgjedhjeve presidenciale .
Zyrtarët amerikanë të kundërzbulimit kanë paralajmëruar gjithashtu muajt e fundit se vende si Kina, Rusia dhe Irani, si dhe aktorë të tjerë kibernetikë, kanë kryer operacione ndikimi për të “minuar besimin e popullit amerikan në procesin demokratik të SHBA”.
Por paralajmërimi i ri i FBI-së dhe CISA-s shkon më tej, duke dhënë hollësi se si kundërshtarët mund të përpiqen të mashtrojnë publikun amerikan në internet dhe përmes mediave sociale.
Bllokimi i valës së dezinformimit ndërsa zgjedhjet po afrojnë mund të jetë një sfidë e vështirë.
Megjithatë, disa zyrtarë zgjedhorë shohin arsye për shpresë, bazuar në vullnetin që kanë treguar kompanitë e mediave sociale për t’u takuar me ta gjatë disa muajve të fundit për të folur se si mund të shmangen fushatat e dezinformimit. Disa nga këto përpjekje po japin rezultat.
Të martën, Facebook-u hoqi më shumë se 150 llogari, faqe dhe grupe të lidhura me Kinën, disa prej të cilave kishin në shënjestër zgjedhjet amerikane.
Facebook-u dhe Twitter-i gjithashtu kanë njoftuar heqjen e llogarive të lidhura me Agjencinë ruse të Kërkimit në Internet, që merret me dezinformimin online.
Në fillim të këtij muaji, firma Microsoft doli publikisht me informacionin se si hakerat e lidhur me Kinën, Rusinë dhe Iranin kishin vënë aktivisht në shënjestër fushatat e Presidentit Donald Trump dhe rivalit të tij kryesor, Joe Biden.
Disa ekspertë shqetësohen se kjo mund të mos jetë e mjaftueshme.
“Shumë nga platformat kryesore online kanë vendosur të tregohen shumë më aktive,” thotë Emily Fry, drejtoreshë për Integrimin Kibernetik në Korporatën MITRE.
Disa zyrtarë shtetërorë janë po aq të shqetësuar se a do të jenë të aftë një fushatë dezinformuese të përmasave të mëdha.
“Unë shqetësohem për dy ditët e fundit dhe për ditën e zgjedhjeve,” thotë Sekretarja e Shtetit e Pensilvanisë, Kathy Boockvar.
CISA dhe zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve po marrin masa, duke u përpjekur të imunizojnë votuesit ndaj valës së pritshme të dezinformimit, duke i nxitur ata të përgatiten, të marrin pjesë në zgjedhje dhe, veçanërisht, të jenë të durueshëm.
“Ndoshta do të duhet pak më shumë kohë për të bërë numërimin për shkak të rritjes së numrit të fletëvotimeve me postë”, tha Drejtori i CISA-s Christopher Krebs javën e kaluar në Samitin e Sigurisë Kibernetike në Billington. “Kini pak durim. Demokracia nuk është krijuar brenda një dite.”
Shqetësimet nuk janë të reja. Për muaj me radhë, zyrtarët e sigurimit të zgjedhjeve federale dhe shtetërore janë përpjekur të përgatisin votuesit, duke u thënë atyre se për shkak të një rritje të pritshme të përdorimit të fletëvotimeve me postë për shkak të pandemisë së koronavirusit, mund të kalojnë disa ditë para se të shpallet fituesi i zgjedhjeve presidenciale .
voa