Anijet luftarake ruse bombarduan objektiva në afërsi të qytetit Odesa të mërkurën në mëngjes, ndoshta si pjesë taktike në përgatitje të një sulmi ndaj qytetit port.
Por disa strategë ushtarakë thonë se forcat ruse po mbajnë me vështirësi territoret që kanë kapur dhe kanë pësuar goditje serioze në përleshje të ashpra gjetkë, çfarë ka gjasa të vonojë një sulm mbi qytetin Odesa.
Ministria e Mbrojtjes së Britanisë, në njoftimet e saj të përditshëm mbi zhvillimet e betejës, tha se forcat ruse po përpiqen të kapërcejnë sfidat që paraqet terreni i Ukrainës dhe se njësitë ruse po ngurrojnë të dalin jashtë rrugëve automobilistike për të vepruar.
Britania thotë se forcat ukrainase kanë hedhur në erë ura duke penguar avacimin rus.
“Taktika e ushtrisë ukrainase ka shfrytëzuar me mjeshtëri mungesën e manovrimit të Rusisë, duke penguar përparimin rus dhe duke shkaktuar humbje të mëdha tek forcat pushtuese”, njofton Ministria e Mbrojtjes së Britanisë.
Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak shkroi të mërkurën në rrjetin Twitter se një seri kundërsulmesh në “disa zona operacionale” kishin ndryshuar “avantazhet e palëve ndërluftuese”.
Oleksiy Arestovych, një ndihmës tjetër i Presidentit Volodymyr Zelenskyy, tha se kundërsulmet ukrainase në shkallë të vogël nënkuptojnë se forcat ruse nuk kanë arritur të spastrojnë “vatrat kryesore” rreth Kievit dhe kanë pak shanse që ta bëjnë, pasi “Rusisë po i mbarojnë burimet e saj”.
Dy të tretat e raketave ruse po godasin ndërtesat dhe infrastrukturën civile, tha zoti Arestovych në një video-konferencë.
Autoritetet ukrainase thanë se forcat ruse vazhduan bombardimet intensive në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, dhe fshatrat përreth.
Një bllok apartamentesh shumëkatëshe u bombardua në sulmin e fundit në kryeqytetin Kiev të mërkurën, duke shkatërruar katin e fundit dhe shkaktuar zjarre.
Raportohet për dy viktima, por nuk ka konfirmime nëse janë vrarë apo plagosur. Autoritetet ukrainase thonë se deri më tani Rusia ka shkatërruar 3,500 ndërtesa gjatë luftës 21 ditore, përfshirë më shumë se 200 shkolla.
Ushtria ukrainase pretendon se 13,800 ushtarë rusë janë vrarë ose kapur që nga fillimi i sulmit rus më 24 shkurt. Zyrtarët thonë se kanë shkatërruar ose nxjerrë jashtë funksionimi 430 tanke dhe 1375 automjete të blinduara. Pretendimet e Ukrainës nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Një gjeneral i katërt rus, 47-vjeçari Oleg Mityaev, komandant i divizionit të 150 të Rusisë, thuhet se është vrarë. Kievi tha se komandanti Mityaev, i cili kishte luftuar në Siri, u vra pranë qytetit Mariupol dhe publikoi një foto ku tregohet trupi i pa jetë. Moska nuk e ka konfirmuar vdekjen.
Nëse pretendimi është i saktë, ai do të ishte gjenerali i katërt rus i vrarë dhe oficeri i 13-të që nga fillimi i ofensivës ruse me 24 shkurt.
Mes gjeneralëve të tjerë të vrarë janë: Gjeneralmajor Andrei Kolesnikov, komandant i Ushtrisë së Kombinuar të 29-të; Gjeneralmajor Vitaly Gerasimov, zëvendëskomandant i ushtrisë së 41-të të Rusisë, një tjetër veteran i luftës në Siri, si dhe Gjeneralmajor Andrei Sukhovetsky, i cili thuhet se u vra nga një snajper.
Po ashtu janë varër katër kolonelë rusë. Një gjeneral çeçen, Magomed Tushaev, është raportuar si i vrarë nga Kievi në një pritë pranë zonës Hostomel, pranë kryeqytetit ukrainas, ku janë zhvilluar disa nga luftimet më të ashpra tokësore që nga ndërhyrja ruse.
Analistët ushtarakë sugjerojnë se numri i madh i vrasjeve të oficerëve të lartë është për shkak se atyre u është dashur të lëvizin më pranë vijave të frontit për të zgjidhur problemet logjistike të furnizimit dhe për të nxitur avancimin e trupave tokësore.
Moska thotë se vetëm 498 ushtarë rusë janë vrarë dhe 1,597 janë plagosur, shifra të datës 2 mars që nuk janë përditsuar më pas.
Zyrtarë perëndimorë të mbrojtjes kanë vlerësime më të ulëta se ato të ofruara nga Ukraina lidhur me numrin e ushtarëve të vrarë rus. Ata përllogarisin se mund të jenë vrarë rreth 6,000 rusë, shifër e ngjashme me personelin ushtarak amerikan të vrarë në Afganistan dhe Irak gjatë dy dekada luftërash.
Zëdhënësit e ushtrisë ruse kanë një pikëpamje të ndryshme për gjendjen e betejës, duke thënë se forcat e saj kanë rrëzuar gjatë 24 orëve të fundit dy avionë luftarakë ukrainas SU-25 dhe një avion luftarak MiG-29, si dhe katër dronë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Igor Konashenkov, tha gjithashtu të mërkurën se forcat ruse shkatërruan 128 objekte ushtarake ukrainase një ditë më parë.
Vëzhgues dhe strategë të pavarur ushtarakë pajtohen me vlerësimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë, duke thënë se forcat ukrainase me armatime dhe personel më të vogël ia kanë dalë që të pengojnë forcën pushtuese ruse, kryesisht në veri dhe lindje të Ukrainës.
“Putini e ka zënë veten mat, forcat e tij të blinduara nuk mund të futen në Kiev pa pësuar disfata të mëdha, dhe jashtë saj nuk mund t’u shpëtojnë sulmeve me dronë dhe raketa anti-tank”, shkroi në rrjetin Twitter Edward Luttwak, një strateg ushtarak amerikan i njohur.
Forcat ruse kanë bërë më shumë përparim në jug të Ukrainës, por nuk kanë mundur të nënshtrojnë qytetin e vogël portual të Mariupolit, i cili për ditë të tëra ka qenë i rrethuar dhe pa ujë, furnizime ushqimore dhe energji elektrike.
Po ashtu avancimi rus drejt Odesës ka ngecur si rezultat i një mbrotje të ashpër nga forcat ukrainase të qytetit Mykolayiv, 120 kilometra në lindje të Odesës, ku ukrainasit arritën të rimarrin aeroportin lokal disa ditë më parë.
Zyrtarë ushtarakë ukrainas dhe perëndimorë mendojnë se Rusia po planifikon të sulmojë qytetin Odesa dhe anijet luftarake ruse janë mbledhur pranë brigjeve, thonë ata. Një alternativë për rusët do të ishte të anashkalonin qytetin Mykolayiv dhe të realizonin një zbarkim amfib.
Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, tha javën e kaluar se ishte planifikuar një sulm nga deti ndaj qytetit Odesa, por ishte braktisur për shkak të kushteve të këqija të motit. Odesa është përgatitur për një sulm rus, duke fortifikuar rrugët për luftime dhe duke vendosur mina në bregdet.
voa