Që nga viti 2013, qarkullon emri i lëvizjes, qëllimi i së cilës është themelimi i një shteti fundamentalist sipas ligjit islamik. Në fakt ata janë aktivë prej vitesh. Në forcimin e tyre duket se faj ka edhe Perëndimi.
Menjëherë pasi dolën lajmet e para mbi sulmet në Paris, militantët e „Shtetit Islamik në Irak dhe Siri“ (ISIS) e festuan aktin terrorist në rrjetet sociale, e festuan atë si sukses të tyre. Mëngjesin e së shtunës (14.11), ISIS deklaroi me shkrim autorsinë e vet për sulmet. Edhe pse kjo shkresë nuk është verifikuar ende, askush nuk e vë në dyshim vërtetësinë e saj. Disa ekspertë ndërkohë nuk flasin më për një organizatë, por më shumë për një lëvizje social-politike me struktura shtetërore. „Fushat, në të cilat luan ISIS, shkojnë përtej përdorimit të dhunës“, kështu Christoph Günther, studiues i islamit në Universitetin e Leipzig-ut.
Nisi në Irak
Në verën e 2013-ës, kur lufta në Siri ziente tashmë që prej dy vitesh dhe Perëndimi ende nuk po vendoste dot nëse do të ndërhynte, raportimet nga organizata të ndryshme të të drejtave të njeriut mbi vrasjet dhe masakrat e ushtarëve të ISIS-it shtoheshin: Njerëzit vriteshin në gjumë ose qëlloheshin pa asnjë shkak. Që prej një viti e gjysmë, ISIS po e mban të gjithë botën me frymën pezull, të paktën që pas publikimit të videove të ndryshme, në të cilat dokumentoheshin ekzekutimet e gazetarëve, veprimtarëve humanitarë dhe luftëtarëve kundërshtarë. Një thikë, kombinoshe portokalli, një xhelat me theks britanik e nganjëherë edhe francez: Me anë të ekzekutimeve përpara kameras së ndezur, Shteti Islamik shfrytëzon mediat edhe në mënyrë brutale.
Ekstremistët veprojnë në fakt që prej më shumë se dhjetë vitesh në rajon, sepse Shteti Islamik u krijua nga një degë e grupit terrorist Al-Kaida në Irak: Kur amerikanët marshuan në Irak në vitin 2003, ata rrëzuan diktatorin Saddam Hussein dhe i dëbuan të gjithë militantët e tij sunitë nga shërbimi publik – që nga garda republikane e deri tek shërbimi sekret. Shumë prej tyre u arrestuan dhe qëndruan në burg. Qindra-mijëra irakenë sunitë – mes tyre gjeneralë, oficerë, ushtarë dhe nëpunës – u lanë mënjanë. „Nëse nuk do të kishin ndodhur këto zhvillime pas ndërhyrjes ushtarake të SHBA, nuk do të kishte ekzistuar ISIS-i“, thotë Günter Meyer i Qendrës për Studimin e Botës Arabe në Universitetin e Mainz-it.
Përfitimet nga lufta në Siri
Si kundërvënie ndaj trupave amerikane, disa ish-militantë të Hussein-it u grupuan. Nën Abu Musab al-Sarkawi-n u themelua „Al-Qaida në Irak“ (AQI). Vendi po kthehej gjithnjë e më shumë në një magnet për xhihadistët, të cilët pas vrasjes së Al-Sarkawi-s e ndryshuan emrin në „Shteti Islamik në Irak“ (ISI).
Në fillim të vitit 2013, ISIS shfrytëzoi vakuumin e pushtetit në Siri, zgjeroi shtrirjen e saj dhe ndryshoi emrin në „Shteti Islamik në Irak dhe Siri (ISIS)“. U ndërprenë lidhjet me milicinë më të suksesshme deri atëherë në Siri të „Al-Qaida“-s, me frontin Al-Nusra. Kjo ia mohoi mbështetjen Abu Bakr al-Baghdadi-t, i cili këtu kishte marrë komandon. Deri tani vetëm pak dihet mbi burrin, i cili deri në lindjen e tij quhej ende Ibrahim al-Badri. Dihet vetëm që ai është rritur në Bagdad dhe që rrjedh nga një familje e varfër. Sot ai, së bashku me ushtrinë e tij, po punon për ngritjen e një kalifati – mundësisht në Siri, Irak, Liban dhe Palestinë. Në fund të vitit 2013, terroristët vendosen në provincën verilindore Rakka. Prej këtu zunë fill fushatat e tyre. .
Marrja e pushtetit në Mosul
„Rasti i Mosulit në qershor të 2014-ës ka qenë ora e lindjes së ekspansionit të milicisë terroriste“, kështu shprehet eksperti i Lindjes së Mesme Meyer në një bisedë me DW. Mosul, një qytet në veri të Irakut, mbahej si vendi ku u strehuan shumica e militantëve të vjetër të Saddam Hussein-it. Kur ISIS mori kontrollin, atij iu bashkuan menjëherë ish-gjeneralë sunitë me kualifikim të lartë dhe luftëtarë, të cilët donin të hakmerreshin ndaj politikës së diskriminimit të kryeministrit shiit, Nuri al-Maliki, asokohe në fuqi. Përveç kësaj ISIS sulmoi Bankën Qendrore me seli në Mosul dhe grabiti shuma parash prej milionash. Në 2014-ën, milicia terroriste bëri përpara në drejtim të Bagdatit, ngase ushtria irakiane e atjeshme, e frikësuar nga ISIS-i, kishte dezertuar, duke lënë pas teknologjinë dhe armët më moderne. Al-Baghadadi i shpalli zonat e pushtuara Kalifat, milicinë e quajti IS (Shtet Islamik) dhe hoqi të gjithë kufijtë mes vendeve për të dhe militantët e tij. Në bazë të legjislacionit ai vendosi Sherihatin, besimtarët e feve të tjera si kristianët ose jezidët vriten ose kthehen në skllevër. „Ne kemi të bëjmë me lëvizjen e një grupi kryengritësish me qëllimin e qartë të pushtimit të një territori“, thotë eksperti Günter Meyer. „Shpallja e një kalifati ka jehonë pozitive të madhe në të gjithë botën islame.“
Vendgrumbullim për myslimanët radikalë nga e gjithë bota
Të rinj myslimanë dhe të konvertuar nga e gjithë Evropa kanë shkuar në Siri dhe Irak, për të luftuar përkrah ISIS-it. Sipas të dhënave të ekspertëve, edhe disa qindra, duhet të ketë edhe luftëtarë nga Gjermania. Se çfarë bëjnë ata atje konkretisht, nëse marrin pjesë në veprime luftarake të vërteta, është relativisht e paqartë. 50.000 burra duhet të jenë duke luftuar në front për ISIS-in. „Këto janë myslimanë të bindur, të cilët duan të mbrojnë vëllezërit e tyre muslimanë të këtushëm në luftën kundër shiitëve. Militantët e ISIS-it joshen edhe nga pagesa e majme“, thotë Günter Meyer.
Sepse ISIS-i ka zaptuar një numër të madh fushash të pasura me naftë dhe gaz gjatë fushatave të tij në muajt e kaluar, ai shet pajisje lufte të zëna pre, mbledh tatime doganore dhe taksa, zhvat para në këmbim të mbrojtjes dhe lirimit të pengjeve. Kështu ndërkohë ai mund të vetëfinancohet dhe nuk është i varur nga mbështetja e arabëve të pasur të Gjirit Persik. Sipas vlerësimeve të ndryshme, ISIS-i nxjerr rreth 1-3 milionë Euro në ditë.
Përparimi duhet ndalur – por si?
Falë mjeteve të veta financiare, ISIS-is mund ta sigurojë pa asnjë problem furnizimin e vet me armë përmes Turqisë dhe Libanit dhe, për ekspertët, ai është një fuqi ushtarake që duhet marrë seriozisht. Por milicia terroriste u pengua të zgjeronte pushtimin e vet edhe në vende të tjera. Për këtë rol kanë luajtur disa faktorë: Armatimi i luftëtarëve kurdë të Peshmergas në Irakun e Veriut nga ana e Perëndimit, po kështu edhe e Gjermanisë, lufta e luftëtarëve kurdë të PYD-së, Partisë së Unionit Demokratik, në veriperëndim të Sirisë si edhe Aleanca e shteteve arabe rreth SHBA, e cila prej muajsh bombardon pozicionet luftarake të ISIS-it dhe e cila e ka prekur ndjeshëm ISIS-in.
Christoph Günther, studiues i islamit në Universitetin e Leipzig-ut, sidoqoftë nuk beson se, në këndvështrimin afatgjatë, „Shteti Islamik“ mund të mundet vetëm ushtarakisht. Me sulmet ajrore dhe forma të tjera goditjesh ushtarake, islamistët mund të mbahen brenda një territori të kufizuar, por ideologjia nuk mënjanohet në këtë mënyrë.
Ashtu si edhe ekspertët e tjerë, edhe ai mendon se vetëm sunitët e moderuar të rajonit mund ta mundin një herë e mirë ISIS-in. „Shumica absolute e njerëzve atje është kundër „Shtetit Islamik“ dhe kundër këtij radikaliteti“, thotë Udo Steinbach, drejtor i “Governance Center Middle East/North Africa” pranë Humboldt-Viadrina School of Governance në Berlin. „Nëse ata bashkohen dhe së bashku organizohen më mirë ushtarakisht, atëherë shumë shpejt do të shohim, se si kjo organizatë do të mundet ushtarakisht.“ (dw/Nastassja Shtrauchler / Diana Hodali)