Kush qëndron pas përpjekjes për puç?

funerali turqiFunerali i një të vrari gjatë kaosit në Turqi.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe ata që e rrethojnë atë kanë fajësuar një “shtet në hije” për grushtshtetin e dështuar në Turqi.

Nëse kjo gjuhë e koduar mund të jetë konfuze për njerëzit jashtë Turqisë, ajo i dedikohet liderit fetar turk, Fethullah Gulen, 75 vjeç, i cili jeton në mërgim në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara.

Menjëherë pasi zyrtarët turq i janë referuar “shtetit në hije”, Gulen ka mohuar çdo përfshirje në përpjekjen për puç.

“Si dikush që ka vuajtur nën grushtshtete të shumta ushtarake, gjatë pesë dekadave të kaluara, është fyese të akuzohesh për një përpjekje të tillë”, ka thënë Gulen.

“I mohoj kategorikisht akuzat e tilla”, ka shtuar ai.

Por, kush është Fethullah Gulen dhe përse Erdogani e fajëson atë?

Gulen, i cili jeton në mërgim në SHBA qysh në vitin 1999, ka qenë dikur aleat i Erdoganit, i cili ka ndihmuar Partinë e tij për Drejtësi dhe Zhvillim të vijë në pushtet më 2002. Megjithatë, dy aleatët janë prishur shpejt për shkak të, siç mendohet, çështjeve të ndarjes së pushtetit dhe stilit autoritar të Erdoganit. Në muajin maj, lëvizja e Gulenit, Hizmet, është shpallur organizatë terrroriste në Turqi.

Një teolog, i cili u bë i njohur si udhëheqës i faljes së Xhumasë në xhaminë kryesore të Izmirit, në fund të viteve 1960, Gulen ka shkuar vullnetarisht në mërgim më 1999, pasi është akuzuar për përpjekje për të minuar statusin laik të shtetit.

Akuzat kundër tij janë hedhur poshtë më vonë, por ai ka mbetur në SHBA, ku jeton si lider i një prej organizatave më të mëdha civile, me bazë islame. Lëvizja e tij Hizmet besohet se ka miliona ndjekës dhe sponsorizon rreth 1,000 qendra shkollore, që ndihmojnë nxënësit e shkollave të mesme të përgatiten për provime universitare në 150 vende.

Lëvizja Hizmet, në përgjithësi, konsiderohet si ithtare e një forme të moderuar të Islamit. Por, nga disa qeveri shihet edhe si kërcënim.

Qendrat e saj shkollore financohen nga biznesmenë dhe studentët shpesh vijnë nga familje të varfra. Kritikët thonë se ata bëhen lehtë rekrutë për një lëvizje, e cila nuk ka strukturë formale ndërkombëtare dhe as lista zyrtare të anëtarëve. Anëtarët thjesht thonë se punojnë në aleancë, pasi janë të frymëzuar nga mesazhet e Gulenit për shërbim publik.

Në Azinë Qendrore, shkollat e Gulenit janë mirëpritur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, më 1991. Por, më vonë, ato janë hequr nga duart e tij pas akuzave të qeverive të rajonit se këto shkolla nxisin aktivizëm islamik.

Megjithatë, lëvizja Hizmet nuk sulmohet askund tjetër më shumë se në Turqi. Qeveria e Erdoganit vazhdimisht i akuzon mbështetësit e Gulenit se bëjnë përpjekje të shfrytëzojnë pozicionet e tyre brenda institucioneve shtetërore turke për të minuar qeverinë dhe për të uzurpuar pushtetin.

Erdogan, më herët, ka akuzuar lëvizjen e Gulenit se qëndron prapa disa përpjekjeve për të lëkundur administratën e tij, e veçmas gjatë një hetimi të policisë, më 2013, për një skandal korrupsioni, i cili ka implikuar disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Erdoganit. Skandali është përqendruar në akuzat se zyrtarët kanë pasuruar veten, duke përdorur fondet e shtetit për të blerë dhe futur ar në Iran, me qëllim që t’i ndihmohet këtij vendi të mbijetojë barrën e sanksioneve ndërkombëtare, për shkak të programit të tij bërthamor.

Pas këtij skandali, qeveria ka shkarkuar shumë prokurorë dhe zyrtarë të lartë, të përfshirë në hetimet për korrupsion. Erdogani i ka thënë publikut se spastrimi ka qenë i nevojshëm për të mbrojtur Turqinë nga “forcat e errëta” që synojnë ta shkatërrojnë atë.

Erdogan, vitin e kaluar, po ashtu ka arritur të marrë kontrollin e shkollave të Gulenit në Turqi, duke vënë në krye të tyre besnikë të qeverisë.

Pas përpjekjes së dështuar për grushtshtet, ka shumë gjasa që Erdogan të shtojë përpjekjet e tij për të shkatërruar lëvizjen e Gulenit brenda vendit. (rel / Charles Recknagel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>