Katari del nga OPEC-u. Vendimi është marrë për arsye ekonomike, por në situatën e politikës së jashtme që ndodhet ky emirat, vendimi është mjaft delikat.
Pas 57 vjetësh Katari i jep fund antarësisë në Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), deklaroi të hënën (03.12) ministri i Energjetikës Saad al-Katabi. Ky vend ia ka komunikuar OPEC-ut vendimin e vet dhe dalja do të bëhet në janar të vitit të ardhshëm. Me këtë Katari i jep fund antarësisë, që e ka nisur në vitin 1961, një vit pas themelimit të kësaj organizate.
Katari është një vend shumë i vogël anëtar i OPEC-ut, argumentoi vendimin ministri al-Katabi. “Investimi i përpjekjeve dhe i kapaciteteve në një organizatë, në të cilën ne nuk na dëgjohet fjala, nuk mund të funksionojë”, tha ministri. “Ndaj është më mirë, që ne të përqendrohemi tek kapitali ynë i madh i zhvillimit.” Me këtë ai ka parasysh tregun e gazit.
Tërheqja nga OPEC-u pasqyron dëshirën e Katarit për t’u përqendruar tek rritja e prodhimit të gazit, citon sipërmarrja Katar Petroleum më tej ministrin e Energjetikës. Sipas Al-Katabi Katari do ta rrisë nxjerrjen e gazit deri në vitin 2024 nga 77 milionë tona ktualisht në 110 milionë ton në vit. Gazi vjen nga fusha South-Pars para brigjeve të këtij emirati, fusha më e madhe e gazit në botë. Katari, prodhuesi më i madh i gazit (LPG) në botë, është duke e shfrytëzuar këtë fushë bashkë me Iranin. Qysh tani rreth 30% e LPG në tregun botëror vjen nga Katari.
Gazi tregu i së ardhmes
Përqendrimi në këtë treg duhet të ketë luajtur një rol të madh në marrjen e vendimit, mendon Thomas Richter, ekspert për shtetet e Gjirist Persiknë think-tank-un GIGA në Hamburg. “Katari është tani prodhuesi më i madh i LPG në mbarë botën. Kuptohet që është e logjikshme për të investuar më tej në këtë drejtim”, thotë Richter për DW.
Kjo ka të bëjë edhe me faktin se Katari krahasuar me vendet e tjera të OPEC-ut – si Arabia Saudite – prodhon sasi më të vogla nafte. Së fundi prodhimi ka qenë rreth 600.000 fuçi në ditë. Ndërkohë që Arabia Saudite nxjerr njëmbëdhjetë milionë në ditë.
“Në sfondin e kësaj situate ky është një proces thuajse i natyrshëm”, thotë Richter. “Prodhimi i naftës nuk është më kaq i rëndësishëm për Katarin. Po ashtu tregu i gazit vitin e kaluar pjesërisht u shkëput prej tregut të naftës. Edhe për këtë arsye Katari ka edhe më pak interes tashmë në politikën e OPEC-ut.”
Sfondi politik
Motivet ekonomike duhet të kenë luajtur rol qenësor në marrjen e vendimit. Megjithatë ky vendim për daljen nga kjo organizatë ka ndodhur në sfondin e përkeqësimit të marrëdhënieve të atarit me disa nga vendet fqinjë, veçanërisht me Arabinë Saudite.
Në qershor 2017 mbreti saudit bashkë me Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjiptin vendosi një bojkot ekonomik ndaj Katarit. Qeveria në Riad akuzoi Dohan, se po i ruan marrëdhëniet e ngushta me rivalin saudit, Iranin. Po ashtu Katari ka afërsi me Vëllazërinë Myslimane. Arabia Saudite e konsideron këtë Vëllazëri të afërt me organizata terroriste. Po ashtu Katari duhet ta mbyllë televizionin e sukseshëm ndërkombëtar të lajmeve Al-Jazeera. Orientimi i tij nuk i pëlqen mbretësisë së al Saudëve. Por Doha e ka hedhur poshtë këtë si dhe të tjera kërkesa të Riadit.
Që dalja nga OPEC-u të paktën pjesërisht ka qenë edhe një reagim ndaj bojkotit, këtë e pat lënë të nënkuptohet një vit më parë në një intervistë për Al-Jazeera ministri i Energjetikës al-Katabi, i cili e ka ripubikuar atë në faqen e tij të internetit. Prej vitesh është punuar për një marrëdhënie në mirëbesim me katër vendet. “Tani brenda natës kjo është shkatërruar”, thotë në intervistë al-Katabi. Por kjo nuk do ta stepë Katarin. “Këto vende nuk mund të na pengojnë ne në bizneset ndërkombëtare. Ata mund të bëjnë gjëra të vogla, por mednoj, se afatgjatë me këtë do të dëmtojnë më shumë vetveten se sa ne.”
Sinjal në adresë të SHBA-së?
Pra politika duhet të ketë luajtur rol në vendimin e fundit, mendon Thomas Richter. Parimisht konstelacionet politike në rajonin e Gjirit Persik nuk do të ndryshojnë. Ndonëse Katari mban marrëdhënie të mira me Iranin, sikurse e dokumenton edhe menaxhimi i përbashkët i fushës së gazit. Ky vend ka marërdhënie të mria edhe me Turqinë, që aktualisht për shkak të vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në Stamboll, ka një raport të vështirë me Arabinë Saudite. “Por ta quash këtë si një aleancë mes tre vendeve, mendoj, se është shumë.” Rezultati i këtij afrimi është i hapur. Po ashtu Katari nuk mund ta ruajë marrëdhënien e ngushtë politke me Iranin pa rezikuar raportet me SHBA-në.
Pikërisht në këtë drejtim, thekson Richter, mund të interpretohet edhe dalja nga OPEC-u: “Trump e ka kritikuar vazhdimisht javët e fundit politikën e çmimeve që ndjek OPEC-u. Ai do që çmimet e naftës të ulen, në mënyrë që çmimi i benzinës në SHBA të mos vazhdojnë të rriten.” Ndoshta ky duhet kuptuar si një sinjal në adresë të SHBA-së, që Katari nuk do ta pranojë më strategjinë e deritanishme të çmimeve. Qysh tani me këtë Katari ka një aleat të ngushtë me SHBA-në. Me vendimin e fundit marrëdhëniet mund të forochen edhe më shumë. E këtë Riadi duhet ta shohë me shqetësim. (dw)