Plani i Presidentit të KE, Jean-Claude Juncker për rishpërndarjen e refugjatëve në BE është pritur me reagime të përziera në kryeqytetet evropiane. Shtetet në Lindje të Evropës janë veçanërisht të rezervuara.
Shtetet anëtare të BE duhet të nxjerrin rregulla, që lejojnë pranimin e 160.000 refugjatëve dhe të krijojnë një plan afatgjatë për përballimin e krizës së refugjatëve, tha Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker të mërkurën, në një fjalim për gjendjen në BE.
Plani i tij për të prezantuar masa detyruese për rishpërndarjen e refugjatëve ishte në të njëjtën linjë me një thirrje të ngjashme të bërë nga Kancelarja Angela Merkel. Me fjalët se Gjermania “duhet të udhëheqë” për zgjidhjen e krizës së refugjatëve, ajo bëri thirrje për marrëveshje të detyrueshme për shpëndarjen e azilkërkuesve.
“Nëse Evropa dështon në këtë krizë refugjatësh, ajo tradhëton parimet mbi të cilat është themeluar”, u tha ajo ligjvënësve gjermanë të mërkurën (09.09). “Ne nuk mund të mjaftohemi vetëm me riparimin e tavanit dhe të themi se nuk na intereson asgjë mbi të”.
Gjermania ka pranuar më shumë refugjatë se çdo shtet tjetër në BE dhe pret që këtë vit të marrë 800.000 kërkesa për azil. Merkeli tha se Gjermania është e gatshme të pranojë për disa vjet 500.000 vetë çdo vit.
Komisioni i BE propozoi të rishpërndahen 54.000 vetë nga Hungaria në shtetet e tjera anëtare, së bashku me 50.400 vetë nga Greqia dhe 15.600 vetë nga Italia. Bazuar në të dhënat aktuale, shumica e tyre do të jenë sirianë, eritreanë dhe irakianë.
Mbështetje e fortë në Berlin, Paris, Stokholm
Parisi shprehu mbështetjen e tij për planin e Juncker-it, duke thënë se do të pranojë 24.000 vetë këtë vit, saktësisht shifrën e propozuar nga Komisioni. Madridi, i cili e quajti shumë të lartë kuotën për Spanjën, tha në krye të kësaj jave se do të pranojë çfarëdo numri që t’i caktojnë. Plani i Junckerit parashikon që në Spanjë të shkojnë mbi 15.000 refugjatë.
Britania e Madhe dhe Irlanda, të cilat kanë siguruar përjashtime ligjore nga plani i rishpërndarjes, bënë të ditura se do të mirëpresin përkatësisht 20.000 dhe 520 refugjatë, nga kampet jashtë Evropës.
Edhe shtete të tjera, duke përfshirë Suedinë, janë shprehur në mbështetje të shpërndarjes së detyrueshme të refugjatëve, në bazë të rregullave që mbajnë parasysh madhësinë e vendit, popullsinë dhe situatën ekonomike. Por kjo nuk vlen për të gjitha shtetet. e Evropës Qendrore, si Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia pritet ta kundërshtojnë me forcë skemën e rishpërndarjes.
“Kuotat e detyrueshme nuk janë zgjidhje e mirë”, tha kryeministri i Çekisë, Bohuslav Sobotka në një deklaratë. “Vazhdimi i diskutimit për vendosjen e tyre nëpër të gjithë Evropën vetëm na pengon që të marrim hapa vërtet të rëndësishme e të nevojshme.” Kryeministrja polake, Eva Kopacz tha të martën (08.09) se vendi i saj mund të pranojë më shumë se 2.000 vetët, për të cilët ajo është shprehur e gatshme më parë. Sipas planit të Junckerit, Polonisë do t’i kërkohet të pranojë 9.000 refugjatë.