Lufta shkatërruese 13-vjeçare civile në Siri, për vite të tëra ka qenë e fjetur.
Por, një ofensivë e madhe e nisur nga militantët në veriperëndim të Sirisë ka ringjallur konfliktin dhe ka tërhequr në konflikt fuqitë rajonale, përfshirë Rusinë.
Që nga fundi i nëntorit, Hayat Tahrir al-Sham (HTS) dhe aleatët e tij kanë marrë nën kontroll shumicën e qytetit të Alepos, qytetit të dytë më të madh në Siri, dhe zonat rurale përreth.
Ofensiva paraqet kërcënim të madh për presidentin Bashar al-Assad, i cili mban pushtetin me mbështetjen e aleatëve kyçë, Rusisë dhe Iranit.
Konflikti ka vendosur Moskën dhe Teheranin kundër Turqisë, e cila mbështet grupet e armatosura që janë përfshirë në ofensivën që po e udhëheq HTS-ja.
Hayat Tahrir al-Sham
HTS-ja është grup militant islamist që synon krijimin e një shteti në Siri që do të qeverisej sipas ligjit islamik. Shumica e anëtarëve të tij janë ndjekës të salafizmit, një sekt ultra-radikal i islamit sunit.
Grupi u shfaq për herë të parë më 2012 nën emrin Jabhat al-Nusra, ose Fronti Nusra, degë siriane e Al-Kaidas.
Me bazë në provincën veriperëndimore të Idlibit, më vonë grupi ndryshoi emrin disa herë dhe u distancua nga Al-Kaida. Më 2017, grupi u bashkua me grupe të tjera opozitare për të formuar HTS-në.
HTS-ja, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara më 2018, ka ndërmjet 5.000 deri në 10.000 luftëtarë, sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane.
HTS-ja ka aleancë edhe me disa grupe të tjera më të vogla militante islamiste, përfshirë Faylaq al-Sham, Jaysh al-Izza, Harakat Ahrar al-Sham dhe Brigada e Turkistanit. Kjo brigadë përbëhet nga luftëtarë të huaj nga Kina dhe Azia Qendrore.
Një militant grisi portretin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, në Alepo më 30 nëntor, pasi xhihadistët dhe aleatët e tyre hynë në qytetit verior sirianë.
Ushtria Kombëtare Siriane që mbështetet nga Turqia
Turqia, fqinje veriore e Sirisë, është një lojtare e madhe në konflikt.
Ankaraja mbështet Ushtrinë Kombëtare Siriane (SNA), një grup rebel që është i përfshirë në ofensivën aktuale në veri të Sirisë. Turqia, sipas ekspertëve, po ashtu ka një lloj ndikimi mbi HTS-në.
Objektivi i SNA-së kanë qenë Forcat demokratike Siriane (SDF), që udhëhiqen nga kurdët dhe mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.
SNA-ja së voni ka marrë nën kontroll Tal Rifatin, një qytezë e banuar nga kurdët në veri të Sirisë. Kurdët që një kohë të gjatë janë një minoritet i shtypur etnik në Sirinë ku shumica janë arabë.
Luftëtarët antiqeveritarë patrullonin rrugët në Tal Rifat më 2 dhjetor, pasi fraksionet proturke e morën nën kontroll këtë zonë.
Që nga viti 2016, Turqia ka kryer disa operacione tokësore në Siri kundër SDF-së, një aleati kyç perëndimor në fushatën kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).
SDF-ja është një koalicion që përfshin edhe Njësitë për Mbrojtjen e Popullit Kurd, apo YPG. Turqia e sheh YPG-në si zgjatje të Partisë të Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), e cila është e shpallur organizatë terroriste nga Turqia dhe SHBA-ja.
SHBA-ja ka afër 900 trupa në juglindje të Sirisë dhe ata gjenden përgjatë kufirit me Jordaninë dhe Irakun.
Irani
Irani ka raporte të kamotshme me Sirinë, shtet ku ka rritur ndjeshëm ndikimin e tij që kur shpërtheu lufta civile më 2011.
Teherani ka ndërhyrë ushtarakisht më 2013 dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në mbështetjen e forcave të Assadit. Irani ka dislokuar qindra oficerë të Gardës Revolucionare Islamike dhe ka trajnuar dhjetëra mijëra luftëtarë lokalë dhe të huaj shiitë.
Për Iranin, Siria ofron një korridor të rëndësishëm tokësor për në Levant, që e konsideron si shtyllë të rëndësishme logjistike për të ashtuquajturin “bosht të rezistencës”, që është një rrjet i bashkëpunëtorëve rajonalë të Teheranit. Siria është aktori i vetëm shtetëror që është pjesë e këtij boshti.
Hamidreza Azizi, hulumtues në Institutin gjerman për Çështje të Sigurisë Ndërkombëtare, tha se sigurimi se Assadi do të qëndrojë në pushtet “është edhe më i rëndësishëm tani për Iranin sesa ishte më parë”.
Kjo për faktin se Teherani synon të përdorë korridorin tokësor përmes Sirisë për të riarmatosur dhe rifurnizuar aleatin e tij libanez, Hezbollahun, aftësitë ushtarake të të cilit janë degraduar pas luftës së fundit me Izraelin, tha Azizi.
Irani ka shpenzuar miliarda dollarë për ta mbajtur Assadin në pushtet dhe ka pak të ngjarë që të heqë dorë nga ky investim, thanë ekspertët.
Rusia
Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në luftën civile në Siri më 2015 ndryshoi kursin e luftës. Fushata ajrore e Moskës kundër pozicioneve të rebelëve, e ndihmuan ushtrinë siriane dhe milicitë proiraniane të rimarrin pjesë të mëdha të territorit, por po ashtu shkaktuan numër të madh të viktimave në mesin e civilëve.
“Kur Rusia fillimisht intervenoi në luftën civile në Siri, intervenoi kryesisht për të mbështetur një aleat në rajon, me dëshirën që të mbështesë një regjim ekzistues dhe të shmangë paqëndrueshmërinë që do të pasonte nëse do të binte regjimi dhe duke dashur që të luftojë terrorizmin”, tha Jenny Mathers, ligjëruese për politikat ruse në Universitetin Aberystwyth.
Luftanijet ruse lundruan gjatë stërvitjeve detare në Detin Mesdhe afër Tartusit më 12 shtator.
Por, tani është çështje krenarie, tha Mathers, sepse Moska nuk dëshiron “t’i shkojë fytyra” nëse Qeveria e Assadit do të rrëzohej pas vitesh të mbështetjes ruse.
Rusia ka dy instilacione të mëdha ushtarake në Siri: një bazë ajrore në Hmeimim dhe një bazë detare në Tartus, që i ofron Moskës qasje në Detin Mesdhe.
Ekspertët thanë se humbja e një aleati në Siri do të ishte goditje ndaj prestigjit të Rusisë në skenën ndërkombëtare dhe goditje ndaj ambicieve të saj rajonale.
Që kur HTS-ja dhe aleatët e grupit nisën ofensivën e befasishme, Rusia ka kryer dhjetëra sulme ajrore në zonat që janë nën kontrollin e militantëve.
rel
Erdogan bisedon me Putinin për konfliktin në Siri
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, kanë shprehur nevojën për më shumë diplomaci për zgjidhjen e konfliktit në veri të Sirisë, gjatë një bisede telefonike që zhvilluan më 3 dhjetor pas rinisjes së luftimeve.
Sipas njoftimit për media të lëshuar nga zyra e Erdoganit, udhëheqësi turk tha se Siria nuk duhet të shndërrohet në burim të paqëndrueshmërisë së madhe.
“Presidenti Erdogan theksoi se përderisa Turqia vazhdon të mbështesë integritetin territorial të Sirisë, po ashtu kërkon një zgjidhje të drejtë dhe të përhershme në Siri”, i tha Erdogan Putinit gjatë bisedës telefonike, tha zyra e udhëheqësit turk në një njoftim të publikuar në X.
Ai po ashtu tha se është e rëndësishme të hapen më shumë hapësira për diplomaci në rajon dhe se regjimi sirian duhet të angazhohet në procesin e zgjidhjes politike.
Erdogan është zotuar se Turqia do të mbajë qëndrimin e saj sa i përket luftës kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), që është shpallur organizatë terroriste nga Turqia dhe Shtetet e Bashkuara dhe “zgjatimeve” të saj që po tentojnë të përfitojnë nga zhvillimet e fundit në Siri, u tha në njoftim.
Erdogan dhe Putin zhvilluan këtë bisedë telefonike në kohën kur rebelët sirianë po avancojnë kundër forcave qeveritare, pasi morën nën kontroll Alepon javën e kaluar. Më 3 dhjetor, rebelët i janë afruar qytetit Hama, thanë rebelët dhe Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut.
Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut tha më 3 dhjetor se numri i viktimave nga ofensiva e rebelëve në veri të Sirisë ka arritur në 602, përfshirë 104 civilë.
Sulmi ndaj qytetit Hama do të rriste presionin ndaj presidentit sirian, Bashar al-Assad, të cilin Rusia dhe Irani e mbështesin kundër forcave opozitare. Ky qytet është nën kontrollin e Qeverisë që kur nisi lufta civile më 2011.
Kremlini tha se Putini theksoi nevojën për “një përfundim të shpejtë të agresionit terrorist kundër shtetit sirian nga grupet radikale”. Të dy udhëheqësit theksuan rëndësinë e koordinimit të ngushtë mes Rusisë, Turqisë dhe Iranit për këtë çështje, u tha në njoftimin e lëshuar nga Kremlini.
“Dy presidentët do të vazhdojnë të jenë në kontakt në kontekstin e kërkimit të hapave për të ulur tensionet”, u tha në njoftim.
Lufta civile siriane për vite të tëra ishte e fjetur deri në ofensivën e madhe që nisën militantët në veriperëndim të Sirisë, që ringjalli konfliktin.
Hayat Tahrir al-Sham (HTS) dhe aleatët e tij javën e kaluar morën nën kontroll shumicën e qytetit të Alepos dhe zonat rurale përreth.
Kjo është ofensiva më e madhe që është zhvilluar në Siri në vitet e fundit.
HTS është grup militant islamik që kërkon krijimin e një shteti në Siri që do të qeverisej nga ligji islamik. Ky grup, që është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, besohet se ka ndërmjet 5.000 deri në 10.000 luftëtarë, sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane.
rel