Londër: Policia identifikon autorin e sulmit

policia londerPolicia në Londër identifikoi autorin e sulmit të djeshëm pranë Parlamentit britanik, si Khalid Masood. 52 vjeçari i lindur në Britani, ishte emër i njohur për policinë për një numër dënimesh së mëparshme për agresion dhe armëmbajtje, por jo për terrorizëm. Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin që shkaktoi vdekjen e tre personave, para se një oficer të vriste Masoodin. Një deklaratë e botuar në agjencinë e lajmeve të ISIS-it thoshte se autori i sulmit ishte një “ushtar i Shtetit Islamik”. Policia britanike tha sot se ka arrestuar tetë vetë në lidhje me sulmin.

Megjithëse mori përgjegjësinë për sulmin, Shteti Islamik nuk la të kuptohej se kishte ndihmuar në planifikimin apo ekzekutimin e sulmit, duke thënë se autori i ishte përgjigjur thirrjes së grupit terrorist për të sulmuar civilë dhe ushtarakë në vendet aleate të koalicionit që po lufton ISIS-in, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Mark Rowley, shefi i kundër terrorizmit në policinë e Londrës, tha se tetë arrestimet pasuan kontrollet në gjashtë adresa të ndryshme dhe se “hetimet”në Londër, Birmingham dhe pjesë tjera të vendit po vazhdojnë.

“Ne besojmë, në bazë të hetimeve se sulmuesi ka vepruar i vetëm dhe ishte frymëzuar nga terrorizmi ndërkombëtar”, u tha ai gazetarëve.

Sulmi filloi kur një autostradë u përplas me një grup këmbësorësh në Urën Westminster, pranë Dhomës së Komuneve. Pas përplasjes, autori i sulmit doli nga makina dhe vrapoi drejt hyrjes së Parlamentit, ku sulmoi me thikë një oficer të sigurisë duke e vrarë atë para se të vritej nga një oficer tjetër.

Rowley më herët e identifikoi oficerin e vrarë si 48 vjeçarin, Keith Palmer, që kishte shërbyer për 15 vjet në radhët e policisë.

Rowley tha se 29 veta janë dërguar në spital, shtatë prej të clëve në gjendje të rëndë. Ai tha se numri i atyre që nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore është i paqartë.

Parlamenti rifilloi seancat normale sot në Westminster me një minutë heshtjeje për të kujtuar ata që humbën jetën.

Kryeministrja britanike, Theresa May, përcolli një mesazh sfidues.

“Dje, një akt terrorizmi u përpoq t’i mbyllte gojën demokracisë tone por sot ne takohemi si normalisht, ashtu siç kanë bërë breza të tërë para nesh dhe siç do të bëjnë brezat e ardhshëm, duke përcjellë një mesazh të thjeshtë: ‘Ne nuk kemi frikë dhe vendosmëria jonë nuk do të lëkundet kurrë përballë terrorizmit”.

Masat e sigurisë në Londër janë intensifikuar.

Nëse konfirmohet se bëhet fjalë për një sulm terrorist, do të ishte i pari në Britani që nga maji 2013, kur një ushtar britanik që nuk ishte në detyrë, Lee Rigby u sulmua dhe u vra në një rrugë në Londër nga një i vetëdeklaruar xhihadist.

Është sulmi më i rëndë në Dhomën e Komuneve që nga një sulm me bombë të Ushtrisë Republikane Irlandeze në vitin 1979, kur politikani konservator Airey Neave, një bashkëpunëtor i afërt i Margaret Thatcherit, u vra.

Shtëpia e Bardhë i ka ofruar mbështetjen e plotë amerikane. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se Presidenti Trump kishte folur me Kryeministren Theresa May lidhur me ngjarjen dhe i kishte ofruar ndihmën amerikane për të sjellë personat përgjegjës para drejtësisë.

Kryeqytetet evropiane ishin sot në gatishmëri të lartë pas sulmit të djeshëm në Londër, përfshirë në kryeqytetin belg, Bruksel ku dje u shënua njëvjetori i sulmit terrorist, rreth parlamentit në Romë dhe pranë ndërtesave qeveritare në Berlin të Gjermanisë. Qytetarët dhe poltikanët shprehën solidaritetin me Britaninë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>