Pas një periudhe të gjatë të raporteve të ngrira përfaqësuesit e SHBA-së dhe Rusisë duan të takohen për bisedime lidhur me Ukrainën. Por ky nuk është patjetër lajm pozitiv për Ukrainën dhe Europën, mendojnë ekspertët.
Kishte kohë që përflitej, por tani u konkretizua: Këtë të martë (18.02.2025) do të takohen delegacionet nga SHBA-ja dhe Rusia në kryqytetin e Arabisë Saudite, Riad, për të biseduar lidhur me luftën në Ukrainë. Ky është takimi i parë ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë që nga fillimi i luftës sulmuese të Rusisë ndaj Ukrainë. Por në këtë takim Kievi nuk do të përfshihet.
Qeveria e Arabisë Saudite konfirmoi takimin e planifikuar. Qeveria e SHBA-së do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Marco Rubio, këshilltari i Sigurisë Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff. Sipas një zëdhënësi të Kremlinit ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe një këshilltar i nivelit të lartë të kreut të shtetit Vladimir Putin, Juri Uschakov, kanë udhëtuar të hënën.
Për çfarë do të bisedohet?
Për të martën është planifikuar takimi me përfaqësuesit e SHBA-së, gjatë të cilit do të kryesisht do të bëhet fjalë për “rivendosjen e marrëdhënieve ruso-amerikane”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, sikurse njofton agjencia e lajmeve AFP. Sipas agjencive të lajmeve do të synohet edhe për “bisedime të mundshme lidhur me një rezolutë për Ukrainën”. Po ashtu do të përgatitet edhe një takim i mundshëm ndërmjet presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin. Moska dhe Uashingtoni duan t’i lënë pas “marrëdhëniet anormale” të kohëve të fundit, tha ministri i Jashtëm Lavrov.
Jonas Driedger, punonjës shkencor në sektorin e programit “Siguria Ndërkombëtare” në Institutin Peace Research Institut Frankfurt (PRIF), mendon, se në radhë të parë për Rusinë ky takim është një lëvizje mjaft e favorshme. “Nga këndvëshrimi rus ky takim direkt me përfaqësuesit e lartë të SHBA-së, e madje duke përjashtuar Europën dhe Ukrainën, është në vetvehte një sukses”, thotë ai për DW. “Takimi si të barabartë me SHBA-në është prej kohësh një qëllim, prej nga Putin mund të shpresojë gjithashtu që përmes Trump të ushtrojë presion ndaj Ukrainës dhe partnerëve europiane të NATO-s. E paqartë është, nëse do të përmbushen këto shpresa”, thotë Driedger.
Cili është qendrimi i Ukrainës?
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj ka deklaruar ndërkohë, se nuk do t’i pranojë marrëveshjet e mudshme ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë lidhur me luftën në vendin e tij. “Ukraina çdo marrëveshja për Ukrainën pa Ukrainën i konsideron si marrëveshje pa rezultat”, tha Zelenskyj në takim me gazetarë gjatë një vizite në Emiratet e Baashkuara Arabe.
Zelenskyj deklaroi, se Ukraina nuk është informuar për takimin ruso-amerikan këtë të martë në Arabinë Saudite dhe as nuk do të marrë pjesë në të.
Çfarë dihet për planet e Trumpit?
Presidenti i SHBA-së Donald Trump javën e kaluar zhvilloi papritur një bisedë telefonike me kreun e Kremlinit Vladimir Putin dhe sipas tij janë dakordësuar për fillimin e “menjëhershëm” të bisedimeve lidhur me të ardhmen e Ukrainës.
Se cila do të jetë saktësisht përmbajtja e bisedimeve këtë të martë, është ende e paqartë. Por që prej një javë kanë rrjedhur informacione nga portali ukrainas i lajmeve strana.today, prej nga mësohet se me gjasë bëhet fjalë për një “plan 100 ditësh” për paqen në Ukrainë. Zyrtarisht gjithësesi nuk është konfirmuar deri tani një plan i tillë. Nëse u beson këtyre informacioneve, më 20 prill mund të vendoset armëpushim në Ukrainë, që do të ngrijë vijën e frontit në lindje të Ukrainës.
Po sipas këtyre informacioneve ky “plan 100 ditësh” parashikon gjithashtu, që trupat ukrainase të tërhiqen plotësisht nga rajoni rus Kursk. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj gjithashtu duhet të detyrohet, që të njohë sovranitetin rus ndaj territorit të pushtuar ukrainas deri tani.
Sipas ministrit të Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth, paqja e qendrueshme “duhet të përmbajë garanci sigurie, për të garantuar, që lufta nuk do të fillojë sërish”. Ai e sheh ketë si detyrë të “trupave të afta europiane dhe jo-europiane”. Sipas agjencisë Strana, këto trupa pas vendosjes së armëpushimit duhet të mbikqyrin një zonë neutrale të çmilitarizuar përgjatë vijës së ngrirë të frontit.
Trupat e SHBA-së nuk janë opcion për administratën Trump. As NATO nuk është partneri i përshtatshëm për dërgimin e një trupe paqësore. Kjo trupë mund të organizohet “jashtë aleancës”. Se si do të jetë kjo trupë, për këtë Hegseth nuk u shpreh.
Eksperti Driedger nga Peace Research Institut Frankfurt (PRIF) disa pjesë të këtij plani i konsideron si “katastrofale, nëse do të realizohen”. “Sovraniteti shtetëror dhe parimi për të mos zhvendosur me dhunë kufijtë shtetërorë, janë shtyllat themelore të rendit tonë botëror gjithësesi të lëkundur.”
Sa sukses mund të ketë ky takim?
Ekspertët e vlerësojnë më shumë me sy kritik këtë takim. Stefan Meister nga Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme i tha DW-së, se është ende shumë herët për bisedime, sepse nuk janë sqaruar kushtet bazë dhe deri tani nuk ka pasur koordinimin me Ukrainën. “Duket sikur Trump do ta mbyllë shpejt temën Rusi/Ukrainë”, vëren Meister dhe shton, se Trump nuk interesohet se çfarë pasojash negative mund të ketë një marrëveshje e keqe pa garanci sigurie për Ukrainën, për Europën dhe për botën.
Uashingtoni është i gatshëm, të zgjidhë në bisedime qendrimet thelbësore si mosanëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe heqja dorë prej territoreve. Kjo do ta forcojë pozicionin e Rusisë në bisedime, thotë Meister. “Pozicioni i keq në bisedime, ku po e sjell Ukrainën dhe veten e vet ekipi i Trumpit tregon, se sa pak e interesuar është udhëheqja e SHBA-së për një paqe dhe armëpushim të qendrueshëm.”
Edhe Driedger nga Peace Research Institut Frankfurt (PRIF) nënvizon: “Ka një skenar serioz, në të cilin Ukraina e ndoshta edhe disa shtete europiane nuk do t’i pranojnë rezultatet e këtij takimi. Nëse Trump qoftë edhe deri diku synon zgjidhje të qendrueshme, ai duhet të paktën të koordinojë përpara se të fillojë bisedimet.”
dw