Çdo vend anëtar i NATO-s duhet të ndajë 2 % të vlerës së prodhimit bruto për mbrojtjen. Por gati gjysma e tyre nuk e bën këtë. Tani po shtohet numri i paguesve.18 nga 31 vende të NATO-s do të arrijnë kuotën 2%
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, 18 nga 31 shtetet anëtare do ta arrijnë këtë vit shifrën prej 2% që duhet të ndahet për mbrojtjen. Gjermania është një prej tyre që për herë të parë pas një kohe të gjatë do të arrijë këtë shifër, që duhet të ndahet për shpenzimet ushtarake këtë vit. Shpenzimet e partnerëve evropianë do të arrijnë në një total prej 380 miliardë dollarësh (rreth 355 miliardë euro), tha Stoltenberg, përpara takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel të enjten (15.02.). Sipas vendimit të NATO-s, çdo shtet anëtar duhet të investojë dy për qind të prodhimit të brendshëm për mbrojtjen.
Në këtë kontekst, deklaratat e bëra në fundjavë nga kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, kanë bërë bujë të madhe. Trump tha se nuk do të mbronte shtetet e NATO-s të sulmuara nga Rusia që nuk i përmbushin detyrimet e tyre për shpenzimet ushtarake. Në këtë mënyrë ai vuri në dyshim detyrimin e aleancës për t’i ofruar ndihmë secilit vend anëtar të rrezikuar. Kjo deklaratë ka shkaktuar kritika të ashpra, veçanërisht në Evropë.
Shumat rekorde
Gjermania e arrin këtë objektiv në 2024-n për herë të parë pas një kohe të gjatë. Autoritetet kanë njoftuar se buxheti i planifikuar i Gjermanisë do të përmbushë objektivin prej dy për qind për herë të parë që nga fillimi i viteve 1990. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Berlin e konfirmoi këtë pa dhënë ndonjë shifër konkrete. Për buxhetin e mbrojtjes 2024, janë parashikuar 19.8 miliardë euro nga fondet speciale, për Bundeswehrin janë parashikuar rreth 52 miliardë euro, ndërsa për Ministrinë e Mbrojtjes edhe 14 miliardë euro të tjera.
dw