Mal i Zi: Dëshmi për përfshirjen ruse në ngjarjet e tetorit 2016

Mali i zi policiaNë procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve për përgatitjen e sulmeve terroriste në Malin e Zi, po dalin në pah shumë fakte që argumentojnë se këto ngjarje i kanë organizuar disa qarqe të caktuara ruse dhe një pjesë e opozitës proserbe në Malin e Zi.

Dëshmitari i mbrojtur, i cili nënshkroi marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, Aleksandar Singjeliç dëshmoi plot 11 orë para gjykatës së posaçme mbi përgatitjen e grusht shtetit në Mal të Zi për rolin e Rusisë dhe të partisë opozitare malazeze “Fronti Demokratik”.

Aleksandar Singjeliç, i cili njihet si një paramilitar serb që mori pjesë në luftërat e ish Jugosllavisë dhe në luftën e Ukrainës, përkrah rusëve, bëri të ditur se ai u rekrutua nga agjenti i sigurimit rus, Eduard Shishmakov, i cili i dha 200.000 euro për përgatitjen e planit për grushtet në Mal të Zi.

“Me Shishmakovin u njohëm që nga viti 2014 në një kamp lufte në Rusi dhe kemi pasur disa takime në Serbi ku përgatitëm detajet e aksionit, i cili do të shpinte deri te gjakderdhja në rrugët e Podgoricës”, tha Singjeliç.

Singjeliç ka pranuar se “sipas urdhrit të Shishmakovit ka rekrutuar personat, të cilët është dashur të mblidhen para Kuvendit, të shkaktojnë trazira dhe dhunshëm të hyjnë në këtë institucion, të gjuajnë në popull e më pas të likuidojnë kryeministrin e atëhershëm Milo Gjukanoviç”. Në aksion, sipas dëshmitarit të mbrojtur ka qenë i përfshirë edhe ish shefi i xhandarmerisë serbe Bratislav Dikiç, i cili ishte i ngarkuar të kontrollojë protestuesit para Parlamentit të Malit të Zi.

Singjeliç tha se pas dështimit të grushtshtetit ishte frikësuar për jeten e tij pasi, siç u shpreh ai “dy herë rusët tentuan të më vrasin në Beograd për çka u detyrua të dorëzohem në Mal të Zi”. Singjeliç po mbahet nën masat e rrepta të sigurimi dhe vendndodhja e tij është tejet sekrete.

Ndërkohë shërbimet e sigurimit ndërkombëtar bënë të ditur se oficeri rus Eduard Shishmakov, i cili ishte organizatori kryesor i ngjarjeve në Mal të Zi, merrte pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Rusisë. Mjetet malazeze të informacionit, duke iu referuar këtyre shërbimeve theksojnë se Shishmakov është pjesëtar i sigurimit shtetëror rus dhe se ishte njeriu i besueshëm i Vladimir Putinit.

Kohëve të fundit Moska ka qenë jo vetëm kritikuese e ashpër e hyrjes së Malit të Zi në NATO, por jo rrallë herë kishte kërcënuar ish republikën jugosllave në, mënyrë të hapur nëpërmjet zyrtarëve rusë që të mos bashkohet me NATO.

Kësaj fushate iu bashkuan edhe përfaqësuesit e opozitës proserbe në Mal të Zi “Fronti Demokratik” ku dy deputetëve të saj iu hoq imuniteti me kërkesën e Prokurorisë së posaçme, të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në komplotin e grusht shtetit në Mal të Zi.

Ndërkaq, partitë opozitare kanë theksuar se grusht shteti i dyshuar është fabrikuar dhe kanë akuzuar partinë në pushtet se po shfrytëzon shërbimet e sigurimit për ta ruajtur pushtetin në Mal të Zi.

Në këtë kuadër analistët vlerësojnë se integrimi sa më i shpejtë i Malit të Zi në strukturat euroatlantike do të ndikonte në qëndrueshmërinë dhe sigurinë e Malit të Zi dhe rajonit.

Mali i Zi ka qenë i përfshirë në ngjarjet konspirative në prag të zgjedhjeve parlamentare të 16 tetorit të vitit të kaluar, ku policia malazeze arrestoi 20 shtetas serbë të akuzuar për përgatitje të sulmeve të armatosura ndaj institucioneve shtetërore në vend. Grupi i organizuar, i cili ishte formuar në territorin e Serbisë, Rusisë dhe Malit të Zi kishte për qëllim vrasjen e kryeministrit të atëhershëm Gjukanoviç dhe marrjen e parlamentit nga ana e një partie opozitare proserbe në Mal të Zi. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>