Para selisë së qeverisë të Malit të Zi, të hënën në mbrëmje u mbajt një tubim i qytetarëve, të cilët kundërshtuan paralajmërimin e kryeministrit Dritan Abazoviq se qeveria do të bëjë publike të enjten, tekstin e një marrëveshjeje me Kishën Ortodokse Serbe.
“Mesazhi ynë është i qartë. Kjo marrëveshje është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Malit të Zi”, tha aktivisti për të drejtat e njeriut, Aleksandar Sasha Zekoviq.
Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Tuzi, Husein Gjokaj tha se shqetësimin e sheh të arsyeshëm.
“Ne u themi jo atyre që negociojnë fshehurazi fatin e vendit tonë në Beograd. Edhe një herë, për të disatën herë, ne do të qëndrojmë me vendosmëri prapa vendit tonë” – tha zoti Gjokaj.
Amar Borançiq nga Partia Liberale tha se kjo qeveri edhe një herë po mbjell dyshime në veprimet e veta.
“Qeveria duhet të garantojë të njëjtat të drejta për të gjitha bashkësitë fetare në përputhje me kushtetutën – tha zoti Borançiq.
Ai tha se me marrëveshjen bazë po tentojnë të krijojnë shtet brenda shtetit dhe se një gjë të tillë nuk do t’u lejohet.
“ Sot ne mbrojmë të drejtën e çdo njeriu për të qenë i barabartë. I bëjmë thirrje qeverisë që më në fund të na ofrojë një rrugë evropiane në vend të kësaj mitomanie dhe ta çojë Malin e Zi në komunitetin e shteteve evropiane ku ka qenë gjithmonë “, tha zoti Borançiq.
Studenti Jovan Baroviq, akuzoi qeverinë aktuale se po kapitullon para Kishës Ortodokse serbe.
“Ne nuk duhet të lejojmë nënshkrimin e këtij akti të kapitullimit, çështja e nënshkrimit të kontratës bazë është “çështje e integritetit tonë”, tha Jovan Baroviq.
Protestuest mbanin pankarta të tilla si “Serbia po gllabëron Malin e Zi, do të jetë një luftë e vazhdueshme”,“Abazoviq, kishat na i morët me ligj dhe tani me marrëveshjen bazë doni të na merrni ekzistencën dhe shpirtin” ,“Tradhti” etj.
Protestuesit valëvisnin flamuj kombëtarë malazezë, si dhe flamuj të BE-së dhe NATO-s.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, hodhi poshtë mundësinë e një marrëveshjeje të afërt mes qeverisë në Podgoricë dhe Kishës Ortodokse Serbe, duke u munduar kështu të ulë disi tensionet që kanë përfshirë shtetin ballkanik.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, u shpreh më 29 qershor se pavarësisht fërkimeve në koalicion, qeveria e tij do të nënshkruante një “marrëveshje thelbësore” që do të përmirësonte marrëdhëniet e ndjeshme me Kishën Ortodokse Serbe.
Përveç çështjeve të pazgjidhura rreth pronës , analistët thonë. se kisha serbe është përzier disa herë edhe politikisht në çështjet malazeze, përfshi organizimin e protestave përpara zgjedhjeve që rrëzuan aleatët qeverisës të Gjukanoviqit në vitin 2020.