Maskat për fytyrën e kanë bërë jetën shumë më të vështirë për një pjesë të popullatës – për njerëzit me aftësi të kufizuara të dëgjimit. Ata mbështeten në leximin e buzëve dhe shikimin e shprehjeve të fytyrës për të komunikuar me njerëzit që nuk dinë gjuhën e shenjave. Por ka një zgjidhje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Maxim Moskalkov njofton.
Brenda Schertz drejton programin amerikan për Gjuhët e Shenjave në Universitetin Cornell. Kur filloi pandemia, ajo nuk e kishte parashikuar që maskat do të shkaktonin kaq shumë probleme. Shurdh-memece qysh në lindje, Schertz kuptoi se bisedat e përditshme me njerëzit që mbanin maska ishin thuajse të pamundura.
Ashtu si Schertz, mbi 48 milionë amerikanë vuajnë nga humbja e dëgjimit të plotë ose të pjesshëm dhe përballen me të njëjtin problem.
“… Komunikimi mund të bëhet pa folur në shumë mënyra duke përdorur shprehje të fytyrës, duke përdorur gjeste. Dhe maska papritmas bllokon rrugën e vetme të komunikimit me njerëzit që nuk përdorin gjuhën e shenjave“, thotë Brenda Schertz.
Kjo e bën më të vështirë shkuarjen në farmaci apo dyqan për njerëzit me probleme të dëgjimit – fytyrat e farmacistëve janë të mbuluara nga maska.
“Për ata individë që punojnë nëpër dyqane, ajo që do t’u thoja në lidhje me heqjen e barrierave është – nëse dikush nuk u përgjigjet komenteve tuaja verbale, bëhuni krijues, tregoni dhembshuri, tregohuni të duruar. Mendoni arsyen përse ai person nuk mund të përgjigjet”, shpjegon Brenda.
Anne McIntosh, profesore në Universitetin e Merilendit ‘Global Campus’ që ka lindur me probleme dëgjimi, ka krijuar një maskë të veçantë me një dritare plastike transparente që lejon të shihet goja. Kjo është maska e parë e tillë që është miratuar zyrtarisht nga Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Barnat. Ideja për të bërë një maskë të tillë i lindi shumë vite më parë – pasi iu desh të bënte një lindje me operacion (C-Section).
“Infermierët, mjeku, anesteziologu dhe madje im shoq, të gjithë u veshën me pajisje kirurgjikale nga koka tek këmbët, përfshirë maskat. Dhe unë nuk isha në gjendje të lexoja buzët dhe të ndiqja ato që thuheshin”, shpjegon Anne.
Pjesa e vogël transparente në maskë lejon leximin e buzëve dhe kuptimin e shprehjeve dhe emocioneve të fytyrës së personit. Mbi të gjitha, këto maska janë të nevojshme në spitale – madje edhe para pandemisë kur personat me probleme të dëgjimit të përballeshin me kominikimin me mjekët. Por situata aktuale i përkeqësoi gjërat.
“Mund të kesh një foshnje, një të porsalindur për disa ditë, javë ose madje muaj – pa parë një buzëqeshje njerëzore sepse të gjithë janë të maskuar! Kjo me të vërtetë ndikon në aftësinë e tyre për t’u lidhur me të tjerët, me ata që kujdesen për ta… “, thotë Anne McIntosh.
Sipas të dhënave të siguruara nga OBSH, 5% e popullsisë së botës – rreth 466 milionë njerëz – kanë forma të ndryshme të dëmtimeve të dëgjimit dhe mund të përfitojnë shumë nga maskat që lejojnë të shihen fytyrat e njerëzve.
voa