Dhjetra vende po punojnë për të frenuar epdeminë e koronavirusit, i cili ka shkaktuar vdekjen e mbi 3 mijë vetëve, përfshirë dy në Shtetet e Bashkuara.
Koreja e Jugut njoftoi për 600 raste të reja të hënën, ndërsa kreu i një grupi fetar që ka lidhje me shumicën e rasteve në atë vend, Lee Man-hee tha se kisha e tij po bashkëpunonte me qeverinë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.
“I kërkoj ndjesë popullit si përfaqësues i Kishës Shincheonji. Nuk ishte e qëllimshme por shumë pacientë janë infektuar”, tha ai.
Zyrtarët u kanë kërkuar prokurorëve që të shqyrtojnë mundësinë e akuzave për vrasje kundër udhëheqjes së grupit, pasi nuk kishte bashkëpunuar me përpjekjet e qeverisë për të ndalur përhapjen e virusit.
Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të takohet me nënpresidentin Mike Pence, që po drejton përpjekjet e administratës kundër sëmundjes, si edhe drejtues të kompamive farmaceutike.
Në Shtetet e Bashkuara ka rreth 80 raste të konfirmuara, dhe dy vetë kanë vdekur në shtetin e Uashingtonit. Zyrtarët e shëndetësisë thanë se virusi mund të ketë qenë i pranishëm dhe nuk është diktuar në komunitet, për javë të tëra. Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo, njoftoi për rastin e parë në këtë shtet.
Të hënën u njoftuan dy rastet e para në Indonezi që zyrtarët e shëndetësisë thonë se e kishin burimin nga një shtetas japonez i prekur nga virusi.
Rastet janë konfirmuar në të paktën 60 vende dhe virusi ka infektuar mbi 89 mijë vetë që kur u shfaq në dhjetor.
Italia është vendi që është goditur më rëndë në Evropë dhe të dielën numri i rasteve arriti në rreth 1,700. Zyrtarët parashikojnë që ky numër të rritet.
Po të dielën muzeu i Luvrit në Paris mbylli dyert për vizitorët pasi personeli i tij vendosi përmes sindikatës që e përfaqëson që të mos punojë për shkak të frikës nga koronavirusi. Franca njoftoi për dy persona të tjerë që kanë humbur jetën, duke e çuar në katër numrin e viktimave në këtë vend.
Në Britani, kryeministri Boris Johnson tha se gjasat janë që virusi të përhapet në vend.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme të theksojmë se ky është një problem që mendoj se do të rëndohet në këtë vend në ditët dhe javët e ardhshme, prandaj ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta përballuar”, tha ai.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se shumica e pacientëve të koronavirusit janë të rritur me simptoma që përfshijnë ethet, kollë të thatë dhe marrje fryme.
OBSH-ja thotë se 80% të rasteve janë të lehta, 14% të rënda dhe 5% të të infektuarve nga virusi, përjetojnë gjendje kritike. Organizata thotë se ata që kanë rastet më të rënda, janë mbi 60 vjeç dhe kanë edhe probleme të tjera shëndetësore.
voa