Më shumë punë nuk do të thotë gjithmonë më shumë para

EuroQë kur qeveria aktuale ngriti nivelin e ndihmës sociale, shumë shpesh po diskutohet nëse ia vlen të punosh. Në disa raste, përgjigja është me të vërtetë: jo!

 

Kur në Gjermani flitet për ndihmat sociale apo të ashtuquajturin Bürgergeld, shpesh shtrohet edhe pyetja nëse ia vlen të punosh apo jo? Deri tani kjo temë është trajtuar kryesisht nga populistët, të cilët akuzojnë qeverinë aktuale se e ka ngritur në një nivel tepër të lartë mbështetjen për të papunët.

Por tani edhe ekonomistët kanë arritur në një studim në përfundimin se ka vërtet situata në të cilat përfitimet e larta sociale e bëjnë punën shtesë jo tërheqëse.

Unioni Kristiandemokrat (CDU) ka deklaruar, se nëse fiton zgjedhjet, do të modifikojë sistemin e ndihmave, veçanërisht duke ashpërsuar sanksionet kundër atyre që refuzojnë të pranojnë punët e ofruara. Por këtu ka një diskutim që është më i thellë se ndihmat sociale. Bëhet fjalë për pyetjen se cilat janë pasojat e kombinimit të përfitimeve të ndryshme sociale që reduktohen në rast se dikush që merr këto përfitime punon dhe rrit të ardhurat e veta.

Rregulla të paqarta

Përgjigjen për këtë pyetje e jep një studim i kryer nën udhëheqjen e Institutit Ifo nga Mynihu, në të cilin mori pjesë edhe ekonomisti nga Berlini Ronnie Schöb. Rezultati i studimit nuk ndryshon nga shumë studime të tjera më parë: ai që punon, ka më shumë se ai që nuk punon. Por ka edhe situata, në të cilat nëse dikush që punon më shumë nuk ka patjetër edhe të ardhura më të mira. “Më shumë punë nuk vlen gjithmonë dhe nuk do të thotë domosdoshmërisht më shumë para”.

Kjo mund të shihet, për shembull, në rastin e një kategorie të veçantë, kur dikush punon, por për shkak të sasisë së parave të fituara i duhen edhe ndihma shtesë ose mbështetje për strehim si dhe ndihmat shtesë për fëmijë. Këta janë zakonisht njerëz që bëjnë punë me pagë të ulët dhe nuk punojnë me kohë të plotë. Këtu ekzistojnë probleme edhe në koordinimin mes zyrave të ndryshme për ndihma, shpjegon Schöb.

Problemi më i madh – tatimet mbi rrogën tepër të larta

Problemi i madh janë pagesat për qira por një problem tjetër i madh janë edhe kontributet tepër të larta që duhet paguar nga rroga, e që ka pasoja të rënda, shpjegon Schöb: “Pse dikush do të punonte më shumë nëse përfundon pa asnjë përfitim më shumë ose me vetëm pak para më shumë?” Ekziston edhe absurditeti që në rast të rritjes së pagave, njerëzit në disa grupe të të ardhurave, këshillohen madje që të punojnë më pak, sepse kontributet janë tepër të larta. Ndërsa me më pak punë,  fitimi është i njëjtë, ndërsa ke më shumë kohë të lirë.

Edhe punëdhënësit janë dëshmitarë të këtij fenomeni. “Punonjësit reagojnë me uljen e orarit të punës për shkak të kontributeve të larta. Ndonëse e kundërta do të ishte më e rëndësishme nga pikëpamja shoqërore, thekson Pascal Kober, nga partia liberale (FDP).

Kober përmend si shembull një nënë të pamartuar e cila aktualisht fiton 1000 euro dhe po mendon të punojë 50 për qind më shumë. Por për shkak të kontributeve asaj do ti mbteshin vetëm 84 euro më shumë. Kjo është katastrofike duke pasur parasysh mungesën e fuqisë punëtore dhe mungesën e specialistëve në Gjermani.

Ai dhe të tjerët kanë mirëkuptim ndaj atyre që thonë: “Unë punoj më shumë orë, pse të mos kem më shumë para në llogarinë time në fund të muajit?”

Reforma e domosdoshme

Ekonomistët sugjerojnë që përfitimet sociale të paguhen për një periudhë më të gjatë kohore, në mënyrë që të paktën 30 cent të mbeten nga çdo euro shtesë e fituar, për personat që kanë të drejtë të punojnë edhe pse marrin ndihma. “Në shikim të parë, kjo do të çonte vetëm në shpenzime më të larta sociale,” thotë Schöb nga Universiteti i Lirë i Berlinit. Por në fund, një reformë e tillë do t’i shkonte në favor edhe shtetit. “Nëse ne krijojmë stimuj që njerëzit të punojnë përsëri më shumë, kjo do të thotë se ata paguajnë kontribute më të larta për sigurimet shoqërore, paguajnë tatimin mbi të ardhurat dhe ulin shpenzimet për ata që duhet të garantojnë të ardhura minimale”.

Por Ministria e Punës heziton të zbatojë përfundimet e studimit. Ministria njoftoi se këto rezultate “janë duke u analizuar në ministri të ndryshme”. Politikani i FDP-së Kober këmbëngul që ato të zbatohen: “Parimi që ia vlen të punosh duhet të ketë mbështetje edhe në SPD.” Edhe kolegu i Koberit, Klose, mendon: “Duhet krijuar një situatë kur puna ia vlen, ndaj unë sigurisht që do ta mbështes këtë rrugë”.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>