Mediat belge: 34 të vrarë nga sulmet në Bruksel

AeroportiTransmetuesi publik belg VRT raporton se së paku 34 veta kanë humbur jetën nga sulmet e së martës në Bruksel dhe se mbi 170 janë plagosur. Sipas burimit të njëjtë, 20 njerëz janë vrarë nga shpërthimi në një stacion të metrosë së qytetit, ndërsa 14 të tjerë nga shpërthimet në aeroport.

Kryeministri belg, Charles Michel, ka thënë se shumë njerëz janë vrarë ose janë plagosur seriozisht në sulmet terroriste.

Shpërthimet kanë goditur aerportin Zaventem rreth orës 7:00 të mëngjesit, ndërsa stacionin e metrosë Maelbek një orë më vonë.

Qeveria nuk e ka konfirmuar ende numrin e viktimave. Zyrtarë të transportit në Bruksel kanë thënë se 15 veta kanë vdekur në Maelbek dhe 11 në aeroport.

Belgjika tashmë ka ngritur kërcënimin terrorist në nivelin më të lartë.

Sulmet vijnë katër ditë pasi Salah Abdeslam, i dyshuari kryesor për sulmet terroriste në Paris, është kapur në Bruksel.

Kryeministri belg, Michel, i ka cilësuar sulmet e fundit si terroriste, të dhunshme dhe frikacake.

“Kjo është një ditë e tragjedisë, një ditë e zezë… I ftoj të gjithë të tregojnë qetësi dhe solidaritet”, ka thënë ai.

Prokurori belg ka thënë se ka gjasa që në sulme të ketë qenë i përfshirë një sulmues vetëvrasës.

Agjencia e lajmeve Belga raporton se, përpara shpërthimeve në aeroport, janë dëgjuar të shtëna dhe brohoritje në gjuhën arabe.

Imazhet në mediat sociale kanë treguar njerëzit në panik, duke ikur nga aeroporti.

Të gjitha fluturimet janë devijuar. Kompania hekurudhore Eurostar ka anuluar të gjithë trenat për dhe nga Brukseli.

Siguria është rritur në aeroportet Gatwick dhe Heathrow të Londrës, ndërsa Zyra e Jashtme e Britanisë ka këshilluar qytetarët britanikë të shmangin zonat e mbushura me njerëz në Belgjikë.

Franca ka rritur po ashtu sigurinë. Presidenti Francois Hollande ka mbajtur një takim me kabinetin për të diskutuar sulmet në Belgjikë.

“Terrorizmi ka goditur Belgjikën, por është Evropa ajo që ka qenë shënjestër dhe secili është prekur. Duhet të kuptojmë se sa i madh dhe serioz është kërcënimi terrorist”, ka thënë Hollande.

Siguri shetësë është vendosur edhe në aeroportet e Holandës.

Nga një vizitë në Aman të Jordanisë ka reaguar edhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“Është një ditë shumë e pikëlluar për Evropën, sepse Evropa dhe kryeqyteti i saj po vuajnë të njëjtën dhimbje që ky rajon ka pasur dhe vazhdon ta ketë çdo ditë – qoftë në Siri, qoftë gjetkë”, ka thënë Mogherini.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se ndaj “sulmeve të neveritshme” duhet përgjigjur me “vendosmëri ndaj terroristëve”.

“Është një sulm kundër Evropës demokratike. Nuk do ta pranojmë kurrë që terroristët të sulmojnë shoqëritë tona të hapura”, ka thënë kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se presidenti rus,Vladimir Putin, “i dënon fuqishëm këto krime barbare”.

Por, Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se politikat e Perëndimit me “standarde të dyfishta” kanë çuar në sulme terroriste.

“Është për të ardhur keq që sot, në vitin 2016, me gjithë faktin se terrorizmi ka qenë i përhapur në gjithë botën për disa vite me radhë, ne përballemi me problemin shumë të dhimbshëm të politikës me standarde të dyfishta. Është e pamundur që terroristët të ndahen në të mirë dhe të këqij. Është e pamundur që të mbështeten në një rajon – në Lindjen e Mesme dhe në Kaukazin Verior – dhe, në të njëjtën kohë, të vazhdojmë të mendojmë se kjo sëmundje e tmerrshme e botës bashkëkohore nuk do të arrijë pjesët e tjera të globit. Kjo gjë është e pamundur”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, për televizionin rus Rossia 24.

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, ka thënë se populli i tij ndan ndjenjën e solidaritetit me qytetarët në Belgjikë.

“I dënoj këto sulme. Ajo çfarë ka ndodhur në Bruksel mëngjesin e sotëm, tregon edhe një herë fytyrën e terrorizmit global. I shpreh ngushëllimet e mia qeverisë dhe popullit të Belgjikës”, ka thënë Davutoglu.

Stacioni i metrosë, ku ka ndodhur sulmi, ndodhet pranë institucioneve të Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian, që është krahu ekzekutiv i BE-së, ka kërkuar nga punëtorët që të qëndrojnë brenda ose në shtëpi. Të gjitha takimet në institucionet e BE-së janë anuluar.

Aeroporti Zaventem ndodhet rreth 11 kilometra në verilindje të Brukselit. Vitin e kaluar, mbi 23 milionë njerëz kanë kaluar nëpër këtë aerport. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>