Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha të dielën se Rusia përbën një kërcënim më të madh për sigurinë e Bashkimit Evropian sesa thjesht nga pikëpamja e mbrojtjes pasi Moska mund të përdorë emigracionin e paligjshëm dhe çështje të tjera për të minuar bllokun.
Kryeministrat e Finlandës, Italisë, Suedisë, Greqisë si edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së u takuan në fundjavë në Lapland në veri të Finlandës për të diskutuar mbi sigurinë në rajonin nordik dhe Mesdhe, si dhe sfidat e migracionit në Evropën Jugore.
“Ne duhet ta kuptojmë se kërcënimi është shumë më i madh nga sa mund ta marrim me mend”, tha zonja Meloni në një konferencë shtypi kur u pyet për Rusinë.
Rreziku ndaj sigurisë së BE-së nga Rusia apo nga aktorë të tjerë nuk do të zhduket pasi të përfundojë konflikti në Ukrainë dhe BE-ja duhet të jetë e përgatitur për këtë, tha ajo.
“Bëhet fjalë për demokracinë tonë, për ndikimin që mund të ushtohet ndaj opinionin tonë publik, për atë që ndodh në Afrikë, ka të bëjë me lëndët e para, ka të bëjë me instrumentalizimin e migracionit. Duhet ta kuptojmë se bëhet fjalë për një ide shumë të zgjeruar të sigurisë”, tha zonja Meloni.
Ajo bëri thirrje që BE-ja të bëjë më shumë për të mbrojtur kufijtë e saj dhe të mos lejojë Rusinë apo ndonjë “organizatë kriminale” të kontrollojë fluksin e emigrantëve të paligjshëm. Disa anëtarë të BE-së, përfshirë Finlandën dhe Estoninë, kanë akuzuar Rusinë se i lejon migrantët e paligjshëm nga Lindja e Mesme dhe vendet e tjera të hyjnë në shtetet e BE-së përmes Rusisë pa kontrollet e duhura, duke minuar sigurinë e BE-së.
Moska ka mohuar se Rusia po i lejon qëllimisht migrantët e paligjshëm të shkojnë në BE.
Kryeministri finlandez Petteri Orpo tha se sigurimi i kufirit prej 1,340 km të vendit të tij me Rusinë është “një çështje ekzistenciale” për Finlandën dhe për anëtarët e tjerë të BE-së dhe aleatët e NATO-s.
Zonja Meloni tha se BE-ja ka gabuar duke e trajtuar çështjen e imigracionit ndër vite thjesht nga këndvështrimi i ndarjes së barrës.
“Trajtimi i çështjes së imigracionit të paligjshëm vetëm si një debat i bazuar në solidaritet ishte i gabuar,” tha ajo. “Rezultati është që nuk kemi mundur të mbrojmë kufijtë tanë… Ne duam të mbrojmë kufijtë tanë të jashtëm dhe nuk do të lejojmë Rusinë ose organizatat kriminale të minojnë sigurinë tonë.”
Ndërsa NATO mbetet “gur themeli” i sigurisë së BE-së, blloku është ndeshur me sfida më të gjera, tha zonja Meloni, e cila drejton një qeveri konservatore.
“Me siguri nënkuptohet gjithashtu infrastrukturë kritike, inteligjencë artificiale, siguri kibernetike, lëndët e para, zinxhirë furnizimi. Nënkuptohet një politikë e jashtme dhe bashkëpunuese e re dhe më efektive, por edhe imigracioni,” tha ajo.
voa