Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Francois Hollande thanë në një deklaratë të përbashkët se “presidenti Assad dhe vetëm ai është përgjegjës për këto zhvillime” me “përdorimin e përsëritur të armëve kimike dhe me krimet kundër popullit të tij.”
Dy udhëheqësit e bënë deklaratën pas një bisede telefonike që patën sot. Ata thanë se vendet e tyre do të vazhdojnë të punojnë me partnerët e Kombeve të Bashkuara në “përpjekjet për ta mbajtur Presidentin Assad përgjegjës për veprimet e tij kriminale.”
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon, tha sot se qeveria britanike kishte qenë në kontakt të ngushtë me Shtetet e Bashkuara rreth planeve për goditjen e bazës ajrore siriane. Zoti Fallon tha se Kryeministrja Theresa May është mbajtur vazhdimisht e informuar rreth strategjisë së Shteteve të Bashkuara.
Turqia e përshëndeti goditjen amerikane me raketa në Siri, duke thënë se ky ishte një zhvillim i “rëndësishëm dhe domethënës”, por bëri thirrje për vazhdimin e një qëndrimi të ashpër ndaj presidentit Bashar al-Assad. Zëvendëskryeministri Numan Kurtulmus tha në një intervistë televizive se është “e domosdoshme që regjimi i Assadit të dënohet plotësisht nga bashkësia ndërkombëtare.” (voa)