Ndërsa mjekët amerikanë luftojnë një nga shpërthimet më të këqija në botë të COVID-19, disa po reflektojnë për atë që dëshironin të dinin kur filluan të luftojnë kundër pandemisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mariama Diallo njofton për mësimet e marra pasi vdekjet nga virusi në Shtetet e Bashkuara kaluan shifrën 56,000 sot.
Me SHBA që llogariten të kenë gati një të tretën e rasteve të koronavirusit në botë, disa mjekë amerikanë thonë se kanë mësuar shumë në vijat e para të betejës kundër sëmundjes.
Kjo përfshin një kuptim më të mirë se si të ndihmojnë pacientët që vijnë me nivel oksigjeni të ulët për shembull, thotë drejtori i departamentit të urgjencës së Spitalit Mount Sinai.
“Ajo që pamë fillimisht ishte se sapo dikush fillonte të merrte 6 litra oksigjen nga hunda, përkeqësohej gjithnjë e më shumë kështu që filluam të përdornim tubat. Tani po kuptojmë se duhet ndoshta diçka në mes, për disa pacientë funksionon më mirë niveli i lartë i oksigjenit nga hunda dhe për disa të tjerë vendosja e presionit të ajrit përmes tubave mund të jetë mënyrë më e mirë. Gjëja tjetër që kemi mësuar është se aktualisht mund t’i kthejmë pacientët përmbys”, thotë Jolion McGreevy.
Metoda e shtrimit të pacientëve me barkun poshtë ka qënë e suksesshme, shpjegon një tjetër mjeke kardiologe në repartin e emergjencës në qendrën mjekësore të Universitetit Kolumbia.
“Teoria është se mushkëritë janë si sfungjer, dhe nëse shtriheni në shpinë për një kohë shumë të gjatë, ai lloj graviteti i tërheq të gjitha sekrecionet dhe lëngjet bllokojnë pjesë të mushkërive. Kur i kthen pacientët me barkun poshtë, e çliron atë hapësirë para pjesës së bustit për të lejuar që mushkëritë të hapen dhe zgjerohen dhe të japin oksigjenim më të mirë. Dhe kjo funksionon”, thotë Jennifer Haythe.
Ajo thotë gjithashtu se spitalet nuk kishin pajisje kryesore, diçka që përjetuan edhe spitalet në Itali, Spanjë dhe pika të tjera të nxehta.
“Të gjithë do të donim, për të shpëtuar njerëzit, që kjo po vinte më parë. Mund të kishim mjetet në spitale dhe të menaxhonim pacientët. Mund të kishim mënjanuar grumbullimin në masë të njerëzve që erdhën njëherësh. Të kishim më shumë veshje mbrojtëse për mjekët dhe infermierët”, thotë mjekja.
Mjekja Anju Goel thotë se më e habitshme për të ka qenë mënyra se si virusi prek të moshuarit.
“Ajo që unë nuk e kuptova plotësisht ishte ashpërsia e sëmundjes tek pacientët e moshuar. Mund të kishim krijuar masa kontrolluese më kufizuese për të parandaluar ekspozimin ndaj këtij grupi dhe gjithashtu për të marrë trajtim shumë të hershëm për ta për të parandaluar komplikimet”.
Për shumicën e njerëzve, sëmundja shkakton simptoma të lehta, të tilla si ethe dhe kollë.
Për disa, veçanërisht të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore ekzistuese, mund të shkaktojë sëmundje më të rëndë, përfshirë pneumoninë, dhe mund të çojë në vdekje.
voa