Në Turqi, njerëzit vazhdojnë të dalin në rrugë kundër përpjekjes së dështuar të puçit ushtarak, ndërkohë që Presidenti Erdogan është shfaqur më i fuqishëm se kurrë. Ai ka shtuar thirrjet për rikthimin e dënimit me vdekje, ndërsa protestuesit po e mbështesin gjatë tubimeve në orët e mbrëmjes. Ndërsa Turqia vazhdon arrestimet në masë të zyrtarëve të ushtrisë dhe më gjerë, kritikët akuzojnë zotin Erdogan se po e shfrytëzon puçin për të goditur kundërshtarët politikë dhe për të konsoliduar më tej pushtetin.
Mbështetësit e zotit Erdogan po bëjnë thirrje për rikthimin e dënimit me vdekje.
“E kuptoj tani se disa prej këtyre komandatëve ushtarakë janë tradhëtarë. Jo të gjithë, por një pjesë e vogël prej tyre. Nuk do ta ndalojnë terrorizmin për vite me radhë. Pra, po punojnë prapa krahëve tanë.”
Si tregues i pushtetit të krijuar pas puçit, portretet e zotit Erdogan kanë zëvendësuar ato të Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne.
Ndërsa vazhdojnë spastrimet, minoritetet në Turqi shqetësohen se nacionalizmi në rritje mund t’i shndërrojë sërish në objektiva. Në lagjen Okmeydani të Stambollit, anëtarë të sektit Alevi i ndjekin lajmet me shqetësim.
“Duke qenë se jam Alevi, jam i shqetësuar. Pres të ndodh diçka pasi nuk e dimë se në ç’drejtim po shkon vendi.”
Zoti Erdogan u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të vazhdojnë të dalin në rrugë, dhe ata kanë dalë çdo mbrëmje.
“Thirrjet që turmat të dalin në rrugë janë një politikë e re. E filluan si festë e demokracisë, por po i përdorin turmat si një element represiv dhe frikësues.”
Me konfirmimin dhe konsolidimin e pushtetit të zotit Erdogan, pikëpyetje të reja ngrihen nëse mposhtja e puçit po forcon demokracinë apo thellon ndasitë. (voa)