Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin bjellorus Minsk në një tubim kundër rizgjedhjes së debatueshme të Presidentit Alyaksandr Lukashenko dhe represionit paszgjedhor. Në kryeqytet ka një prani të madhe të ushtrisë, e cila paralajmëroi sërish.
Në kuadrin e Marshimit për Bjellorusinë e Re, turmat përshkuan rrugët drejt qendrës së qytetit, ndërsa protestat hynë në ditën e 15-të në këtë vend të Evropës Lindore me një popullsi prej 9.5 milionë banorësh.
Protestuesit bënin thirrje për dorëheqjen e zotit Lukashenko, dhe dëgjoheshin të thërrisnin “liri”.
Përpara tubimit, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ushtria do të merrte përgjegjësinë e mbrojtjes së monumenteve kombëtare nga protestuesit.
Në një deklaratë, ministria tha se ndaj çdo trazire pranë monumenteve dhe statujave nuk do të përgjigjen më forcat e policisë, por ushtria.
Deklarata u bë ndërsa personeli ushtarak u pa të transportohej drejt kryeqytetit me mjete ushtarake.
Kanali opozitar “NEXTA Life Telegram” njoftoi se postblloqe të policisë ishin vendosur në pikat hyrëse të kryeqytetit bjellorus.
Deri më tani, dy njerëz janë konfirmuar të jenë vrarë gjatë protestave paszgjedhore në Bjellorusi.
Mijëra njerëz dolën në rrugët e Bjellorusisë pasi zoti Lukashenko, në pushtet që në vitin 1994, u shpall fitues i zgjedhjeve të 9 gushtit. Mbi 7 mijë persona janë ndaluar dhe qindra janë rrahur nga policia. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar procesin zgjedhor dhe kanë dënuar represionin e ushtruar pas zgjedhjeve.
Organizime me varganë njerëzish në solidaritet me Bjellorusinë ishin planifikuar për t’u zhvilluar në 26 vende, ndër to edhe në Lituani ku shpresa është që zinxhiri i formuar nga njerëzit të arrijë deri në kufirin me Bjellorusinë.
31 vite më parë, në 23 gusht 1989, gati 2 milionë njerëz bashkuan forcat në tre shtetet baltike Estoni, Letoni dhe Lituani, në protesta ndaj regjimit sovjetik që u bënë të njohura me emrin “Rruga e Baltikut”.
Svyatlana Tsikhanouskaya, kandidatja e opozitës që u largua për në Lituani pas zgjedhjeve dhe pretendoi se kishte fituar nga 60 deri në 70 përqind të votave, tha të shtunën se bjellorusët duhet të “luftojnë për të drejtat e tyre” dhe të mos shpërqendrohen nga pretendimet e zotit Lukashenko se vendi është nën kërcënim ushtarak.
“Ne jemi populli i Bjellorusisë, jemi shumica dhe nuk do të largohemi. Ne nuk ua kemi më frikën atyre“, tha ajo për agjencinë e lajmeve AFP.
Komentet e saj erdhën ndërsa zoti Lukashenko përsëri pretendoi se forcat e NATO-s në Poloni dhe Lituani po “lëvizin seriozisht” pranë kufijve të Bjellorusisë.
I veshur me uniformë ushtarake, zoti Lukashenko i tha një njësie ushtarake në Hrodna të shtunën se ushtria e Bjellorusisë duhet të “mbrojë integritetin territorial të vendit tonë”, duke shtuar se “mbështetja e ushtarakëve është e dukshme”.
NATO tha se pretendimet ishin “të pabaza”.
“Siç e kemi sqaruar tashmë, NATO-ja nuk paraqet asnjë kërcënim për Bjellorusinë ose ndonjë vend tjetër dhe nuk po shton forcat ushtarake në rajon“, tha aleanca e NATO-s në një deklaratë javën e kaluar.
Presidenti lituanez Gitanas Nauseda gjithashtu e mohoi akuzën të shtunën.
“Regjimi po përpiqet të largojë me çdo kusht vëmendjen nga problemet e brendshme të Bjellorusisë me deklarata krejtësisht të pabazuara për kërcënime të jashtme imagjinare“, i tha zoti Nauseda AFP-së.
Ministria e Jashtme lituaneze njoftoi gjithashtu të shtunën se Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit Stephen Biegun do të vizitojë Lituaninë dhe Rusinë javën tjetër për bisedime mbi krizën paszgjedhore të Bjellorusisë.
Ekipi i zonjës Tsikhanouskaya tha të shtunën se zoti Biegun do të takohej me kandidaten e opozitës në Lituani.
Asnjë palë zgjedhjesh në Bjellorusi nën qeverisjen e zotit Lukashenko nuk janë konsideruar ndonjëherë të lira ose të drejta nga Perëndimi.
voa